Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka vendosur të shtyjë më 2 dhjetor shqyrtimin për të caktuar kalimin në seancë të padisë së kryeministrit Edi Rama për masën e pezullimit të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Arsyet e kësaj shtyrje i ka njoftuar vetë Gjykata Kushtetuese.
Gjykata, nisur nga interesi mediatik për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, bën me dije si vijon:
Në datën 21.11.2025, në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur kërkesa me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.“.
Kjo çështje për shkak të interesit publik që paraqet është konsideruar nga Gjykata për t’u shqyrtuar me përparësi, sipas praktikës së ndjekur në raste të ngjashme.
Kërkesa është regjistruar me numër 30 (K) 2025 të Regjistrit Themeltar në datën 21.11.2025, ora 14.00. Me shortin e po kësaj date, ora 15.00, për shqyrtimin paraprak të kësaj çështjeje është caktuar Kolegji me përbërje gjyqtarët: Holta Zaçaj, kryetare dhe anëtarë Sonila Bejtja dhe Sandër Beci (relator). Paralelisht me këto veprime, Njësia e Shërbimit Ligjor u ngarkua me përgatitjen e akteve paraprake për shqyrtimin e çështjes dhe i ka shpërndarë ato për njohje anëtarëve të kolegjit, i cili kishte planifikuar për të diskutuar këtë çështje në datën 27.11.2025.
Në datën 25.11.2025, ora 10.00, Presidenti i Republikës ka organizuar ceremoninë e betimit të gjyqtarit Asim Vokshi, i cili ka zëvendësuar gjyqtaren Holta Zaçaj që ka përfunduar mandatin e saj.
Në këto kushte, në datën 25.11.2025, Kolegji i caktuar për shqyrtimin e çështjes mbeti i paplotë në përbërje të tij. Të nesërmen, më 26.11.2025, ora 11.00, Mbledhja e Gjyqtarëve ka vendosur plotësimin e kolegjit me gjyqtaren Marsida Xhaferllari. Kolegji u mblodh ditën e sotme sipas planifikimit. Me kërkesë të gjyqtares Marsida Xhaferllari, e cila kishte marrë njoftim për aktet pasditen e datës 26.11.2025 dhe në përputhje me nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore, i cili parashikon se gjyqtarët duhet të kenë në dispozicion kërkesën dhe aktet e kërkesës të paktën dy ditë përpara mbledhjes së Kolegjit, u caktua që shqyrtimi i çështjes do të bëhet nga Kolegji ditën e parë të punës, pas festave zyrtare të nëntorit, konkretisht në datën 02.12.2025. Vendimmarrja e Kolegjit do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese”, thekson Kushtetuesja.
Në këtë mbledhje. 3-shja e gjyqtarëve kushtetues, verifikon kriteret e padisë, nëse përmbushen apo jo, për ta çuar çështjen në Mbledhje Gjyqtarësh në vijim.
Mes 3-shes së gjyqtarëve është dhe Sandër Beci, që është caktuar relator i padisë së kryeministrit për rastin Balluku dhe përgatit dokumentacionin për trupën e gjyqtarëve.
Sipas burimeve të ABC News, seanca më e shpejtë pritet të zhvillohet në datën 2 dhjetor, të martën e javës së ardhshme.
Në këtë mbledhje, gjyqtarët duhet të shprehen mbi kërkesën e kryeministrit për të hequr masën e pezullimit ndaj zv.kryeministres Balluku, e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sikundër dhe në kërkesën dorëzuar Kushtetuese, qeveria ka argumentuar se kjo masë ndaj Ballukut pengon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Pas Ramës dhe vetëm zëvëndëskryeministri që mund të nënshkruaj aktet që miratohen në Këshillin e Ministrave, në mungesë të kryeministrit.
Në padi gjithashtu theksohet se Gjykata e Posaçme ka ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit, duke penguar punën e një anëtari të Këshillit të Ministrave që gëzon imunitet njësoj si deputeti.
Kryeministri e ka cilësuar vendimin e GJKKO për Ballukun anti-kushtetues pasi cenon garancinë e imunitetit të Këshillit të Ministrave, cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe pengon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, si dhe ndërhyn në kompetencat e organeve kushtetuese që kryejnë propozimin emërimin dhe miratimin e ministrit në detyrë.
Mbi bazën e këtyre argumenteve, qeveria kërkon prej Gjykatës Kushtetuese që të shfuqizojë masën e Gjykatës së Posaçme mbi zv.kryeministren.











