Tirana ia ka dalë që në katër vite të shndërrohet në një qytet miqësor me fëmijët duke i vendosur ata në qendër të çdo politike të ndërmarrë nga ana e Bashkisë. Për herë të parë, kryeqytetin u bë mikpritësi i konferencës ndërkombëtare “Qytetet miqësore për fëmijët” ku merrnin pjesë disa nga emrat më të njohur në botë në fushën e urbanistikës, UNICEF e përfaqësues të organizatave të ndryshme që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj theksoi se u shpreh se Tirana është sot një nga qytetet që ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë, ku investimet dizenjohen që në fillim si të denja për fëmijët.
“Sot jemi në një qytet që ka ndryshuar ndjeshmërisht. Është larg nga të qenit perfekt, por ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë nga qyteti që gjetëm më përpara. Sot të kesh korsi biçikletash apo të flasësh për autobusët elektrikë, të flasësh për taksitë elektrike është komplet ndryshe nga katër vite më përpara kur ne diskutonim a do të heqim rrënojat dhe a do të mbledhim dot plehrat nga qyteti. Ndërkohë në shumë prej investimeve tona jemi përpjekur që t’i dizenjojmë që në fillim si të denja për fëmijët”, tha Veliaj, teksa e ilustroi me disa nga investimet e realizuara në këtë mandat të parë sikurse është Bulevardi i ri apo sheshi Skënderbej.
“Sot 2/3 e kalamajve duan të bëhen kryetar bashkie. Por ajo që është e rëndësishme është fakti që fëmijët kanë filluar të mendojnë që tani si funksionon pastrimi, si funksionon gjelbërimi, si funksionojnë kopshtet, shkollat, çerdhet. Jam shumë i lumtur sot që ia kemi mbërritur kësaj dite ku fëmijët janë bërë një epiqendër e jetës sonë publike dhe ashtu si në familjet tona i kemi sytë tek këta, ashtu si një familje e madhe në qytetin tonë gjithashtu i kemi kthyer sytë tek fëmijët. Në fillim fare më thoshin, more çe keni këtë fiksim te kalamajtë, kalamajtë as nuk votojnë, as nuk paguajnë taksa? Qartazi pse i kemi kaq të dhunshme politikat sot është shumë prej këtyre njerëzve kur kanë qenë fëmijë s’kanë pas fëmijëri dinjitoze dhe vijnë shumë idhnakë dhe shumë të dëshpëruar nga fëmijëria e tyre dhe vazhdojnë tërë jetën me të njëjtin hidhërim dhe me të njëjtin helm që nuk mbaron dhe është një cikël dhune që përsëritet në shoqërinë tonë. Argumenti ynë ishte vërtet fëmijët nuk paguajnë taksa dhe vërtet fëmijët nuk votojnë, por ndoshta duke investuar tani te fëmijët fillojmë për herë të parë të mos mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, por fillojmë të mendojmë pak për gjeneratën e ardhshme dhe të sigurohemi që ky cikël nuk përsëritet”, tha ai.
Përkundër zërit të një minorance që protestoi për ndërtimin e këndit të lojërave te Liqeni Artificial, shumica fitoi, dhe tashmë në të gjithë qytetin janë ndërtuar kënde të reja lojërash, që dikur ishin hapësira të zëna nga ndërtimet informale.
“Thamë do të ndërtojmë këndin më të madh të lodrave dhe askush nuk mendoi histerinë që do të pasonte. As nuk e mendoja kurrë që Presidenti i Republikës në një zonë pedonale do të vinte të protestonte me gjithë eskortën e tij me makina për të kundërshtuar këndin e lodrave dhe si u politizua një nga projektet që jo vetëm ne e kishim përzemër, por siç doli më vonë, një nga projektet më të suksesshme të qytetit që nisi një seri 44 kënde lodrash. Ajo që kemi kuptuar është që fëmijët jo vetëm mund të jenë epiqendra e mënyrës se si funksionon familja jonë, por mund të jenë epiqendra sesi na centron ne të rriturve në vlerat që mund të ketë qyteti dhe komuniteti ynë”, u shpreh ai.
Fëmijët kanë qenë në këto katër vite edhe avokatët më të mirë të qytetit, duke iu bashkuar mjaft prej iniciativave sikurse ishte edhe ajo për mbjelljen e pemëve të reja që synon të krijojë një mjedis më të këndshëm e të shëndetshëm.
