Kryeministri Edi Rama është kthyer nga vizita e tij në SHBA, ndërsa është parë sot në zonën e Sukthit. Rama shoqërohej nga ministrat Tahiri dhe Klosi, ndërkohë që ai është njohur me shqetësimin e banorëve. Këta të fundit theksuan se kanë marrë ndihmën e parë nga autoritetet, por ende ndodhen në vështirësi për shkak të dëmeve materiale.
“25 milionë dollarë për pastrim të kanaleve dytësore. Kjo është fatura nga ndërtimet e projektet kuturu. Situata është e ngarkuar dhe komplekse, sjellje barbare me territorin”, është shprehur Rama. Ai ka vlerësuar edhe nisjen e moratoriumit të pyjeve, si një masë mbrojtëse ndaj mjedisit.
Rama tha se struktura është ngritur prej kohësh për të përballuar emergjencën. “Këtë herë efikasiteti më i madh, sepse kemi fuqizuar emergjencën civile”, tha Rama.
Gjatë inspektimit, Rama shoqërohej nga Blendi Klosi, Saimir Tahiri dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Prej dy ditësh, opozita ka akuzuar kryeministrin Rama dhe kreun e Bashkisë Tiranë si persona përgjegjës për përmbytjet dhe që i kanë braktisur qytetarët duke mos u gjendur në vend gjatë situatës së reshjeve.