Pas dy javëve sfiduese, në Tiranë kanë mbërritur zyrtarisht festat e fundvitit. Në një ceremoni të organizuar mes dhjetëra qytetarëve, mes të cilëve edhe fëmijë, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ndezën dritat e pemës së madhe për Festat e Fundvitit, në sheshin “Skënderbej”.
Atmosfera filloi me një koncert të korit të fëmijëve nën drejtimin e artistes Suzana Turku që ishin kujdesur për të krijuar një atmosferë festive duke përzgjedhur një repertor të pasur.
“Dua vetëm t’ju uroj të gjithëve një vit të ri të gëzuar, si këto drita që do të ndizen dhe dua po ashtu t’i suiguroj të gjithë për një gjë, çfarë nuk të vret, të bën më të fortë. Dhe ne sot jemi të gjithë sëbashku më të fortë. Shqipëria sot është më e fortë, shqiptarët sot kudo ku janë dhe ngado ku ku shohin janë më të fortë. Të gjithëve gëzuar dhe kalamaja shumë faleminderit për muzikën e ëmbël, qofshi gjithmonë kështu si muzika që kënduar. Gëzuar dhe prindërve”, theksoi Rama.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj theksoi se pavarësisht se ky fundvit pati edhe një ngjarje sikurse ishte tërmeti, Tirana ndezi dritat e shpresës.
“Ky ka qenë një vit shumë i vështirë, ëshë viti i 99-të i Tiranës si kryeqytet. Ne mbushim 100 vjeç vitin tjetër dhe le ta pranojmë, nuk e mbyllëm shumë kollaj këtë shekull. Ishte një shekull që në fund fare na rezervoi një nga fatkeqësitë më të mëdha ta vendit tonë. Jo vetëm në Durrës, në Thumanë, por edhe këtu në Tiranë, ndjemë shumë dhimbje, ndjemë shumë trishtim. Patëm shumë fëmijë që u mërzitën, por e di çfarë? Kur po pyesja xhaxhi Edin, që na ka ardhur sot të na nderojë me prezencën e tij, çfarë do bëjmë në këtë situatë, vendimi ishte jo vetëm për Tiranën, por për gjithë kryetarët e bashkive që ne duhet t’i ndezim dritat, ne duhet të sjellim shpresën, duhet të ketë gëzim në qytet, duhet që energjia pozitive të na kaplojë. Patjetër do respektojmë të gjitha ato ngjarje, patjetër që do trajtojmë me shumë dinjitet të gjitha vështirësitë, por mbi të gjitha do t’i kujtojmë secilit që jeta vazhdon”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se Tirana diti si të ngrihet shumë shpejt duke filluar që me hapjen e çerdheve, kopshteve, shkollave dhe fillimin e procesit të ndërtimit.
“Jeta është e bukur, dhe nëse duam diçka në fund të shekullit të parë si Tirana kryeqytet. Dhe ne jemi të fortë kur jemi bashkë. Ne mund të rrëzohemi shpesh, por ne edhe ngrihemi shpejt. Dhe ka ardhur momenti që pas këtij rrëzimi të madh që patëm para dy javësh, ne të ngrihemi. U ngritëm, filluam çerdhet, kopshtet, shkollat, filluam rindërtimin, filluam jetën normale. Dhe sot jemi gati të ndezim dritat në Tiranë”, tha ai.
Veliaj u kërkoi të gjithë fëmijëve të kryeqytetit që të bëjnë nga një dhuratë për fëmijët në zonat e prekura nga tërmeti. “Kemi një operacion që quhet operacioni ‘’kutia’’, secili prej jush do të marri një kuti bosh këpucësh dhe do ta mbushi me lodra, me lapsa, me stilolapsa, me fletore me gjëra që do të donte t’ia bënte dhuratë një çuni apo një goce në Durrës, në Thumanë, në Krujë, në Laç apo në Vlorë. Nëse siç po merret qeveria dhe të gjithë të tjerët që po të punojnë për shtëpitë edhe për të gjithë sistemimet e tjera, nëse dhe ju do të na ndihmoni që të bëjmë nga një dhuratë për të gjithë kalamajtë që janë në zonat e prekura ky do të jetë realisht Viti i Ri më i bukur në botë”, theksoi kryebashkiaku Veliaj. /e.s/