• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, April 3, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Pushteti përballë autoritarizmit

by Ben Andoni
10/04/2024 19:08
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Ben Andoni

Pushtetarët dhe përcaktimi autoritarizëm është gjithnjë e më i hapur në hapësirën politike gjeografike evropiane. Por, neve, na intereson hapësira jonë dhe për fat të keq, Ballkani shikon gjithnjë e më shumë elementë autoritaristë në personazhet politike, që drejtojnë vendet tona. E gjen këtë karakter tek kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, respektivisht Rama dhe Kurti; e kishte të spikatur Gruevski në Maqedoninë e Veriut; Gjukanoviq në Malin e Zi sillej si i plotfuqishëm edhe pse i tillë ishte; nuk ‘flitet’ më për autoritarizmin e Vuçiq në Serbi, sepse ai, sot, është kthyer në makth për të gjithë BE-në dhe më gjerë, për Bosnjën është e frikshme ajo që po bën separatisti Dodik dhe lista vazhdon edhe më tej. Por, pse vallë nuk bën aq përshtypje?! Ngatërrimi i termave i bën vetë pushtetarët të rrëshqasin në argumente pushteti dhe drejtësie autoriteti. Në literaturë, në fushat e sociologjisë dhe shkencave politike, autoriteti është fuqia legjitime e një personi ose grupi mbi njerëzit e tjerë. Kjo e ka një justifikim: ata dinë të fitojnë, kurdoherë. Kurti fitoi dy herë rresht në Kosovë dhe madje po i sfidon me cinizëm opozitarët e vet t’u bashkohet në mocionin e zgjedhjeve të parakohshme; Rama thotë se do të rri në pushtet dhe do të iki kur të dojë vetë; Orban sfidon hapur dhe fiton ‘normalisht’ zgjedhjet në Hungari; Vuçiq nuk u trand edhe këtë herë që u çua e gjithë Serbia kundër tij…

Ku është demokracia e shekullit XXI dhe pse mekanizmat e saj nuk i ndalojnë dot pushtetarët, që kalcifikohen në drejtim? Pse po bëhen kaq shumë? Teoria nuk na ndihmon, por na jep një mal me terma, që njerëzit i kanë provuar ndër shekuj si pushtete mbi vete. Të kundërtat e Demokracisë janë Tirania, Despotizmi, Diktatura, Absolutizmi, Autokracia, Totalitarizmi dhe Autoritarizmi. Dy termat e fundit janë krijuar në kohët moderne, Diktatura është përcaktim romak, Tirania dhe Despotizmi janë përcaktime që vinë nga kultura e madhe greke e kështu me radhë. Në këtë shkrim, neve na intereson Autoritarizmi, i cili konsiderohet identifikim i legjitimitetit politik, sipas të cilit drejtuesi ushtron pushtetin e qeverisë, kurse fuqia e pushtetit identifikon aftësinë për një qëllim të autorizuar me të gjitha mënyrat për ekzekutimin e pushtetit. Në këtë rast, mënyra sesi veprojnë pushtetarët tanë është e pakrahasueshme. Pakkush e dinte planin Rama-Meloni, paçka se tashmë është i mbrojtur nga kalimi në të gjithë instrumentet e shtetit. Pakkush dinte për planin e Sazanit. Pakkush dinte apo di sot nga njerëzit e tij për lëvizjet që bën apo do të bëjë në partinë e tij, kryeministri shqiptar. Pezulli që mbretëronte në mbledhjet e asambleve socialiste, ku njerëzit e PS-së merrnin vesh shkarkimin apo emërimin e tyre janë disa nga këto ndjesi. “Por, nuk ka as edhe një njeri të vetëm, që të përballë aftësinë e tij të spikatur në komunikim (!!!)”, thoshte me emfazë sekretari i përgjithshëm i PS-së. Ku e shihni autokracinë? Është gati si një refren tashmë mes ithtarësh të kryeministrit shqiptar. “Fakti që një shtet gëzon legjitimitet demokratik nuk është në vetvete arsye e mjaftueshme për të përjashtuar ushtrimin prej tij të një pushteti absolut”, u citojmë Giovanni Sartorin, një nga studiuesit më të njohur të demokracisë. Dhe, rasti i Shqipërisë këtë e tregon hapur, sepse të gjithë pushtetet varen prej kryeministrit. Në fakt, një atribut, që nuk është se e ka marrë vetëm falë dobësisë së demokracisë dhe marrjes pak e nga pak të gjithë pushteteve, por edhe falë blatimit, që i dha në momentin e saj më të keq (2008), dikur maxhoranca (sot opozita e shpartalluar në Shqipëri) e PD-së me zotin Berisha, që sot po vuan pjesën e mbetur në pushtetin e tij autoritar.

