Ata që predikojnë ide që janë në kundërshtim me kushtetutën e Danimarkës mund të humbin shtetësinë e tyre, nëse propozimet e paraqitura nga një parti kundër emigracionit adoptohen nga qeveria e vendit.
The Local ka raportuar se Partia Popullore Daneze (DPP) – e cila aktualisht është e dyta për nga numri i vendeve në parlamentin shumëpartiak të Danimarkës – ka paraqitur planet në përpjekje për të dëbuar imamin e zëshëm Abu Bilal Ismail, shkruan Gazeta Express.
Ismail, imam në xhaminë Grimhoj në qytetin e Arhusit, ka bërë thirrje për zhdukjen e hebrenjve – ndërsa një dokumentar së fundmi ka shfaqur atë duke mbështetur vrasjen me goditje me gurë të jobesimtarëve dhe të femrave që kryejnë tradhti bashkëshortore.
Legjislacioni i propozuar mund të zgjerojë limitet e kushtetutës daneze për të kufizuar lirinë fetare në raste ekstreme.
Propozimet thuhet të jenë mbështetur nga Socialdemokratët, grupi më i madh i koalicionit, nga Partia Konservatore dhe Partia Liberale, duke siguruar praktikisht një shumicë për projektligjin në parlamentin e Danimarkës, citohet “Gazeta Express”.