Nga Mero Baze
Pas seancës në Gjykatën Administrative mbi ligjshmërinë e procedurës së emërimit të Olsi Dados si prokuror, dhe fakteve që u deklaruan duke e vënë në pozitë të vështirë atë, ka një humbje qetësie prej prokurorit në fjalë duke ndërmarrë veprime që dëshmojnë humbjen e integritetit të prokurorit dhe përndjekjen ndaj një të dyshuari duke përdorur postin e prokurorit. Konkretisht, menjëherë pas seancës në Gjykatën Administrative, Olsi Dado ka urdhëruar kontroll në qelinë e Veliajt për telefon.
Nuk është ndonjë problem se këtë mund ta kërkojë për çdo të burgosur, por përpjekja për t’u marrë personalisht, madje dhe emocionalisht, me një të dyshuar të cilin ai e mbulon si prokuror tregon shumë dhe vetë arsyet përse një njeri që nuk përmbush standardet profesionale nuk duhet emëruar prokuror. Pas kësaj ka kërkuar dhe gjithë listën e vizitorëve që ka takuar Veliaj me shpresë se dhe aty mund të gjente ndonjë shkelje.
Nuk ka mjaftuar me këtë, por ka kërkuar të hetohet dhe vizita e tij tek dentisti duke kërkuar grafitë e dhëmbëve të prishur, duke marrë përsipër me këtë rast dhe rolin e mjekut stomatolog.
Pasi nuk ka gjetur gjë këtu, ka filluar një fushatë mediatike me portalet që ka nën kontroll. Portalet e tij kanë filluar botimin “copy-paste” të prapësimeve që prokurori ka bërë për Veliajn në Gjykatën Kushtetuese.
Prapësimet nuk janë bërë të njohura ende as nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që botohen nëpër portalet e kontrolluara nga prokurori.
E gjithë kjo tregon një situatë emocionale të pafrenuar nga prokurori i çështjes, i cili do t’i tregojë të akuzuarit se ai do të përdorë çdo mjet që ka në dorë kundër tij. Madje t’u rrijë rëndë dhe në kafenetë e GJKKO-së dhe gjyqtarëve të çështjes, që duhet ta kuptojnë se duhet të bëjnë atë që kërkon ai.
Kjo nuk është një gjë që dëmton Erion Veliajn. Ka qenë dhe situatë më e keqe për të më parë. Por kjo është një situatë që provon se ndaj tij ka jo vetëm një proces të kurdisur, me shumë gjasa nga vetë prokurori, i cili është dhe kallëzues dhe hetues i çështjes. Dhe ky fenomen dëmton autoritetin e Prokurorisë Speciale, e cila duhet të jetë e ftohtë dhe profesionale në hetimin sidomos të zyrtarëve të lartë, që të mos marrë as ngarkesa politike dhe as personale.
E drejta e Erion Veliajt që të hetojë mënyrën se si Olsi Dado është bërë prokuror, është një e drejtë legjitime, dhe për të do të mjaftonte vetëm dyshimi që ky person është dhe Nesti Angoni dhe Olsi Dado. Por edhe sikur të mos ekzistonte ai dyshim, do të mjaftonte sjellja e tij joprofesionale në gjithë këtë proces që ai të hetohet për paligjshmërinë e procedurës së emërimit si prokuror.
Humbja e qetësisë së tij pas gjyqit në Administrative është një sinjal se këtë brutalitet që po ushtron ndaj kallëzuesit mund ta ushtrojë dhe ndaj gjykatësit në fjalë për të mbyllur çështjen dhe për të mos e çuar për gjykim, dhe kjo do të jetë një tjetër farsë e drejtësisë së re, e cila standardet me të cilat heton të tjerët nuk i pranon për veten e saj të hetohet.
Nuk ka asgjë shqetësuese për betejën gjyqësore të Veliajt pse Dado urdhëron kontrolle në qeli, pse heton listat e vizitorëve apo pse shpërndan prapësimet e tij në portalet që kontrollon vetë, për të organizuar fushatë propagandistike kundër tij, por nga ana tjetër tremb një gjyqtare duke i përmendur “videot e Gysit” dhe mbyll për 10 minuta një gjyq ku akuzon Veliajn se ka marrë avokatë në SHBA kundër tij.
Kjo e gjitha thjesht banalizon standardet e drejtësisë së re, dhe i jep të drejtë akuzave për motive politike dhe dyshimeve për aftësitë profesionale të tij.
Përndjekja e një të akuzuari personalisht nga prokurori, dhe qëndrimi emocional ndaj tij, janë si ajo uthulla e fortë që prish enën e vet. Pala tjetër nuk ka ç’të humbasë brenda në qeli, pasi dënimi me vdekje është hequr. Të tjerat kanë shanse t’i provojnë të gjithë. Sidomos kur janë kaq larg standardeve të profesionit dhe kaq afër shkeljes sue ligjit nga vet ata.











