“Kuponi tatimor nuk i lë tregtarët e mëdhenj të na vjedhin”. Me këtë mesazh u drejtohet kryeministri Edi Rama të gjithë konsumatorëve në vend, të cilët, thekson ai, vetëm nëse janë të gjithë bashkë mund të bëjnë revolucion në ekonomi në luftë kundër zinxhirit të vjedhjes në ekonominë informale.
Në një postim në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë shkruan se, “Në Shqipëri konsumohen shumë, mesatarisht një milion kafe apo ujë në ditë me një çmim mesatar prej 100 lekësh për të dyja bashkë. Duke marrë kuponin tatimor kemi drejtuar për në arkën e shtetit 20% taksa, ku pjesa më e madhe është diferenca e TVSH po dhe tatim fitimi, të cilat kur ikim pa marrë kuponin i kemi lënë të treten në kanalin e informalitetit. Prej të cilit përfitimin më të madh të paligjshëm e kanë tregtarët e mëdhenj të shumicës, jo shitësit e pakicës”.
“Në 365 ditët e vitit, kjo shumë që mund të përdoret për të rritur rrogat dhe ulur taksat tona, po edhe për më shumë investime apo shërbime më të mira publike, shkon në rreth 6.1 miliarde lekë në vit, ose 61 milionë USD! Merreni me mend vetë se çfarë revolucioni kemi mundësinë të bëjmë në ekonomi, nëse jemi të gjithë bashkë në luftë kundër zinxhirit të vjedhjes në ekonominë informale…”, shkruan kryeministri Rama.









