Sapo shqipton Skrapar, nuk mund të mos përmendësh Kanionet e adhurueshme të Osumit. Skrapari dhe Kanionet e Osumit identifikohen me emrin e njëri-tjetrit, në sajë të një sporti që prej më shumë se 10 vitesh është kthyer në një magnet që tërheq turistë të shumtë. Sporti i Rafting, i preferuar nga grupmosha të ndryshme, aktualisht tepër popullor sjell në zonat e Skraparit turistë nga vendi dhe të huaj. Ky sport që po praktikohet çdo ditë e më shumë sot gëzon të drejtat me anë të një Federate e cila njihet dhe në Rajonin e Ballkanit e më gjerë.
Rrugës për në Kanione
“Qysh po rron?” Kjo ishte pyetja që shoferi i furgonit të Federatës së Rafting Albania i bëri një polici rrugor në një prej kthesave të shumta të pafund, rrugës për Çorovodë.
Ishte kuptimplotë kjo shprehje teksa shihje rrugët e copëtuara që prej vitesh nuk kishin ndjerë asfalt të ri mbi vete, banorët e pakët që punonin arat, shumë prej tyre të braktisura pasi i zoti ose prej vitesh kishte emigruar në Greqi, ose larguar drejt zonave më pranë qytetit. Dikush në një cep rruge kishte nxjerrë kajsitë e pemës së oborrit për t’i shitur, një tjetër qershi. “Zbresim blemë ndonjë kokërr”, thamë njëzëri. E ndërsa qesja plastike peshonte me mbi 30 kokrra kajsi, shitësi thotë, 1 kg. “Sa shumë? Në Tiranë, kaq na i peshojnë për 2 kg”. Banori qeshi dhe tundi kokën.
Shoferi thotë se njeh disa vende ku shitet djathi më i mirë në tërë Shqipërinë, në Bogovë gatuhet mishi më i mirë i pjekur. Kurse kur e pyet për sportin e Rafting thotë; “Një turiste e huaj që kishte bredhur mbarë botën tha, “kisha parë mrekulli, por sot u binda se mrekullia e 8 qenka tek ju”.
Nën këmbët e Kanionit
Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, papritmas të shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanionit të Osumit. Kanioni nis në vendin e quajtur Hambull afro 18 kilometra nga qyteti i Çorovodës, pëson një ndërprerje pasi kalon fshatin Lapan, për shkak se shtrati i lumit zgjerohet në vendin e quajtur “Mulliri i Babait” dhe prej aty deri ne Vaun e Grepckes, gati dy kilometra larg qytetit të Çorovodës kanioni shfaqet madhështor dhe të ofron pamje me të vërtete te mrekullueshme e te papërsëritshme. Por pjesa me e bukur e tij shtrihet nga fshati Blezencke deri në fundin e fshatit Çerenisht.
Shpatet e Kanionit bien thikë mbi lumë nga një lartësi nga 70 deri 100 metra. Kurse shtrati i Osumit herë zgjeron vetveten duke gllabëruar shkëmbinj nën të e herë ngushtohet nën dredhëzime të shumta, sipas oreksit që ka pasur në shekuj.
“Nuk ka shaka me lumin. Ju gënjen pamja e qetë nga jashtë, por nën të ka rrjedha, të rrëmben. Nëse dikush nuk di not, më mirë mos të hipë në gomone”, ishte zëri i Zamos, kryetari i grupit të Guidës së Rafting që na shkundi mendimet që na kishte kapluar teksa shihnim Kanionet.
Rafting, sporti adrenalinë
“Nëse nuk je i gatshëm të marrësh përsipër rrezikun, më mirë mos hip në këtë gomone. Këtu rrezikohet dhe jeta, instruktori që do të keni në gomone do të jetë guida juaj në 15 kilometrat që do të përshkoni mbi Osum. Ti në gomone je një ushtar. Nuk dua t’ja di cfarë je në jetën e përditshme, drejtor, ministër, kryeministër, President, këtu je një turist dhe instruktori është ‘Zoti’ juaj”. Nëse nuk dëgjon urdhrat e tij, mund të humbësh jetën”. Fjalët e Zamos të ngjethin, sheh veten të veshur me kostumin e rafting, jelekun që mend të plas vape dhe mendon me vete, të kthehem apo jo. Hedh sytë rreth e rrotull, mbi 30 veta presin të ushtrojnë sportin ekstrem. Mes tyre dhe fëmijë mbi 9 vjec të shoqëruar me prindër. Nëse je fillestar në këtë sport, instruktorët e Rafting Albania marrin përsipër të të shoqërojnë tek nivelet 2 dhe 3.5 (3 pike 5). Nivelet 4, 5 dhe 6 ishin për profesionistë.
