• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 5, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Pushteti ende përpiqet të “shtetëzojë” shpirtrat: jo konformistët, por rebelët

by S T
26/09/2025 19:00
04.09.2025., Zagreb, Hrvatska_Arian Leka, Željka Somun, Korana Svilar
Foto: Anto Magzan

04.09.2025., Zagreb, Hrvatska_Arian Leka, Željka Somun, Korana Svilar Foto: Anto Magzan

Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

 Intervistë e shkrimtarit shqiptar Arian Leka për “Express” në Kroaci. Raporti i autorit me lirinë, të shkuarën komuniste dhe nostalgjinë. Çfarë ka ndryshuar në ditët tona dhe si shikohet sot paradoksi i ndryshimeve..,

Express, 12 Shtator 2025

 Intervistoi: DARKO VLAHOVIĆ

 STALINI DHE TITO DEBATUAN SI ATA AKTORËT QË NUK DUAN TË NDAJNË SKENËN, NDËRSA ENVER HOXHA, I BINDUR SE ALEANCA ËSHTË ÇËSHTJE BESNIKËRIE, ZGJODHI MOSKËN. QYSH ATËHERË, JUGOSLLAVIA MBETEJ ARMIKU! KOHËT E FUNDIT U BOTUA NË GJUHËN KROATE LIBRI I TIJ ME ESE “ANA E FSHEHUR E KOPSHTIT SOCIALIST SHQIPTAR”.

Shqipëria ka ndryshuar. Sot, vërtetë ka shumë më shumë liri fjale, por jo gjithmonë dëgjim të fjalë, na rrëfen autori. Shkrimtari, poeti dhe studiuesi i shquar shqiptar, Arian Leka, lindi në vitin 1966 në qytetin e Durrësit. Edhe pse është mbajtës i shumë çmimeve kombëtare letrare, ai është veçanërisht i respektuar edhe për themelimin e POETEKA-s, një platformë e gjerë kulturore, e cila përmbledh një festival letrar, një revistë dhe rezidencë për shkrimtarët. Me një doktoraturë në studimet albanologjike, Leka, sot, jep leksione në Universitetin e Arteve në Tiranë. Veprat e tij letrare, shpesh janë të mbushura me temat e detit, izolimit, kufizimeve, kujtesës dhe historisë dhe janë përkthyer në shumë gjuhë, të përfshira si në koleksione por edhe antologji të shumta. Ai gjithashtu ka shkruar një numër artikujsh shkencorë dhe monografish mbi letërsinë avangardë të modernizmit dhe Socrealizmit (Realizimit Socialist) në Shqipëri. Kohët e fundit, libri i tij me ese “Ana e fshehur e kopshtit socialist shqiptar” u botua në kroatisht prej “Frakturës” dhe u përkthye nga Željka Somun. Në fillim të shtatorit, Leka ishte i ftuar në Zagreb në Festivalin e Letërsisë Botërore (FSK) dhe, me atë rast, me shumë respekt e pranoi intervistën për Bestbook.

_Arian Leka, Željka Somun, Korana Svilar
Foto: Anto Magzan

Express: LIBRI JUAJ ME ESE ‘ANA E FSHEHUR E KOPSHTIT SOCIALIST SHQIPTAR’ U BOTUA PËR HERË TË PARË NË VITIN 2018 NË NJË BOTË QË ISHTE KREJTËSISHT E NDRYSHME NGA AJO E SOTMJA…

“Në fakt, libri u shkrua në vitin 2015 – para sulmeve terroriste që ndodhën në Paris, shumë kohë para Brexit, kohët para pandemisë së Covid-19 dhe madje disa vite para luftës në Ukrainë. Ne jemi sërish ata që jemi… e megjithatë nuk jemi të njëjtët. Ndërsa libri është. Që atëherë, unë kam udhëtuar, jam botuar dhe përkthyer, së fundmi madje edhe në Kroaci. Unë nuk kam përfshirë në të asnjë sekret të errët dhe të panjohur në mënyrë që ta intrigoja sipërfaqësisht lexuesin evropian. Tek e fundit, çfarë lloji mund të ishte ky ‘sekret i madh’ që mund të lidhej me socializmin shqiptar, i cili i përkiste stereotipit të Lindjes komuniste dhe ishte depo e klisheve të tij? Doja të hidhja dritë drejt cepit të harruar të një dhome të errët që duket edhe më e çuditshme tani, pasi shoqëria e sotme riciklohet si të ishte mall”.

