Ashtu siç kishte paralajmëruar, Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje Athinës zyrtare dhe të gjithë akuzave të saj në lidhje me çështjen e Himarës dhe postimin e tij në rrjetin social të një fotoje të Akropolit. Rama është shprehur se reagimet e Greqisë kanë qenë të tepruara, duke bërë paralelizime mes shpronësimeve që janë bërë në veri të vendit ( ku nuk ka patur asnjë zhurmë) dhe atyre në jug e konkretisht në Himarë.
Rama ka shtuar se atij nuk i vjen aspak keq që në Himarë flitet greqisht, por kjo nuk do të thotë se Himara është greke. Me të njëjtin argument Rama ka thënë se as grekëve nuk duhet tu vijë keq se në Akropoli flitej shqip.
Në replikë me akuzat e Vangjel Dules, Rama ka thënë se ai e di se ku flen lepuri me të. Kryeministri deklaroi se armiqësia mes Shqipërisë dhe Greqisë mbetet një sajesë e vetë Dules dhe që i intereson partisë së tij, e cila sipas kryeministrit, po tretet si kripa në ujë.
Madje, duke ju drejtuar kreut të PBDNJ-së, Rama i ka kujtuar atij se në kohën e luftës Italo- Greke në vitet 40’ (në kohën e L2B) kanë qenë shqiptarët të cilët kanë mbajtur me bukë grekët.
Deklarata e Ramës për Athinën dhe Dulen:
“Është hapur debat ndërkombëtar për disa banorë të Himarës që janë shfaqur të revoltuar për shkak të planit të bashkisë së re, për një projekt me interes publik në vazhdën e programit të rilindjes urbane për Himarën.
Ajo është dërrmuar nga barbaria e ndërtimeve, ngrehina shëmtie që e rrokullisën Himarën në të tatëpjetën e zhvillimit rrënues, por që e ka cenuar rëndë bukurinë e saj dhe vlerat e trashëgimisë së saj kulturore. Shpronësimet apo prishjet e ndërtimeve të ligjshme me shpronësim gjatë Rilindjes janë procedurë rutinë e unifikuar ligjërisht si në Tropojë edhe në Himarë, edhe në Tropojë ka banorë që nuk bien dakord.
Por “cuditërisht”, për këta, e as për të Vlorës nuk kemi dëgjuar të indinjohet ndonjë shtet tjetër dhe të nisë kujë në mediat e atij shteti si me Himarën. Vetëm në Vlorë janë prishur 1657 objekte, në Tiranë 4828, Durrës 1125, e kudo në cdo qytet. Projekti detyron prishjen e vetëm 18 objekte, një shtëpi e banuar, një bujtinë tre katëshe dhe pjesa tjetër lavazhe, kioska, magazina të vjetra, apo rrënoja shtëpish të dikurshme. Vetëm për 6 objekte duhet bërë procedura e shpronësimit.
Dikush që se di ku fle lepuri i kësaj ferre që na shfaqet nëpër këmbë, as e koncepton dot se si ka mundësi që një praktikë rutinë e kësaj natyre në Shqipërinë e sotme për 12 ndërtime pa leje dhe 6 ngrehina në shpronësim të angazhojë një shtet fqinj me komunikata zyrtare, deklarata partiake që kërkojnë ndëshkim evropian për Shqipërinë, lloj lloj gazetash, që nxjerrin tym për të nxirë qeverinë e Shqipërisë, por fatkeqësisht pa e fshehur dot një sekëlldi të cuditshme ndaj nesh dhe vendit tonë të vogël që kaq shumë ka dhënë e marra me atë vend mahnitës që quhet Greqi.
Çfarë bëra unë që të meritojë gjithë atë vëmendje në Greqi gjatë këtyre ditëve, a ma thotë dot kush që ka dy fije mend në kokë, pse fqinjëve tanë nuk u erdhi mirë për një postim shumë miqësor në rubrikën time përmend Gjergj Dushmanin, shqiptarin e famshëm e të cituar në historianë serioz, që një rastësi fatlume e historisë e bëri të gjendet në vendin dhe kohën e duhur për të shpëtuar Akropolin nga bombardimi i flotës veneciane.
