Qytetarët e Tiranës janë solidarizuar mbrëmjen e sotme me studentët të cilët ndodhen përpara Kryeministrisë, pasi u skadoi afati i ultimatumit që i vendosën Qeverisë.
Studentët fillimisht u ndanë në tre pjesë pasditen e sotme, pas orës 16:00 kur mbaroi dhe ultimatumi dhe nuk morën përgjigje nga Ministrja Lindita Nikolla, një pjesë bllokoi rrethrrotullimin e ‘Zogut të Zi’, një pjesë qëndruan te Ministria e Arsimit dhe pjesa e tretë përpara Kryeministrisë.
Grupi që u vendos përpara Kryeministrisë tashmë kërkojnë që Edi Rama të japë një përgjigje për kërkesat që ata kanë, ndërsa janë shprehur se do të qëndrojnë aty deri në orët e mesnatës.
Por duke qenë se kanë qëndruar gjithë ditën në protestë dhe pa ngrënë, qytetarët e Tiranës u kanë sjellë ushqime dhe batanije veçanërisht për të kaluar orët dhe temperaturat e ulta./a.ç