A ka ndryshuar Shqipëria?

Express: SA KA NDRYSHUAR QYSH ATËHERË SHQIPËRIA? A JANË AKTUALE TË DHËNAT E ESEVE TUAJA?

“Shqipëria ka hyrë në një epokë të re, por ajo ende mbart në vete hijet e së së kaluarës, duke i fshehur ato me të njëjtën frikë që ndiejmë kur ekspozojme negativat e filmave – ato digjen po t’i nxjerrim në dritë. Ky libër më ndihmoi ta lexoja veten dhe ngjarjet me një ironi të dhimbshme, kritike, në distancë dhe ndonjëherë me një lloj nostalgjie të pavetëdijshme. U përqendrova mbi përvojën intime njerëzore – kurse përmes fakteve të zakonshme përcolla atmosferën, gjuhën e koduar të kohës, kuptimet e pathëna dhe vogëlimat që nuk mund t’i shprehnim dot në atë kohë. Ndryshimi i vërtetë kërkon përballje me kujtesën, jo fshirjen e saj. Sot ka më shumë liri fjale, por jo gjithmonë edhe dëshirë për dëgjim. Ka më shumë informacion, por shumë më pak mendim. Kjo është arsyeja pse metaforat në libër – deti si kufi dhe urë, kufijtë e dukshëm dhe të brendshëm – ruajnë ende fuqi.

Po, është e vërtetë edhe se Shqipëria ka ndryshuar. Kështu thonë ata që jetojnë atje, vizitorë të rastit dhe ata që s’janë kthyer prej një kohe të gjatë. Sot ne udhëtojmë lehtësisht, e sodisim botën përmes dritares së një aeroplani, jo më përmes vrimës së çelësit ose dritarëzave së një anijeje. Megjithatë, disa gjëra që ngecon – ato mbeten kokëforta, veçanërisht kur nuk janë objekte, por mendësi. Në esenë “Ora Politike dhe Emanuel Kanti ynë” kujtoj heshtjen tonë të vjetër – atë që na mbyste gëzimin ndërsa shikonim në heshtje ndeshjet e futbollit evropian, duke pasur frikë të mos bërtisnim për ndonjë gol të shënuar nga ekipet e ashtuquajtura ‘armike’. Ajo lloj heshtje na tkurri, na lodhi. Sot nuk kemi më frikë të bëjmë tifo për Evropën, por tashmë kemi një tjetër gjendje – më të butë, por po aq të ftohtë – heshtjen e indiferencës dhe mungesën e një diskutimi të ndershëm. Ndryshimi më i madh është liria. Ajo sot po më lejon të flas me ju, Darko. Veçse ajo liri është e brishtë, ndonjëherë madje e marrim si të mirëqenë. Kur e humbet vërtetësinë, liria bëhet një iluzion, po aq i rremë sa ‘Evropa’ jonë e dikurshme. Dikur ishin të tjerët që përcaktonin masën e lirisë që duhet të kishim, duke na dhuruar flluska ajri si ato që nxjerrin gjatë frymëmarrjes peshqit e akuariumit, flluska të cilat i quanim “liri” sepse ishim të lirë të lëviznim brenda një burgu të xhamtë. Sot shoh se, megjithëse akuariumi është thyer, peshqit sërish notojnë me kujdes, sikur xhami të po jetë aty, në të njëjtin vend. Ne dolën nga kopshti socialist me frikëra e mite, por ato jetojnë ende së bashku me ne. Njëlloj si në romanin e Gogolit, pushteti ende përpiqet të “shtetëzojë” shpirtrat: jo konformistët, por rebelët. Jetojmë në një realitet më të pasur me sende, por pyetjet e vjetra mbeten po ato: Po ndërtojmë një shoqëri të drejtë apo një iluzion të ri – një lloj kopshti të rremë, një Disneyland turistik të quajtur Albania për të huajt dhe Shqipëri për vendasit?”

 

Express: NËSE SOCIALIZMI NË SHQIPËRI DO TË ISHTE NJË KOPSHT, CILËT ISHIN KOPSHTARËT DHE CILËT ISHIN BARËRAT E KËQIJA?

