Grupi Parlamentar i Partisë së Socialiste është mbledhur paraditen e sotme për të diskutuar mbi ndryshimet e reja. Pas mbledhjes, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Balla ka thënë se një ndër çështjet që është diskutuar ka qenë ndryshimi i ligjit për dekriminalizimin. Gjatë fjalës së tij për gazetarët, Balla ka deklaruar se “çdo qytetar i Shqipërisë, qoftë i majtë apo i djathtë e përshëndet faktin para se të shkosh t’i kërkosh votën për të të votuar, duhet që përpara të ju thuash se ke qenë apo jo bashkëpunëtor apo jo i Sigurimit të Shtetit”.
Taulant Balla: Ne kemi një grup pune që po punon për konsultimin, hulumtimin e eksperiencave më të mira dhe depozitimin në kohë të shkurtër nga sot të një drafti për një projektligji në ndryshimin e ligjit për dekriminalizimin. Autoriteti i Informimit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit ka hyrë në procedurë dhe uroj që të kalojë sa më shpejt në mënyrë që të heqim barrierën e fundit, që do t’i bënte dosjet tërësisht të hapura dhe askush të mos fshihej nga vlerësimet e ngritura në 1995, Komisioneve Mezini dhe Bezhani. Këto dy ndryshimet të tjera në këtë paketë sepse 2 kemi depozituar ne, 3 i ka në proces opozita dhe 2 të tjera i sjellim ne. Bëhet fjalë për 7 projektligje që kanë të njëjtin synim.Ligjbërja është një proces i vështirë. Puna për hartimin e ndryshimeve në ligjin e dekriminalizimit po vijon. Sapo t’i kemi gati do të kemi një komunikim tjetër, për të jua bërë publike.
Ajo që është e sigurtë është se historia që në këtë vend, bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit të vazhdojnë të sillen sikur nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, unë mendoj se është diçka e papranueshme. Atyre që thonë pse kaq vonë, pse duhet të prisnim 30 vjet. Të mos harrojmë se këtu bëhet fjalë për 1 Autoritet të ngritur në 2015, gjatë punës së këtij institucioni është konkluduar se ka disa pengesa që nuk kanë lejuar që të bëhet transparencë e plotë. Çdo qytetar i Shqipërisë, qoftë i majtë apo i djathtë e përshëndet faktin para se të shkosh t’i kërkosh votën për të të votuar, duhet që përpara të ju thuash se ke qenë apo jo bashkëpunëtor apo jo i Sigurimit të Shtetit.
I pyetur nga gazetarët nëse kërkesa për ndryshimet në këtë ligj është nëj presion politik para zgjedhjeve vendore, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka thënë se nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet vendore.
Taulant Balla:Nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet vendore. I vetmi impakt që kjo ka në zgjedhjet vendore është që ne të synojmë që ndryshimet në kod t’i vendosim në kohë në mënyrë që në zgjedhjet e Prillit apo Majit dhe besoj që në ditët në vijim të fiksohet dhe data e saktë e zhvillimit të zgjedhjeve, të kuptojmë në ato zgjedhje kushdo që do të kandidojë, para se të zgjidhesh duhet të deklarosh dhe pastaj nëse do të miratohen ndryshimet e tjera ato që lidhen me dekriminalizimin, nëse ke qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, nuk mund të jesh anëtar i Këshillit Bashkiak.
/a.r