Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe liderët e dy partive partnere të koalicionit të saj qeverisës ranë dakord në mbledhjen e së enjtes, për të përshpejtuar procesin e regjistrimit të refugjatëve. Po ashtu, liderët vendosën që azilantët do të qëndrojnë në shtetin e parë që ata janë regjistruar. Ndërsa, arritën marrëveshjen se nuk do të krijohen të ashtuquajturat “zona tranzit” në kufijtë e Gjermanisë.
Takimi mes partnerëve të koalicionit qeverisës vjen në mesin e disa raporteve të shtypit vendas mbi zhdukjen e një numri refugjatësh të mbërritur me valën e fundit të dyndjeve. Nuk është kjo hera e parë që ndonjë emigrant largohet pa gjurmë nga ndonjë qendër në Gjermani.
Ndërkaq, Komisioni Europian njofton se 3 milionë emigrantë pritet të hyjnë në kontinent deri në vitin 2017, ndërkohë që fluksi i tyre në ujërat e Detit Mesdhe vijon të jetë i lartë. Sipas parashikimeve të krahut ekzekutiv të BE-së, kjo valë refugjatësh do të rrisë popullsinë e bllokut me 0.4%, e po ashtu fluksi do të ketë ndikim ndonëse të vogël, në rritjen e ekonomisë, me 0.2-0.3% të GDP-së.