Kryeministri i vendit, Edi Rama, me podcastin e tij “Flasim”, si çdo fundjavë…
E nisi fjalën e tij me vendimet e Bordit të Transparencës, i cili është vënë në lëvizje për të reflektuar impaktin e luftës mbi çmimet në tregun e naftës, duke shmangur abuzimet në dëm të konsumatorëve.
“Në ditët e fundit pati një ulje të çmimeve, Bordi e reflektoi menjëherë në uljen e çmimeve në vend! Ajo që është e rëndësishme është se ky mekanizëm lidh çmimet në Shqipëri me ato në arenën ndërkombëtare, jo me vendime të njëanshme të operatorëve vendas”, deklaroi kreu i qeverisë, duke theksuar se Bordi ruan kufijtë e qartë mes çmimit të rritur objektivisht në tregun ndërkombëtar dhe nga ana tjetër abuzimit.
“Bordi nuk vendos çmimin arbitrarisht, thjesht dhe vetëm mbikëqyr”, qartësoi kryeministri.
Ritheksoi se ekonomia shqiptare vijon të diversifikohet dhe se Shqipëria nuk është më një ofertë ekonomike për të gjithë ata që duan të investojnë, thjesht dhe vetëm në një apo dy drejtime.
“Vetëm në Tiranë janë çliruar 140 mijë m², ndërsa në zona si në qendër janë ndërmarrë ndërhyrje sumë të forta! Po shtrihemi edhe në zonat e banuara rurale, edhe në zonat që natyrisht dhe pikërisht pse janë zona me interes turistik, nuk mund të jenë pika ku hidhen inerte, do ketë modele të reja në bazë të punës së bërë nga bashkitë. Po përfundojmë rregulloren e përgjithshme mbi bazën e së cilës secili do të ketë të qartë se ku janë kufijtë e tyre, 70%-i do të jetë gjithmonë i publikut, i atyre që ecin në këmbë”, u shpreh Rama sa i takon aksionit për lirimin e hapësirave publike, sidomos në kryeqytet.











