Putin ka thënë se Moska është e gatshme për bisedime me SHBA-në dhe NATO-n për kufizimet për vendosjen e raketave dhe transparencën ushtarake.
Duke folur pas bisedimeve me Scholz, Putin tha se SHBA-ja dhe NATO-ja hodhën poshtë kërkesën e Moskës për të mbajtur Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike jashtë NATO-s, për të ndaluar vendosjen e armëve pranë kufijve rusë dhe për të rikthyer forcat e aleancës nga Evropa Lindore.
Putin tha se Rusia është e gatshme të angazhohet në bisedime për kufizimet e vendosjes së raketave me rreze të mesme veprimi në Evropë, transparencën e stërvitjeve dhe masat e tjera të ndërtimit të besimit, por theksoi nevojën që Perëndimi t’i kushtojë vëmendje kërkesave kryesore të Rusisë.
Lidhur me gazsjellësin Nord Stream 2, i cili është në pritje të miratimit rregullator, Putin tha se është një projekt thjesht komercial që do të forcojë sigurinë energjetike të Evropës. Putin përsëriti gjithashtu se Rusia është e gatshme të vazhdojë eksportet e gazit në Evropë përmes Ukrainës pas vitit 2024, kur skadon marrëveshja aktuale e tranzitit.
Putin ka thënë se është i gatshëm të vazhdojë të punojë me Perëndimin për çështjet e sigurisë për të de-përshkallëzuar tensionet rreth Ukrainës.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë më tej së bashku. Ne jemi gati të shkojmë në rrugën e negociatave”, tha Putin në një konferencë për shtyp pas bisedimeve me Scholz në Moskë.
Ai tha se Rusia është e përgatitur të vazhdojë dialogun për raketat dhe çështje të tjera të sigurisë me Perëndimin.
Nga ana tjetër Scholz ka thënë se është dakord me vlerësimin e Rusisë se ka ende një shans për të shmangur luftën mbi Ukrainën përmes negociatave diplomatike.
“Unë pajtohem shprehimisht se opsionet diplomatike nuk janë të shteruara. Duhet të jetë e mundur të gjendet një zgjidhje.
Pavarësisht se sa e vështirë dhe serioze duket të jetë situata, unë refuzoj të them se është e pashpresë.”
Scholz ka mirëpritur njoftimin e Rusisë se disa trupa të vendosura pranë Ukrainës do të tërhiqen si një “shenjë e mirë” drejt zbutjes së tensioneve.
“Që ne po dëgjojmë tani se disa trupa po tërhiqen është në çdo rast një shenjë e mirë. Shpresojmë që të vijojnë më shumë.”/m.j