“Nëse do të ishit këtu para dy javësh, do ju shkonte mundi kot. Lumi ishte i tejfryrë, rafting bëmë vetëm ne instruktorët”, thotë Deni, djaloshi 20-vjecar që do të ishte instruktori ynë në sportin me të cilin sapo u prezantuam.
Sapo hipëm në gomonen e rafting, zëri i Denit të shkundte; ‘Lopatave paraaa, grupi majtas, jepu pas lopatave. Stop!’. Ky refren të shoqëronte gjatë gjithë udhëtimit.
“Shihni, shkëmbin sanduic”. Instruktorët e njihnin me pëllëmbë lumin. Para syve na u shfaq një shkëmb i latuar në formën e një sanduici Mc’Donald. Të gjithë plasin në të qeshura, por sakaq ndalin, një ujvarë na rrëmben të gjithëve. Pamja si në filmat e ‘Indiana Jones. Hedhim sytë anash, shkëmbinjtë si të vizatuar me dorë. Format nga më të ndryshmet. Cdo guve, instruktorët u kishin vënë nganjë emër. Ngre sytë lart, sheh një copëz qiell, që mezi shquhet nga pemët që rriten në shkëmbinj që duket sikur do të këputen e do të të kërcejnë mbi gomone. “Syri i Kanionit”, bërtet Deni. “Në perëndim është një mrekulli, vetëm atëherë e kupton pse i thonë Syri”, shprehet Deni duke u dhënë fort lopatave për të kapërcyer një pjesë të pjerrët të lumit ndërsa ndjejmë shkëmbinjtë që përplasen poshtë gomones dhe na hedhin përpjetë. Ruajmë kokat nga shkëmbinjtë 3 gisht larg kokës sonë, ndërsa mbajmë lart lopatat për të mos i thyer dhëmbët, shokut në krah.
Ngushtica ne Kanion
Një ngushticë. Ngecim gjithë gomonet. Po qeshnim të gjithë. “U zvogëlua lumi. Ku lumi? Kjo qenka si një vijë uji që kalonte pranë shtëpisë sime në fshat”, thotë një nga grupi.
“Një hap e gjerë ngushtica, por 12 metra e thellë”, thotë instruktori me fytyrë serioze. Ata e duan lumin, janë rritur me të, ia njohin dhe pranojne të metat ashtu sikundër të mirat e pafund që u ka dhënë.
Sapo kalohet ngushtica, nis gara mes gomoneve. Shtrati i lumit zgjerohet si në pistat e garave me makina në retrospektivë. Uji më pak i rrëmbyeshëm, të jep lehtësi në manovrimin e lopatave. Instruktorët marrin frymë më lehtë.
“Doni të fitoni garën? Doni të jeni të parët?” Thirrjes së tyre i përgjigjet secili grup. Të gjithë u japin krahëve me sa fuqi kanë. Shpatet e thepisura marrin fund aty, anët e shtratit të lumit shndërrohen në lëndina, zalli i gurëve fton gomonet të ankorohen në gjirin e tyre. Arrin gomonia e parë, e dyta e kështu me radhë. Grupi i parë përfundon rafting. Të tjera makina plot me turistë qëndrojnë në pritje, 1 orë larg nesh të nisin ata aventurën e radhës.
Vrima e Nuses
“U kënaqët? Ia vlejti rruga deri këtu apo jo?”, pyet shoferi i furgonit që ka për detyrë në na kthejë në Berat. Buzëqesh teksa dëgjon turistët që nuk pushojnë gjatë rrugës duke folur për lundrimin e hatashëm mbi lumë.
“Po Vrimën e Nuses e patë?”, pyet shoferi. I thamë se pamë shumë guva dhe minishpella misterioze.
Dhe teksa kalojmë kthesat e panumërta, shoferi tregon mbi legjendën e Vrimës së Nuses, legjenda, të cilat kanë udhëtuar gojë më gojë deri në ditën e sotme. Legjenda flet mbi fatin e një nuseje që po martohej pa dëshirën e saj, por që ishte e detyruar të zbatonte zakonin e vjetër. Krushqit po ktheheshin me nusen që kishin marrë në një fshat tjetër, kur arritën këtu nusja u thotë atyre se “po e çonin tek burri pa dëshirën e saj”, por krushqit nuk i dhanë përgjigje. Ndaj ajo e mendoi vet planin e ikjes. Duke iu lutur zotit, i drejtohet shkëmbit të Kanionit: “Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë”. Dhe shkëmbi e dëgjoi, menjëherë hapi një vrimë, zgavër. Nusja u hodh nga kali dhe u fsheh në këtë vrimë. Krushqit u kthyen në fshat pa të. Më vonë kjo vrimë nisi të vizitohej nga nuse të reja që kërkonin të bëheshin me fëmijë dhe sipas gojedhënave, sapo kalonin Vrimën, ato më pas gëzoheshin me fëmijë.
