“Në ‘mbledhjen e madhe’ në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky dhe europianët më në fund arritën të ‘hedhin sheqer pluhur’ në rezervuarin e procesit negociator të suksesshëm të nisur në Alaskë”. Mikhail Rostovskij, analist politik i Moskovskij Komsomolets, gëzon reputacion të madh për faktin se ka qenë ish-koleg i Vladimir Putinit dhe mik personal i tij, ndaj është në gjendje të interpretojë më së miri humorin dhe linjën e Kremlinit. Dhe nëse ai pranon se gjërat nuk kanë shkuar siç ishte parashikuar apo shpresuar, ndoshta do të thotë se këtë e mendon edhe dikush tjetër, më i rëndësishëm. “Trump është bindur të fusë një pykë midis vetes dhe Putinit. Nën marrëveshjen e Anchorage është vendosur një bombë e fuqishme politike. Mendoj se ky është interpretimi më bindës i asaj që ka ndodhur nga ato që kemi në dispozicion.”
Dilema
Tani ka të paktën një dilemë për t’u përballur. Takimi i mundshëm i presidentit rus me Volodymyr Zelensky paraqet shumë kurthe, aq sa shumë vëzhgues do të preferonin të refuzonin këtë rrugë të hartuar nga Donald Trump, me të gjitha pasojat që mund të pasonin. Kundërpropozimi për të ftuar presidentin ukrainas në Moskë është dukur më shumë si një provokim i diktuar nga inati, sesa nga diplomacia.
Siç pritej, Sergey Lavrov, ministri më jetëgjatë i Putinit, në krye të Punëve të Jashtme që nga viti 2004, kur loja u bë më e ashpër, u rikthye në ekipin e negociatave. “Një marrëveshje paqeje me Ukrainën duhet të garantojë respektimin e interesave të sigurisë së Rusisë”, tha të martën. Dhe për mundësinë e një takimi të shpejtë mes dy armiqve të betuar, nuk tha jo, por u duk mjaft i ftohtë. “Ne nuk kërkojmë një ngjarje që të përdoret që të nesërmen për thashetheme në rrjete sociale në përpjekje për të shijuar ‘kremin propagandistik’, por duam të ecim hap pas hapi, gradualisht, duke filluar nga niveli i ekspertëve dhe duke ndërmarrë pastaj të gjithë hapat e nevojshëm. Çdo kontakt që përfshin liderët duhet të përgatitet me shumë kujdes.”
Duke lexuar editorialin e Ria Novosti, agjenci shtetërore dhe zë gjysmëzyrtar i pushtetit, mundësitë për një kontakt të drejtpërdrejtë mes Putinit dhe njeriut që gjatë katër viteve të fundit është portretizuar si e keqja absolute, nuk duken të afërta.
Ftohtësia
Pasi kujtoi kujdesin e këshilltarit Yuri Ushakov, ‘liderët kanë diskutuar idenë për të vlerësuar mundësinë e rritjes së nivelit të përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës në negociata’, artikulli nxjerr përfundimet. ‘Është e qartë se nuk ka konsensus për një samit të shpejtë. Ky takim duhet të përfundojë me marrëveshje, dhe jo thjesht për një armëpushim të përkohshëm, por mbi kushtet thelbësore të një traktati paqeje. (…) Megjithatë, duke gjykuar nga deklaratat e Zelensky-t dhe të liderëve europianë, pozicionet e tyre nuk kanë pësuar asnjë ndryshim. Në mungesë të një vendimi mbi çështjen territoriale, presidenti i Rusisë nuk takohet me Zelensky-n.’”
Frika nga kurthi
Linja e komentuesve zyrtarë është e njëjtë me atë të ‘patriotëve në front’ dhe ultranacionalistëve, ndryshojnë vetëm tonet. Shumë mosbesim, ndjesi se po përgatitet një kurth.
Rusia do të preferonte një takim tre palësh, me Trump-in si balancues. Por vetëm për të vendosur vulën mbi një negociatë tashmë të përfunduar. ‘Si Kievi, ashtu edhe Europa, po promovojnë një Minsk-3 konvencional,’ shkruan blogeri i luftës Yuri Podolyaka për miliona lexuesit e tij, ‘pra një tjetër ngrirje të luftës, gjë që ne, sigurisht, nuk do ta pranojmë. Rezultati i një vendimi të tillë, është i lehtë të parashikohet: lufta do të vazhdojë.’
Nuk është rastësi që mendimi i Aleksandr Dugin-it u pasqyrua menjëherë nga faqja Tsargrad, strehë zyrtare e nostalgjikëve të Rusisë perandorake. ‘Nëse zhvillohen, bisedimet midis Putinit dhe Zelensky-t do ta bëjnë këtë të fundit një figurë legjitime. Por ne, këto vite, jemi përpjekur të mbështesim idenë se ai nuk është personi i duhur për të folur. Do të ishte e paqëndrueshme.’