Apo mos nuk u erdhi mirë që lexuan aty se në Athinën e asaj kohe flitej kryesisht shqip, c’ka nuk e them unë, por nuk ka historian serioz që nuk e shkruan, për mua është mësim i bukur historie për ne, shqiptarët dhe grekët e sotëm që duhet të ndihemi më mirë nën cdo dritë afruese të fqinjësisë sonë dhe shembujve të panumërt të shqiptarëve dhe grekëve që kanë ndihmuar njëritjetrin.
Pse duhet të mërzitet fqinjët kur u thuhet se atje flitej shqip. Kur them se as e folura shqip në Athinën e djeshme nuk e bën Athinën sot qytet shqiptar as e folura greqisht në Himarë nuk e bën kurrë Himarën qytet grek nesër, besoj se kam mirëkuptimin e plotë të çdokujt, që dashurinë për Greqinë as e mat me sa shumë e sekëlldisin shqiptarët dhe as e tregon duke e quajtur inekzistente cështje të së kaluarës mes nesh.
Që jo vetëm për ne por për interesin e përbashkët, janë cështje reale, që duhet t’i zgjidhim nën dritën e shembujve të panumërt të miqësisë, solidaritetit që historia e kësaj fqinjësie ka prodhuar mes nesh.
Kam dëgjuar se edhe këtu ka pasur zëra që janë ngritur për ti dhënë figurshmëri, përvec zërit të Vangjelit që ngrihet vetiu sikur ti dalë në ëndërr qofte edhe një tjegull nga çatia e një shtëpie të braktisur në Himarë, eh miku im i dashur Vangjel s’të vë dot faj, pasi gjen në Athinë dëgjues që e bëjnë tjegullën e ëndrrës tënde provën e krimit të një agresioni të ri antigrek të Ramës, armiku të ri që ti kërkon me cdo kusht t’ja sajosh Greqisë dhe minoritetit për një llogari të vogël sa një kokërr gruri, llogarinë e partisë tënde që po tretet si kripa në ujë se ke marrë përsipër të bësh diçka që është në dëm të hapur të marrëdhënieve mes vendeve tona dhe shqiptarëve dhe grekëve.”- tha Rama.
DEBATET
Përgjigja e Dules: Prish sarajet e Kokëdhimës
Në kundërpërgjigje, Vangjel Dule i ka kërkuar Ramës që të mos bëjë historianin dhe folkloristin dhe të tregohet i sinqertë. Kreu i PBDNJ-së i ka kërkuar Kryeministrit se nëse ai është i drejtë dhe i sinqertë me Himarën dhe me prishjen e ndërtimeve të familjeve të minoritarëve, ai duhet të prishë fillimisht Sarajet e Koço Kokëdhimës.
“Zoti kryeministër, nëse je i sinqertë prish sarajet e mentorit tënd Koço Kokëdhima. Ka ndërtuar të paktën tre pallate 10 katëshe në Himarë. Prishi ndërtimet e tij në Himarë dhe Qeparo nëse do të tregosh se je i sinqertë”, tha Dule.
Reagimi i Ramës: Ku ishe ti kur u dhanë lejet e Koços?
“Nëse merr përsipër të dizinformosh në mënyrë të qëllimshme pasi nxit në mënyrë të qëllimshme situata artificialisht të krijuara, patjetër që nuk mund të kesh qëllim tjetër përveçse të krijosh armikun në anën tjetër. Për çfarë arsye ti gënjen në Athinë dhe u thua që godinat janë të gjitha të ligjshme. Për çfarë arsye gënjen dhe thua që do prishen pa u respektuar procedura e shpronësimit. Zanafillën i gjithë ky problem e ka tek ti. Ti kë gjetur të gjithë kokëboshët e Greqisë dhe u fut në tru marrëzira të paimagjinueshme.”
Vangjel, do të mbaj përgjegjësi nëse ato ndërtesa do ti kisha sjellë unë dhe nuk do ti kisha gjetur mes jush. Këtu ke qenë ti, edhe kur janë dhënë lejet e kur janë ngritur ato ndërtesa. Nuk të kam dëgjuar ndonjëherë për to…
Ndërhyn Noka…
Rama:… ti je low level (nivel i ulët)… ti je këtu për të nuhatur kanabisin. je nën efektin e drogës me të fortë, je i paditur… ti je rrafsh!
Reagon Noka: Profesioni i ketij eshte shkarravinist! E nisi në 90′ si anarkist, vijoi me idenë se do bëhet etatist dhe përfundoi si kanabist. Një gjë po ju them për Himarën. Ka ndërtesa pa leje që janë me lidhje të këtij, nuk i ka prekur!