Gjatë një analize të situatës së fundit në treg, si dhe ndikimit të zhvillimeve të konfliktit në Lindjen e Mesme, Këshilli i Ministrave ka njoftuar se do të ndërmarrë masa konkrete për stabilizimin e çmimeve në vend.
Në këtë kuadër, qeveria pritet të ngrejë Bordin e Transparencës, një mekanizëm që do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), me synim kontrollin dhe monitorimin e çmimeve të karburanteve.
Paralelisht, është vendosur edhe ndërhyrja në nivelin e akcizës. Qeveria ka bërë të ditur se kjo taksë do të reduktohet me 20%, si një masë që synon lehtësimin e barrës për qytetarët dhe reflektimin e drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve.
Por sa do të ndikojë konkretisht kjo ulje në çmimin aktual të naftës?
Aktualisht, çmimi i naftës ka arritur deri në 214 lekë për litër, ndërsa akciza llogaritet rreth 40 lekë për litër. Një ulje prej 20% e akcizës përkthehet në rreth 8 lekë më pak për litër.
Kjo do të thotë se, nëse masa reflektohet plotësisht në treg, çmimi i naftës pritet të zbresë në rreth: 206 lekë për litër, shkruan javanews.al
Megjithatë, ekspertët theksojnë se efekti real mund të jetë disi më i ulët, pasi në çmimin final ndikojnë edhe komponentë të tjerë si TVSH dhe taksat e tjera.