“PËR T’U SHPREHUR ME GJUHËN ALEGORIKE të regjimit, duhet të them se nuk bëhet fjalë për ndonjë kopsht gjysheje, ku lulet rriten sipas dëshirës sonë dhe macet flenë midis trëndafilave, por për një kopsht ku çdo petal dhe çdo fije bari mbart një qëllim politik dhe një simbolikë letrar. Cilët ishin kopshtarët, pyesni ju? Aparati partiak dhe shtetëror, që kontrollonte gjithçka: ujin, diellin, farëratt, pesticidet, madje edhe zërin që do të thoshte ‘po’ ose ‘jo’ në emrin tim. Ata shpesh thoshin ‘jo’, duke vendosur se çfarë duhej mbjellë e çfarë jo, si do të rritej dhe çfarë duhej shkulur me rrënjë. Ishte një ndërthurje e butësisë së përkushtuar të një kopshtari amator dhe ftohtësisë kirurgjikale të një bisturie. Por ata nuk punonin vetëm.

Përreth tyre qëndronte një skuadër burokratësh artistikë – një racë e rrallë që rritet vetëm në kushte ideologjike – dhe ‘artistë me porosi’, një lloj aristokracie botanike apo, siç i quante Stalini, “inxhinierë të shpirtrave”. Me gërshërë në dorë dhe me vështrim të nënshtruar, ata përpiqeshin që çdo lule të ishte në vendin e vet, çdo pemë të shihte vetëm dritën “e duhur” dhe që asnjë barishte e keqe të mos kishte të drejtë të pyeste: “Po unë?” Nuk patëm fatin të kishim një Miroslav Krleža shqiptar, i cili në vitet 1950 kishte thënë publikisht: “Ej! Ky realizmi socialist mos është më shumë socialist sesa realist? Sot termi “barishte e keqe” është i lehtë për t’u kuptuar prej nesh. Dhe, krahasuar me pluralizmin estetik të Jugosllavisë, dallimnet e socializmit shqiptar ishin të dukshme: barishtet nuk ishin vetëm një bimë e shëmtuar, por çdo ide, fjalë apo gjest jashtë vijës zyrtare. Kur regjimi ra, ne u larguam nga kopshti si fëmijët që më në fund lejohen të luajnë në baltë. Pastaj e kuptuam se ‘bari’ ishte medicinal, ndërsa në të njëjtën kohë kuptuam se në “kopsesht” paskëshin mbirë edhe disa gjëra të mira: arsimi masiv, kujdesi shëndetësor falas, solidariteti, industrializimi dhe emancipimi i grave. Por çmimi ishte i lartë: liritë e shkelura, të drejtat individuale, izolimi i plotë dhe besimi shoqëror i shembur”.

 Pse i drejtohem detit si metaforë?

 Express: DETI ËSHTË NJË TEMË QË JU E MERRNI PANDËRPRERË DHE FRYMËZOHENI. ÇFARË PËRBËN DETI PËR SHQIPTARËT: NJË BARRIERË GJEOGRAFIKE, TRAUMË KOLEKTIVE, APO NJË PASQYRË E ËNDRRAVE TË PAPLOTËSUARA? NË ESENË ‘NJERËZIT VESHIN VARKA DHE ANIJE’, JU PËRMENDNI SE SI SHQIPTARËT NË MËNYRË METAFORIKE ‘MBATHIN KËPUCË-ANIJESH’ PËR TË ARRITUR EVROPËN…

“Në atë tekst, metafora nuk është vetëm një zbukurim letrar – është më shumë si rroba e punës që mbahet për çdo ditë, njësoj si këpucët ose dorezat. Është një mënyrë e drejtë për të përshkruar ndjenjën tonë të qëndrueshme të të qenurit gjithmonë në një rrugëtim – shpesh një udhëtim që nuk e zgjodhëm ne, por një syresh i detyruar. E lëmë vendin dhe ikim përtej Detit, atij deti të paqëndrueshëm, si humori i keq i një të njohuri të vjetër, por e dimë – dhe kjo është një nga të vërtetat e vogla të transmetuara brez pas brezi: Deti nuk është kurrë më i fortë sa një anije apo marinarët, nëse ata kanë një qëllim.