Duhet të kemi kujdes, ose të mbajnë në vëmendje atë që Sartori e cilëson ndryshim që vjen nga prapashtesa e termave. Nuk është njësoj Autoriteti me Autoritarizmin. Kjo e fundit vërtetë vjen nga fjala Autoritet dhe dikur lidhej me Fashizmin dhe Nazizmin, por ishte pikërisht disfata e tyre, që e bëri Autoritarizmin të konsiderohej si i kundërt i lirisë së demokracisë. Me Autoritarizëm, sot dhe më shumë, ne kuptojmë abuzimin dhe mbi të gjitha teprimin me autoritetin që shtyp lirinë. Shikoni gjuhën e përdorur nga politikanët, kur janë në pushtet për të kuptuar sesi është shndërruar në konceptet moderne Autoritarizmi. Veç Ramës, kjo gjuhë tashmë është familjare edhe për ministrat e tij. Për romakët, nga ku rrjedh ky term, teoricienët e lidhin si term me dinjitetin. Dhe, koncepti i dinjitetit, ai që po shkatërrohet në shoqëritë tona të sotme, lidhet me idenë e meritës dhe respektin e sjellë prej saj, shtjellon në një analizë të tij Sartori. Me pak fjalë, “autoriteti”, si do të donin dhe ëndërrojnë njerëzit, është ai që lidhet me “një pushtet të pranuar, të respektuar, të njohur dhe legjitim”, referuar një studimi terminologjik të vitit 1955 prej UNESCO-s.

Ndërsa, termi sot, referuar Sartorit është i masakruar teorikisht prej studiuesve, ne shtojmë faktin se në terren për këtë kanë kontribuar jo pak edhe politikanët. Në emër të autoritetit, tashmë vendoset mbi meritën. Ose më ndryshe të shikohet si ka evoluar realisht, ky term që në fakt duket se ka një paqartësi mes përcaktimit të pushtetit dhe autoritetit, duke ia lënë fajin dukshëm familjes së përkthyesve (Sartori, 1987). Në fakt edhe pa u marrë më këtë diskutim, e kemi parë dukshëm autoritarizmin tonë: Shikoni emërimet në qeveri, rekrutimet e ndryshme, por më shumë korrupsionin dhe kupton se cilët e krijojnë atë, falë këtij lloj drejtimi.

Pushteti në fakt lidhet me urdhrin, komandimin dhe imponimin ose më thjeshtë me faktin që me pushtet nënkuptohet që t’u imponohesh të tjerëve të bëjnë diçka ose “monopoli i përdorimit të ligjshëm të forcës”, referuar Weber. Në fakt, pushteti është një akt force që mbështetet në ndëshkimet, një autoritet nga sipër-poshtë, kurse autoriteti është një “pushtet prestigji” dhe ndryshimi i pushtetit me autoritetin, referuar Sartorit është ndryshim midis mënyrave të papëlqyeshme dhe mënyrave të dëshirueshme të kontrollit.

Po pse atëherë na shqetëson autoritarizmi i Ramës dhe i të tjerëve?! Pasi teorikisht bëhet një dallim i autoritetit autoritar dhe autoritetit me autoritet, ku i pari konsiderohet armik i lirisë. Ballafaqimi i tij arrogant me median, jo pak herë me gjyqësorin, vetë legjislativin dhe mënyrën sesi përball kërkesat e vazhdueshme për interpelancë tregon se marrëdhënia e tij demokratike po kalon në nivele problematike, falë autoritetit autoritar të pakufishëm të tij.

