Nga Mustafa Nano
Nuk ka asnjë diskutim që Edi Rama bëri gabimin e jetës së vet me komentet mbi Trump-in. Dhe le ta lëmë për një moment mënjanë përmbajtjen e asaj që ka thënë. Ai ka gabuar në radhë të parë thjesht që është futur si pykë në këtë histori. Ok, ai nuk është i vetmi që e ka bërë këtë gjë, ka pasur edhe të tjerë (Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker është duke bërë të njëjtën gjë edhe sot, pas zgjedhjeve), ngaqë ngjarja amerikane ka qenë disi e çuditshme këtë herë. Por le ta themi fare shkoqur, me një logjikë që na e dikton Real Politika: Një kryeministër shqiptar nuk mund t’i japë vetes tagrin për të futur hundët në garën presidenciale amerikane. Kjo është një.
Së dyti – vijmë tani te përmbajtja – Rama ka ndërhyrë në mënyrën më të gabuar të përfytyrueshme. Në ndërhyrjen e vet, që e bëri përpara Ramës e që nuk është çudi të ketë shërbyer si frymëzim për Ramën, ish-kryeministri britanik, David Cameron ishte pazakonshmërisht i ashpër. Kur Trump-i tha frazën e famshme për myslimanët (“duhen ndaluar të hyjnë në SHBA”), Cameron e cilësoi këtë qëndrim “përçarës, të pamend, dhe të gabuar”. Dhe vijoi më tej: “Nëse Trump-i do të bënte një vizitë në Britaninë e Madhe, ky do të ishte një rast për t’u bashkuar të gjithë kundër tij”. Kandidatit republikan i ranë rëndë në stomak fjalë të tilla, dhe përgjigjen nuk ia vonoi: “Nëse fitoj, do më duhet të takohem shpesh me Cameron-in, por me këtë që tha, unë nuk besoj se do të kemi marrëdhënie të mira”. Cameron-i nuk është më, sidoqoftë, në Downing Street Nr. 10. Ai u bë një kurban i Brexit.
Trump-i, apo dikush tjetër në emër të tij, nuk kanë reaguar pas deklaratave të Ramës. Askush nuk priste që ata të reagonin (përveç Ramës, kuptohet, të cilit do t’i kish shijuar shumë, pasi do të bëhej në këtë mënyrë personazh i kronikës politike amerikane e botërore). Nuk kish se si të ndodhte kjo gjë. Gjithnjë, mbi bazën e logjikës së Real Politikës. Për një kandidat presidencial amerikan nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe se çfarë thotë një kryeministër shqiptar, e aq më pak ka rëndësi nëse kryeministri flet për të, e aq më pak akoma ka rëndësi nëse kryeministri flet keq për të. Është e sigurt që të vetët e kanë informuar mbi qëndrimet e kryeministrit shqiptar, sidomos kur ky i fundit “ia plasi” edhe në CNN, por është po kaq e sigurt që kjo bisedë mes tyre më shpejt është mbyllur se sa është hapur.
Sikur Rama të ish një lojtar i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, Trump-i nuk do t’ia përtonte. Do t’i përgjigjej me tone më të forta se sa ato të përdorura ndaj Cameron-it. Sepse edhe ndërhyrja e Ramës ishte shumë e shpërpjesëtimuar. Ai tejkaloi funksionin e tij, dhe staturën e tij të vogël (që buron apriori prej vendit që ai përfaqëson: ja, sërish Real Politika). Përveç kësaj, bëri një lojë zarash, që është krejt e pakëshillueshme për rolin që është duke luajtur. Ai ishte 100% i sigurt se Clinton-i do fitonte, ashtu siç ishin gjithë tjerët, edhe ata që bënin sondazhe, madje edhe Trump-i vetë. Dhe ja ku jemi sot, kur Rama është i pari që nuk do donte kurrë t’i kish thënë ato që ka thënë. Mirëpo, çfarë është bërë, është bërë. Dhe është e çuditshme se si Rama nuk e ka menduar më përpara të vërtetën që bart kjo tautologji banale: çfarë është bërë, është bërë.
Rama e quajti Trump-in turpin e qytetërimit të sotëm, e quajt turpin e Amerikës, e quajti një rrezik e kërcënim për vetë Amerikën e për botën, uroi pastaj që Zoti të mos e lejonte të hynte në Shtëpinë e Bardhë, dhe në fund garantoi se, me Trump-in në krye të SHBA-ve, marrëdhëniet Shqipëri-Amerikë nuk do të jenë këto që janë. Tani, që Trump-i është turpi i Amerikës, dhe i qytetërimit të sotëm, e që ai përbën një kërcënim për Amerikën e për botën, e mendojnë të shumtët e kësaj bote. Madje, e mendojnë edhe të shumtët e amerikanëve (Trump-i fitoi shumicën e elektorëve të mëdhenj, e jo shumicën e votave; ishte H. Clinton që fitoi shumicën e votave). Puna është se të gjithë këta nuk janë kryeministra të Shqipërisë. Kryeministër i Shqipërisë është vetëm një. Ai quhet Edi Rama. Dhe mëkati i Ramës nuk është që i ka menduar gjëra të tilla, as që ia ka thënë dikujt në zyrë apo në një darkë. Mëkati i tij është që ai këto gjëra i ka thënë faqe botës, veshur me kostumin e kryeministrit. Dhe zullumin e trashi fare pastaj kur, po si kryeministër, tha se “me Trump-in president, marrëdhëniet Shqipëri-SHBA nuk do të jenë më ato që janë”!!!! Këtë të fundit edhe mund të na e kishte kursyer. Edhe të parat mund të na i kishte kursyer (sapo e thashë këtë gjë), por kjo e fundit është një mufkë mbi mufkat.
