Marash Dukaj, ministër i administratës publike në Malin e zi, ishte këtë të shtunë i ftuar në Euronews Albania për të komentuar marrëveshjen e koalicionit për formimin e qeverisë së re.
Dokumenti është nënshkruar edhe nga krerët e tre partive që përbëjnë Forumin Shqiptar, Nik Gjeloshaj, Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha, si dhe dy që janë në koalicionin Aleanca Shqiptare, Fatmir Xheka dhe Genci Nimanbegu. Forumi Shqiptar do të ketë një post nënkryetar dhe një ministri.
Marash Dukaj tha se kjo është një fitore e madhe për të gjithë shqiptarët, ndërsa shtoi se nëse nuk do të respektohen të gjitha pikat e marrëveshjes, atëherë do të kthehen në opozitë.
“Unë do ta quaja një fitore të jashtëzakonshme të forumit shqiptar. Është një arritje që u bindën serbët të nënshkruajnë në një marrëveshje në pikat e së cilës u përmendën katër shtyllat kryesore që ne si forum shqiptar kemi insistuar që nga fillimi që të jenë pjesë e kësaj marrëveshje. Unë shpresoj që kjo marrëveshje të respektohet, pasi nëse shkelen pikat e kësaj marrëveshje, ne do të jemi kundërshtarët më të mëdhenj të kësaj qeverie”,-tha Marash Dukaj.