“Sikur të na rregullonin rrugën që të sjell deri këtu, do e shijonit këtë udhëtim një qind për qind”, thotë shoferi në përfundim të legjendës, duke lënë të kuptohet se nuk është e lehtë jetesa në zonat e Skraparit.
Pjese nga rruga per ne Kanion
Pak Histori-Gjeografi për Kanionet
Skrapari mund të quhet edhe rrethi i Kanioneve madhështore. Në të gjenden dy kanione të mëdha, të dy monumente natyre, midis tyre Kanioni i Osumit, më i madhi në gjithë Shqipërinë, që me të drejtë është quajtur “Koloradoja e Shqipërisë”. Ai gjendet në sektorin Çorovodë – Hambull të luginës së Osumit, është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale.
Në muret vertikale të Kanionit ka mjaft guva e zgavërime të formuara nga proceset e karstit.
Lumi Osum formohet nga përrenjtë e shumte që rrjedhin nga shpatet e Vithkuqit në malësinë e Korçës dhe dhe shpatet perëndimore te Gramozit në rrethin e Kolonjës. Gjatë rrjedhës se tij neper Skrapar, Osumi bashkohet me disa dege të tjerë te tij dhe formën e vërtete e merr në hyrje te qytetit të Beratit. Osumi pasi bashkohet me Devollin në afërsi të Urës se Kuçit formojnë Semanin. Gjatësia e Osumit është 161 kilometra, por pjesa me e bukur e tij është padyshim Kanioni që ndodhet në rrethin e Skraparit. Kanioni i Osumit është më i gjati dhe ka lartësinë mesatare më të madhe në vend. Në fundin e tij, në Vaun e Grepckes, Osumi krijon një delte te bukur që shfrytëzohet nga banoret e Çorovodës dhe fshatrave përreth për të pushuar dhe bere plazh gjate stinës se verës. Në thellësi të tij, kanioni krijon gjashte ngushtica, në të cilat lumi mund te kalohet vetëm me not pasi kanioni është shumë i ngushtë.
Rruga automobilistike që lidh qytetin e Çorovodës me skajin e sipërm të kanionit të quajtur Hambull kalon thuajse ngjitur me bregun e kanionit. Ky aks rrugor nuk është i asfaltuar por mund të përshkohet me fuoristrade apo autoveture. Nga Çorovoda deri në Hambull mund të shkosh me linje furgoni që e përshkon këtë distance dy herë në ditë, në mëngjes, nisja në orën 7.00 dhe pasdite në orën 16.00. Gjate vizitës nëpër kanionin e Osumit mund të shijosh edhe pamjen përrallore të disa ujëvarave, të cilat bien në lume nga një lartësi e madhe, si ne Çerenisht, Zogas, Kalanjas, Dhores, Pigas e Blezencke. Gjatë kanionit mund të ndeshesh dhe disa shpella interesante. Një pamje të rralle të kanionit mund ta shijosh dhe nga e vetmja ure që ndodhet në te, në afërsi të fshatit Blezencke. Pikërisht aty është vendi me i ngushte i kanionit dhe arrihet lartësia me e madhe nga shtrati i lumit. Në afërsi të fshatit Dhores mund të vizitosh dhe vendin e shenjte për besimtaret bektashian te zonës, pasi sipas legjendës aty gjendet “Gjurma e Imam Aliut”. Ky vend i shenjte ndodhet në pjesën e sipërme të kanionit, ku në masivin shkëmbor, në të dyja anët e lumit, dallohen qarte gjurma e një njeriu, e një kali dhe gjurma e një bastuni. Sipas legjendës Imam Aliu e ka kaluar kanionin me një kërcim të kalit të tij. Si gjatë vozitjes neper lum ashtu dhe nëse ecën me këmbe ndesh burime me ujë të ftohtë, por nuk ka lokale, kështu që duhet të marrësh me vete edhe pak ushqim apo pije të ndryshme. Hotelet me te afërta me kanionin ndodhen në qytetin e Çorovodës. Çmimet ne to janë shumë të arsyeshme. Në restorantet e qytetit të ofrohet gatimi tradicional i zonës, mishi ne hell i shoqëruar me disa produkte bulmeti si dhe me rakinë me nam të Skraparit. Kanioni mund të përshkohet për afro treçerek ore me makine, tre ore në këmbe dhe pak me shumë se dy ore me kanoe apo kajak.
Balkanweb