Kryeministri Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste, ka kujtuar paraardhësin e tij në PS, Fatos Nano, me një anekdotë treguar gjatë emisionit “Top Story” në Top Channel.
“Fatos Nano po bisedonte me dikë lidhur me çështjen e kthimit të pronave ndërkohë që ky këmbëngulte që Nano duhej të kthente pronat.
–Si mund të bëhet kthimi i pronave, e kishte pyetur Nano.
–Lehtë fare, merri gjithë pronat dhe ktheji ato tek pronarët e vjetër, i thotë tjetri.
–Atëherë këtë problem mos e diskuto me mua, por me Sabri Godon se ai nuk ka gjë në dorë dhe i kthen të gjitha, iu shpreh Nano”.
Rama debatoi edhe me Mustafa Nanon.
Opinionisti Nustafa Nano ka replikuar me kryeministrin Rama lidhur me ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.
“Ai ministër nuk mund të qëndrojë më në detyrë pa sqaruar akuzat ndaj tij,” i ka thënë Nano.
Ndërsa Rama është mbrojtur duke thënë se qeveria me këtë kriter duhet të çojë çdo ditë nga 10 gazetarë në gjykatë.
Debati u tensionua deri në atë pikë sa Rama akuzoi gazetarët në studio se nuk dinë të bëjnë pyetjet e duhura.
Rama tha se ai është kritiku më i mirë i qeverisë së vet.
Për Ilir Metën
Emri i Ilir Metës nuk është lakuar në asnjë rast gjatë emisionit “Top Story”, gjë që kryeministri Rama mendon se është gjë e mirë, pasi nuk ka nevojë për pyetje në lidhje me raportet mes krerëve të dy partive të koalicionit përderisa ata janë ende bashkë.
“Unë mendoj që është gjë e mirë kjo (mos përmendja e Ilir Metës në emision) se kur jam unë përgjigjem edhe për Ilir Metën dhe kur është Ilir Meta përgjigjet edhe për mua, kështu që mbarojeni këtë historinë e pyetjeve që kur të vij unë pyesni ‘si po shkon me Ilir Metën?’ ose i thoni Ilir Metës ‘si po shkon me Edi Ramën?’. Për sa kohë ne jemi bashkë, mjafton të jetë njëri dhe flet edhe për tjetrin, s’keni pse e pyesni edhe për tjetrin”, tha Rama në fund të emisionit “Top Story”.
Batutës së Sokol Ballës pas këtij komenti të kryeministrit se “si duket prandaj edhe ai (Ilir Meta) nuk del më në ekrane, dilni vetëm ju”, Rama iu është përgjigjur “ma ka besuar mua”.