Kryeministri Edi Rama ishte sot, 8 prill, për inspektim në kompleksin industrial në Durrës ku operojnë disa kompani të integruara në transport, riciklim dhe përpunim industrial.
Në këtë takim me punonjësit e kësaj ndërmarrjeje u shoqërua nga kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
“Sektori i industrisë po zhvillohet gjithnjë e më shumë, sidomos në zonat pranë Porto Romanos”, theksoi Sako në fjalën e saj.
Për kreun e qeverisë, motivi kryesor i kësaj vizite ishte për të promovuar sa më mirë shembullin e ndërmarrjeve shqiptare, të cilat kanë nisur me një ëndërr të madhe dhe hap pas hapi janë transformuar.
“Faktikisht shkohet nga mbetjet elektronike tek përpunimi i nivelit më të lartë i unazave dhe varëseve të arit. Pra, faktikisht nxirrret ar nga mbetje të cilat për shumëkënd konsiderohen thjesht si mbeturina për t’u hequr qafe, ndërkohë që për këtë kompani janë si material miniere prej ku krijohet vlerë e shtuar”, deklaroi numri një i kabinetit. Sipas Ramës, numri i fabrikave dhe ndërmarrjeve në Shqipëri sa vjen e rritet.
Nga ky takim në qytetin bregdetar, ritheksoi se qeveria po përgatit një skemë të re për pensionet.
“Nëse dikush vendos që të nxjerrë nga paga 1 euro për ta vendosur çdo muaj në fondin e vet të pensionit, që pastaj t’i shtohet në fund, shteti do vendosë 1 euro tjetër, kështu do bëhen 2 euro dhe natyrisht kjo do të jetë e kombinuar. Kjo do të bëjë që fondi i pensioneve të marrë formë pak nga pak duke garantuar qoftë ata që investojnë, por edhe lidhjen mes privatit dhe punonjësit”, u shpreh Rama.











