Ish-kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, shok i ngushtë me Gerard Pique, mendon se do të ishte mirë për të dyja skuadrat nëse ai dhe Alvaro Arbeloa i Real Madridit do t’i linin kunjat kundër njëri-tjetrit në rrjetet sociale.
Të dy lojtarët e kombëtares spanjolle prej kohësh janë përfshirë në një betejë opionionesh në Twitter sa herë që kundërshtari nuk arrin rezultate të mira.
“Mendoj se është më mirë për të dy që të mos e vazhdojnë më këtë lojo, sepse ka shumë fëmijë që i ndjekin”, tha Puyol.
Ish-mbrojtësi, i cili është mik edhe me trajnerin e tanishëm të Barcelonës, Luis Enrique, flet edhe për periudhën e keqe të skuadrës së tij.
“Është skuadër e madhe dhe ka kaluar një sezon të madh. Janë në një periudhë të vështirë tani, por përsëri mund të fitojnë titullin dhe Kupën. Do të ishte sezon i madh nëse përfundon kështu. Shumë skuadra do të donin të ishin në këtë situatë”, thotë Puyol.