Kryeministri Edi Rama tha se ai vetë është kundër zgjedhjes së Presidentit të vendit nga populli. Ndërkohë që në fjalën e tij, gjatë konferencës me gazetarët, sulmoi edhe Ilir Metën kur tha se “kemi pasur një fatkeqësi natyrore për disa vjet në atë godinë”.
Pyetje: A mundët që në pyetësorin e radhës të shtohet pyetja që presidenti të zgjidhet nga populli?
Edi Rama: Unë jam kundër personalisht që në një republikë si e jona presidenti të zgjidhet nga populli se nuk është në natyrën e republikës tonë. Duhet ti jepnin më shumë pushtet.
Të zgjidhet nga populli një president që s’ka pushtet…se tani normal që të gjithëve u është ngatërruar pak foto e rolit të presidentit se kemi pasur një fatkeqësi natyrore për disa vjet në atë godinë por roli i presidentit në këtë republikën që kemi ne siç është në Itali apo Greqi, është i tillë që e bën të pakuptueshme. Nëse do i jepnin më shumë fuqi jo vetëm do ishte e mundur por edhe gjëja e duhur për të bërë.
Unë personalisht thashë jam kundër për të parën por jam i hapur për të dytën që nëse duhen njerëzit mund të rishikohet mënyra si është i konstituuar e gjitha, por kjo kërkon shumë punë e konsultime etj, e kjo shkon përtej vendimmarrjes së qeverisë.