Mirko Montaldo nga Sanremo erdhi si turist në Vlorë dhe tashmë bashkë me bashkëshorten po planifikojnë të zhvendosen për të jetuar në qytetin bregdetar.
“Unë jam nga zona e Ligurias në afërsi të Sanremos. Natyrisht që të jetosh në një vend tjetër ka shumë gjëra të ndryshme, por nga sa kam parë vendi këtu është mjaft mirë për të jetuar. Kam marrë informacione edhe nga italianë të tjerë që jetojnë në Vlorë dhe po shoh qytetin dhe shumë shpejt do të zhvendosem pikërisht këtu…”, tha Montaldo për Report TV.
Pas daljes në pension fillimisht mendoi të jetonte në Bullgari, por tashmë pas kontakteve me bashkatdhetarët e tij që jetojnë në Shqipëri ka vendosur të zgjedhë vendin tonë.
“Prej pak vitesh kam jetuar edhe në Bullgari. Po ka probleme pasi më duhet të lëviz në periudha të ndryshme për të shkuar në Itali. Ndërsa këtu është më ndryshe, shikoj që ka shumë shtetas italianë në Vlorë dhe padyshim që është një vend i bukur dhe klimë shumë të mire”, shprehet ai.
Numri i të huajve që kërkojnë të jetojnë në Shqipëri gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm, ndërsa në Vlorë aktualisht jetojnë mbi 600 italianë./m.j