Nuk ka mbështetje në Kushtetutë vazhdimi i mandatit të EULEX-it, që Qeveria mëton ta bëjë nëpërmjet një ligji të veçantë, shkruan Koha Ditore.
Ky mision evropian mund t’i ushtrojë kompetencat vetëm mbi bazën e marrëveshjes ndërkombëtare.
Kushtetuta flet në nenin 20 për bartjen e sovranitetit. Në paragrafin e parë të këtij neni precizohet se “Republika e Kosovës, në bazë të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare, për çështje të caktuara mund t’iu kalojë kompetenca shtetërore organizatave ndërkombëtare”.
Prej 2008-s e deri tash, për çdo dy vjet, vazhdimi i mandatit të EULEX-it është bërë nëpërmjet letrave të shkëmbyera midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të cilat janë konsideruar si instrumente të marrëveshjes ndërkombëtare dhe secilën herë janë ratifikuar me votën për, të së paku dy të tretave të ligjvënësve kosovarë. (b.an)