Autoriteti është një “pushtet prestigji”, nga ku merr legjitimitetin për të drejtuar dhe ku na thuhet se Shqipëria ka demokraci të mirë, po për fatin e keq, në Indeksin e Demokracisë 2023 Shqipëria vazhdon e renditet si një “demokraci me të meta”.  Më shumë se çdo gjë tjetër, problemi i liderëve të tillë, po shkakton probleme për shëndoshjen e demokracisë në vendet tona. ”Unë mendoj se ajo që po shohim është tipike për autoritarët e rinj, që sot vijnë në pushtet me zgjedhje. Ata shfrytëzojnë boshllëqet ligjore, dobësitë në sistemet rregullatore dhe sistemet ligjore, për të konsoliduar pushtetin e tyre. Parregullsitë zgjedhore janë një tipar i autoritaristëve sot, pasi ata nuk mund t’i zhdukin zgjedhjet si procedurë. Ky është një ndryshim me shekullin XX. Pra, nëse u duhet të mbajnë zgjedhjet, ata janë të sigurt se do t’i manipulojnë ato”, i përgjigjej në një intervistë historiania Ruth Ben-Ghiat revistës “TIME” për tendencat e sotme të autoritarizmit. Dhe, Shqipëria duhet të jetë e kujdesshme. (Homo Albanicus)

 

Next Post
‘Dezinformimi’, të enjten në Kuvend/ Deputeti i PS: Jemi të vonuar për të ndaluar shpifjen

'Dezinformimi', të enjten në Kuvend/ Deputeti i PS: Jemi të vonuar për të ndaluar shpifjen

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Plagosën me thikë 33-vjeçarin në Gjirokastër, arrestohen 2 persona, një tjetër në kërkim

Abuzoi seksualisht me të miturin! Në kërkim 17-vjeçari, dyshohet se është larguar në Greqi

April 2, 2026
“Oficerë sigurie edhe në shkollat 9-vjeçare”/ Zv.ministrja e Brendshme: Rojet do kalojnë në “vetting”

Braçe kandidat për Tiranën? Deputetja e PS: Jam kurioze të shoh platformat

April 2, 2026
Spahiu: Shqipëria s’ka as zjarrfikëse apo shkallë emergjence në rast sulmesh terroriste…

Spahiu: Shqipëria s’ka as zjarrfikëse apo shkallë emergjence në rast sulmesh terroriste…

April 2, 2026
“Partia forcohet duke u hapur”, mesazhi i Braçes pas mbledhjes së PS në Njësinë 5

Braçe: Nuk e kam në plan të jem pasardhësi i Ramës

April 2, 2026
“Rama e mori nga rruga”, Zogaj debaton me Gjinishin për Spiropalin: Është politikane karriere

“Rama e mori nga rruga”, Zogaj debaton me Gjinishin për Spiropalin: Është politikane karriere

April 2, 2026
“Paralajmërimi i SHBA nuk është rutinë!”, Hoxha: Ja lidhjet e forta Iran-Shqipëri në trafikun e heroinës

“Paralajmërimi i SHBA nuk është rutinë!”, Hoxha: Ja lidhjet e forta Iran-Shqipëri në trafikun e heroinës

April 2, 2026
Mbi 100 ekspertë: Sulmet amerikane ndaj Iranit shkelin Kartën e OKB dhe mund të jenë krime lufte

Mbi 100 ekspertë: Sulmet amerikane ndaj Iranit shkelin Kartën e OKB dhe mund të jenë krime lufte

April 2, 2026
Qeveria e re e Kosovës merr votëbesimin në Kuvend, Albin Kurti betohet kryeministër për të tretën herë

Kosovë, kuvendi zhbllokon 121 mln euro, deputetët votojnë marrëveshjet për energjinë dhe rrugët pas krizës në Parlament

April 2, 2026
Pse po shkruaj për Ilir Metën

“S’ka celula iraniane në Shqipëri”, Haxhiu: Deklarata e ambasadës amerikane, e tepruar!

April 2, 2026
Goditet me raketë baza e forcave paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor

Goditet me raketë baza e forcave paqeruajtëse të OKB-së në Libanin jugor

April 2, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In