Sa më sipër, është një histori e arkivuar, tanimë. Mirëpo, nuk është kështu për ata shqiptarë që mezi po prisnin që Trump-i të fitonte, jo sepse në këtë mënyrë i bëhet mirë Amerikës e botës (edhe ata vetë kanë pasiguri të mëdha në këtë mes, për të mos thënë që në thelb janë dakord me Ramën), por sepse Trump-i, me të fituar, do të hakmerrej me Ramën. Tani, të kuptohemi, nëse një President amerikan e çon në mendje të hakmerret ndaj një kryeministri shqiptar, ai ka shumë mjete për ta bërë këtë. Përkundër kryeministrit shqiptar që i ka të pakta mjetet për t’u mbrojtur. Por kjo nuk ka për të ndodhur. Rama nuk është lojtar i rëndësishëm në këtë botë. Me fjalë të tjera, si të jetë, si të mos jetë kryeministër, nuk ndryshon asgjë në këtë botë. Mund të ndryshojë ndonjë gjë në këtë vendin tonë, por në botë nuk ndryshon asgjë. Sikur vendi ynë të ishte më i rëndësishëm, sikur për rrjedhojë kryeministri ynë të kishte më shumë ndikim në botë, Trump-i, si një i llastuar, zemërak e inatçor që është, edhe mund të tentonte t’i kthente reston (u pa me reagimin që bëri ndaj Cameron-it). Por me Ramën nuk ka për t’u marrë.
Madje, unë qysh tani jam duke e përfytyruar një skenë në summit-in e ardhshëm të NATO-s. Në një nga pushimet e mbledhjes, Rama i afrohet Trump-it. Dhe mes tyre bëhet ky dialog:
Rama: Zoti Trump, unë quhem Edi Rama, jam kryeministri i Shqipërisë.
Trump: Ah, Edi Rama! Ti je ai që nuk le gjë pa thënë ndaj meje në një moment të fushatës?
Rama: Po, unë jam.
Trump: Ke bërë gabim, i dashur.
Rama: E di. Dhe e kam ditur qysh në momentin që e bëra.
Trump (qesh): Kjo është e bukur. Kjo më pëlqen.
Rama: Madje, në daçi ta dini, unë ju admiroj. Por mua më takonte të thoja diçka, ngaqë jam kryeministri i një vendi me shumicë myslimane. Dhe unë ju garantoj që myslimanët e Shqipërisë nuk janë si myslimanët e botës. Të ftoj të vish në Shqipëri e t’i shohësh vetë.
Trump: Pse jo? Do të më pëlqente të vija në Shqipëri.
Rama: Oh, sa mirë! Dhe unë që mendoja se ju kishte mbetur qejfi.
Trump: Po jo, ç’është ajo fjalë. Unë e kisha harruar këtë gjë. Ja, ti ma kujtove tani.
Rama (shumë i lumtur): Po një selfie mund ta bëjmë?
Trump: Pse jo? Selfie-t janë pasioni im. Edhe rrjetet sociale.
Bëjnë një selfie. Aty pranë afrohet, si me porosi, Angela Merkel.
Merkel: Mister Trump, Edin Ramën e kemi djalin e mirë të lagjes së keqe.
Trump: Nuk po kuptoj. Cila është lagjja e keqe?
Merkel: Ballkani pra.
Trump (i ftilluar): Ah, Shqipëria, Ballkani! Ok, ok. Se mua më është bërë mendja Meksikë, Kinë, Rusi, Lindja e Mesme. Ballkani nuk është në Lindjen e Mesme, apo jo?
Merkel e Rama (në një gojë, duke qeshur): Ballkani është në Europë!
Rama u kërkon edhe një selfie treshe. E bëjnë. Merkel-i në mes.
Një orë më vonë, portalet e Tiranës nxjerrin lajmin me titull: Trump-i i premton Ramës se do të vizitojë Tiranën. Si fotografi shoqëruese do të ishte selfie ku Rama pozon me Trump-in, që më parë do ish publikuar në Twitter-in e tij me shënimin: “Nuk është montazh, as një foto e paguar: krah për krah me presidentin amerikan, Donald Trump”./mapo.al/a.m.