Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social në Facebook, ka cituar Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, i cili ka folur për situatën në Shqipëri pas vizitës së fundit.
Duke cituar Fleckensteinin Rama ka shtruar edhe pyetjen se kush gënjen për situatën politike në vend?
“E vetmja gjë për të cilën nuk jam dakord është bojkotimi i Parlamentit. Deputetët janë zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët brenda institucioneve shtetërore. Ata duhet që të kthehen në vendin e tyre të punës. Gjatë vizitës sime të fundit në Tiranë, kam dëgjuar thirrjen e opozitës për një qeveri teknike.
Nuk e kuptoj se sa ky propozim do të kontribuojë në përmirësimin e situatës politike, ekonomike dhe sociale të Shqipërisë. Maqedonia është në një krizë të thellë politike që tashmë e ka dëmtuar rëndë ekonominë e vendit, reputacionin ndërkombëtar dhe perspektivën e saj për integrimin evropian.
Fatmirësisht, Shqipëria është në një situatë shumë ndryshe.
Zbatimi i reformës së gjyqësorit do ta çojë Shqipërinë përpara procesit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ata që përpiqen ta bllokojnë ose pengojnë këtë reformë efektive dhe të besueshme, bllokojnë nisjen e negociatave për futjen e Shqipërisë në BE.
Unë i bëj thirrje opozitës që të rinisë punën e saj në Parlament. I bej apel qeverisë, Parlamentit, mazhorancës dhe opozitës, të bashkëpunojnë ngushtësisht me OSBE-në dhe ODIHR, në mënyrë që të sigurojnë zgjedhje demokratike. Ato duhet të jenë të denja për një anëtar të ardhshëm të Bashkimit Evropian”, citohet Fleckenstein nga kryeminsitri Rama. /b.d