Në vijim të turit për rienergjizimin e Partisë Socialiste me anëtarësime të reja, kryeministri Edi Rama dhe drejtuesi politik i PS për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, u ndalën në Kavajë ku mirëpritën pjestarët më të rinj të familjes së madhe socialiste.
“Kavaja është një shembull se si mosmbajtja e ritmit të ndryshimit, se si mbyllja e partisë me idenë që fitorja i takon disave dhe nuk i takon të gjithëve, se si mungesa e vetëdijes për nevojën e një vetëreflektimi të vazhdueshëm, prodhon faturën e humbjes. Kavaja është një shembull shumë kuptimplotë për faktin që Partia Socialiste i ka vetë në dorë edhe rezultatin pozitiv, edhe rezultatin negativ, edhe fitoren, edhe humbjen. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm edhe në raport me detyrimet që kemi këtu përsa i përket Këshillit Bashkiak. Më thanë që ishte bllokuar buxheti i Bashkisë. Ne mund të kemi numrat për të bllokuar buxhetin e bashkisë, por ne nuk mund të jemi bllokuesit e buxhetit të bashkisë. Këshilltarët e bashkisë janë aty për t’i shërbyer komunitetit, nuk janë aty për t’i bërë karshillëk ultrasëve të anës tjetër. Kemi bërë edhe ne shumë gjëra që po të ktheheshim mbrapa, jam i bindur që nuk do t’i përsërisnim sepse kemi mësuar shumë gjëra ndërkohë. Ashtu sikundër ne e shikojmë se sa rezultat jep kur ti bën një opozitë qorre, shurdhe dhe ku trurin e le në frigorifer kur del nga shtëpia dhe në vend të trurit përdor krahët, përdor këmbët, përdor kokën sikur të ishte një tenxhere bosh me të cilën i bie murit. Nuk funksionon. Partia Socialiste është një forcë që historikisht ka dëshmuar vullnet për të korrigjuar, apo për të rindërtuar, apo për të risjellë në jetë çka të tjerët kanë bërë shtrembër, kanë shkatërruar, apo kanë asgjësuar”, u shpreh kryeministri.
Nga ana e tij, Veliaj tha se Partia Socialiste duhet të ndryshojë me ritmin e shoqërisë, që pastaj edhe Shqipëria të ndryshojë edhe më shpejt.
“Unë besoj shumë fort, ashtu si dhe kryeministri ka porositur dhe Asambleja ka vendosur, që një forcë të vazhdojë të mbetet fituese, duhet të rritet nonstop dhe fati i vendit që caktohet nga fati i kësaj partie që qeveris Shqipërinë dhe shumicën e bashkive të vendit është shumë herë më i rëndësishëm se fati i secilit prej nesh që është, në fund të ditës, një person i zëvendësueshëm, dhe siç do e shikoni dhe nga kandidatët e rinj sot, jo vetëm i zëvendësueshëm, por me një kalibër të jashtëzakonshëm intelektualësh, njerëzish pasionantë. Insistimi i kryeministrit për t’u siguruar që arritjet tona janë të pathyeshme dhe të pakthyeshme në fakt vlen më shumë se për çdo vend tjetër, por sidomos për këto zona, Kavajë e Rrogozhinë”, tha Veliaj.
/a.r