Për të katërtën herë, një raketë balistike iraniane që fluturonte drejt Turqisë u shkatërrua në ajër nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s. Këtë e konfirmoi si aleanca veri-atlantike ashtu edhe ministria e mbrojtjes e Turqisë, që deri më tani nuk kanë dhënë detaje për vendin ku u godit dhe ra raketa.
Në shënjestër të raketave iraniane në sulmet e deritanishme ka qenë baza ajrore e Inxhirlikut, ku janë stacionuar mjete ushtarake amerikane. Në deklaratën e ministrisë turke të mbrojtjes thuhet se janë marrë të gjitha masat për të eliminuar çdo kërcënim ndaj sigurisë së vendit, megjithëse Teherani ka mohuar gjithmonë përfshirjen dhe ka akuzuar se pas këtyre rasteve fshihet Izraeli.
Sulme të tilla e bëjnë situatën delikate pasi Turqia është vend i NATO-s, përmes të cilës mund të tërhiqet e gjithë aleanca në këtë konflikt. Përmes një postimi në rrjetin personal Truth, presidenti amerikan Donald Trump foli për negociata që po ecin mirë me një regjim “të ri dhe më të arsyeshëm”, siç e quajti ai, por lëshoi sërish një kërcënim.
“Nëse Ngushtica e Hormuzit nuk hapet menjëherë për biznes, ne do të hedhim në erë dhe shkatërrojmë plotësisht të gjitha centralet e tyre të energjisë elektrike, puset e naftës dhe ishullin Kharg (dhe ndoshta të gjitha centralet e shkripëzimit!), të cilat qëllimisht nuk i kemi ‘prekur’ ende”, tha Donald Trump, president i SHBA.
Deklaratat vijnë teksa Pentagoni ka çuar në Lindjen e Mesme mijëra trupa shtesë, duke shtuar zërat për një ofensivë tokësore. Nga ana tjetër, Pakistani po vijon përpjekjet ndërmjetësuese mes palëve për t’i dhënë fund luftës.
Ndërsa në terren, sulmet kanë vijuar pa u ndalur, duke përfshirë kundërsulmet. Mbetjet e një rakete iraniane të shkatërruar në ajër goditën depozitat e naftës në Haifa këtë pasdite. Veç Iranit, Izraeli u përball edhe me një sulm nga militantët e grupit Huthi nga Jemeni.
Edhe Kuvajti njoftoi se mbrojtja ajrore e vendit kishte kapur 5 dronë iranianë, ndërsa ushtria izraelite kreu mbi 140 sulme ajrore ndaj vendeve të magazinimit e lëshimit të raketave iraniane.
Ndërkohë, deklaratat e Trump se dëshiron të marrë naftën e Iranit dhe përfshirja e Huthëve në konflikt gjatë fundjavës kanë reflektuar menjëherë çmimet në tregjet ndërkombëtare, me bursën e Londrës ku nafta e papërpunuar arriti deri në 116 dollarë për fuçi, drejt një rritjeje mujore rekord.