“Nisma jonë për të përfshirë fëmijët në këto fushata mbjellje për ditëlindjet e tyre, për të kujtuar një gjysh ose një gjyshe ka qenë ndoshta një nga gjërat më të bukura në qytet. Një fëmi që mbjell një pemë dhe që jo vetëm metaforikisht por fizikisht vë rrënjë në qytet, nuk do të këpusë kurrë një pemë, nuk do të dhunojë kurrë një shok, nuk do të hedhë kurrë plehra dhe ajo që kemi parë është që një gjeneratë e re ky duhet të jetë ndoshta ndër të vetmet qytete në botë ku në vend që ti themi fëmijëve mësoni nga të rriturit i themi të rriturve mësoni nga fëmijët për sjelljen shembullore dhe ekzemplare që ka në qytetin tone”, deklaroi ai.
Në këto katër vite janë rikonstruktuar me dhjetëra çerdhe, kopshte në të gjithë kryeqytetin, ndërkohë që ka nisur puna për ndërtimin e shkollave të reja, të cilat do t’i japin fund një prej problemeve më të mëdha që nga vitet ’90: mësimit me dy turne.
Një nga projektet e Bashkisë së Tiranës është që brenda një kohe rekord, Piramida të transformohet nga një ngrehinë që është aktualisht, në qendrën më të madhe të inovacionit në gjithë rajonin tonë Rreth 5 mijë të rinjtë që do të frekuentojnë mjediset e transformuara të Piramidës do të kenë mundësi të ndjekin kurse të ndryshme në fushën e IT dhe të komunikacionit, sikurse është dizajni, programimi etj.
“Jam shumë i lumtur që qeveria, kryeministri, ministrja jonë e financave janë angazhuar që të bashkëfinancojnë transformimin e Piramidës jo vetëm si një shkollë alternative e teknologjisë së informacionit. Siç duam t’i japim fund tranzicionit dhe të shkojmë në zgjedhje në datë 30 qershor po kështu duam t’i japim fund edhe kësaj gërmadhe që simbolizon këtë tranzicion dhe ta transformojmë në një qendër moderne të teknologjisë së informacionit për rreth 5 mijë fëmijë ku duke luajtur mund të mësojnë dhe mund të zhvillojnë ato aftësi që në fakt shumë prej kompetitorëve të tyre në botë tashmë i kanë dhe kanë ecur përpara. Kështu që mezi pres që ne të fillojmë punën”, nënvizoi Veliaj.
Paralelisht puna pritet të vijojë në të gjitha njësitë administrative për të vijuar me serinë e parqeve, këndeve të lojërave, çerdheve, kopshteve etj. “Për të gjithë ju që jeni administratorë të njësive tona në Tiranë, shumë prej këtyre këndeve të lodrave janë krijuar nga bashkia qendrore. Mezi pres që mandatin tjetër ta merrni vetë këtë iniciative, pra vetë të mobilizoni njerëz në njësitë tuaja administrative. Sot Tirana ka 27 distrikte, 27 njësi. Secila prej tyre mund të jetë denjësisht qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë, do të thotë që jo çdo gjë mund të vijë në mandatin e dytë vetëm nga qeveria qendrore”, tha ai.
Ai shprehu besimin se ndryshimi pavarësisht një rezistence nga një minorancë, do të vijojë.
“S’ka pse ti rezistojmë ndryshimit edhe pse kemi pasur 4 vjet ndryshim konstant dhe siç e keni parë akoma kemi rezistencë për ndryshimin siç është tek teatri i ri që duam të bëjmë po siç është tek Bulevardi i Ri apo siç është tek Astiri. Ndryshimi duam apo nuk duam ne do të vijë është vetëm çështje kohe dhe është në nderin tonë të jemi autoritet dhe të jemi autor të ndryshimit që po vjen se sa ta lëmë për një gjeneratë tjetër që tha do të thotë pse nuk i morët vendimet kur ishit në vakt për ti marrë vendimet”, tha Veliaj, ndërsa premtoi se krijimi dhe rehabilitimi i hapësirave të reja do të vijojë edhe në zona të tjera të qytetit.
“Një sjellje ose një komportim ose një trajtim i qytetit varet shumë nga çfarë të rrethon. E keni vënë re që në vendet e bukura nuk hedhin njerëzit plehra a nuk janë të njëjtët njerëz që në fakt e hedhin po atë plehra dhe po atë lëkurë banane sa dalin nga ai vendi i bukur, pse shëmtia është magnet për shëmti, bukuria është magnet për hijeshi dhe një nga sfidat që kemi në mandatin tjetër është se si do të kemi më shumë hijeshi dhe më shumë hapësira publike si këto që këtë mandat e kishim pilot, por tani duhet t’i bëjmë masive në atë që quhet “large skell” në të gjithë qytetin e Tiranës”, siguroi kryebashkiaku Veliaj.
g.kosovari