Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të premten, 13 mars, se Turqia nuk do të ndërhyjë në tensionet në rritje midis Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se Ankaraja po merr të gjitha masat për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe për të mbajtur vendin larg konfliktit në zgjerim.
Gjatë një iftari, Erdogan tha se Turqia mbetet e vëmendshme ndaj çdo kërcënimi dhe përmendi ndërhyrjen e autoriteteve pas kapjes së një rakete balistike iraniane e cila ishte drejtuar nga Irani drejt Turqisë. Ai shtoi se vendi po merr hapa parandaluese për të ruajtur hapësirën ajrore, duke theksuar se masa të ngjashme ishin marrë edhe natën e kaluar.
“Prioriteti ynë kryesor është të mbajmë vendin tonë larg kësaj zjarri”, tha Erdogan, duke nënvizuar qasjen e kujdesshme të Ankarasë mes tensioneve rajonale në rritje.
Presidenti turk shtoi se Turqia po vepron me “kujdes të madh përballë intrigave, kurtheve dhe provokimeve që synojnë të tërheqin vendin në luftë”.
Erdogan kritikoi gjithashtu hipokrizinë globale ndaj krizave humanitare, duke thënë se disa vende injorojnë shtypjen dhe gjenocidin, ndërsa të tjera mbështesin hapur aktorët përgjegjës për krime të tilla, përfshirë Izraelin. Ai theksoi se vuajtjet e fëmijëve në zonat e konfliktit shpesh nuk marrin vëmendjen që meritojnë.
Megjithatë, ai u shpreh se Turqia mbetet e përkushtuar të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të mbrojë vlerat humanitare.
Kujtojmë se këtë të premte sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s në Mesdheun lindor kanë rrëzuar një raketë të tretë balistike të lëshuar nga Irani drejt territorit turk. Ministria turke e Mbrojtjes tha se i ka kërkuar Teheranit sqarime për incidentin.
Megjithëse Turqia po zhvillon industrinë e saj të mbrojtjes, ajo ende nuk ka një sistem të plotë të mbrojtjes ajrore dhe aktualisht mbështetet në sistemet e integruara të NATO-s në rajon.
Një rol kyç luan baza e radarëve të NATO-s në Kurecik, e cila zbulon raketat balistike që mund të drejtohen drejt territorit turk.
Ministria turke e Mbrojtjes tha gjithashtu se sistemi rus S-400, i blerë nga Turqia në vitin 2019, nuk është përdorur në këto incidente pasi sistemet e integruara të NATO-s rezultojnë më të shpejta dhe më efektive.
Pas zhvillimeve të fundit, NATO-ja ka përforcuar mbrojtjen në rajon dhe ka vendosur edhe një sistem amerikan raketash Patriot për të rritur sigurinë pranë bazës së radarëve në Kureçik.