Në eposin shqiptar, heroi i hipën anijes si të ishte kalë, i cili duhet zbutur dhe drejtuar. ‘Ta mbathësh’ anijen do të thotë të bësh një pakt besimi: i beson asaj trupin dhe frymën tënde, kurse ajo të mbart lart, mbi ujë. Nuk është vetëm çështje mbijetese, por një gjuhë besnikërie, e cila flet për marrëdhënien komplekse mes shqiptarëve dhe detit. Deti është gjeografia e përjetshme e brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, me horizonte drejt Perëndimit. Deti historik i shqiptarëve këqyri anije peshkimi, liburnat (anijet) ilire, flotën romake, anijet veneciane që kundërmonin erëza, anije osmane me vela të zeza, nëndetëset sovjetike dhe flotën tonë, që u përpoq të dukej më e madhe se sa ishte në të vërtetë. Deti ka mbatur gjithmonë një kontradiktë: një derë e mbyllur dhe e hapura, një urë shprese dhe rreziku. Mbi të kanë lundruar mallra të çmuara, pushtues, ëndrra të guximtarëve dhe njerëz që nuk i kishin parë kurrë brigjet udhëtuan përtej tij. Mbaj në kokë imazhe nga viti 1991, kur njerëzit ngjiteshin mbi njëri-tjetrin sikur shpresa po zinte vend mbi kuvertë. Sot deti nuk është vetëm një lloj arratisje, por edhe një gjë e çmuar me të cilin ndihemi mirë. Për shqiptarët, ai mbart atë frymëmarrje të përbashkët adriatike, një fat mesdhetar. Për ata që u rritën me jodin e ajrit, deti nuk është kurrë vetëm gjeografi apo një selfie, por edhe ekonomi e begatë e një gjendje mendore: ajo melankoli e kripur që të qëndron mbi buzë, të rrjedh nëpër gjak edhe kur je krejt larg brigjeve. Dhe natyra e detit nuk ndryshon: është dyshuese, e askujt: të pranon, por vetëm përkohësisht”.

Express: NË LIBRIN E SAJ ‘TË LIRË – DUKE U RRITUR NË FUND TË HISTORISË’, SHKRIMTARJA SHQIPTARE LEA YPI PËRSHKRUAN SE SI KANAÇJA E COCA-COLA PËRFAQËSONTE POTHUAJSE NJË OBJEKT ADHURIMI FETAR NË SHTËPINË E SAJ. JU PËRMENDNI STEKAT E CIGAREVE “MARLBORO” DHE KANAÇET “HEINEKEN” NË NJË KONTEKST TË NGJASHËM. SI U BËNË KËTO LËNDË ‘MËSUESIT TUAJ TË PARË TË HISTORISË, GJEOGRAFISË DHE KUPTIMIT THEMELOR TË JETËS’, DHE ÇFARË NDIKIMI PATËN ATO NË KUPTIMIN TUAJ PËR KONCEPTIN E PERËNDIMIT? ÇFARË KUPTIMI KISHIN ATO PËR JU?

“A mos është tepër vonë, Darko, të rrëfej se nuk e kishim bustin e Enver Hoxhës në shtëpinë tonë? I atë, marinari, është “fajtor” për këtë. Njëherë, nuk e kujtoj se nga na solli në shtëpi një fotografi skenike të Laurence Olivier në rolin e ”Mbreti Lir”, i cili kishte një ngjashmëri të habitshme me aktorin shqiptar Sandër Prosi – kamuflazh i mirë për atë kohë. Kishim edhe skenën e famshme të valles te Botticelli në mur, por jo të marrë nga një album artistik, por e sajuar prej një reklame çorapesh për gra, të cilën e futëm në kornizë. Megjithatë, kishte edhe objekte të rralla evropiane që sillte deti apo vinin nga toka si kontrabandë, gjëra që në sytë e fëmije dukeshin si thesar përallor. Mbeturinat e botës së madhe përfundonin në raftet tona të vogla, kështu që, nund të thuhet, apo jo, se edhe ne kontribuuam në riciklimin e historisë – u bëmë edhe varrezë edhe muze i vogël për rraqe që askush tjetër, veç nesh, nuk i donte. Edhe unë ndihem fajtor: Edhe unë vetë e pasurova letërsinë shqipe me klishe kanaçesh bosh, antenash dhe marrësish televizivë – siç i përshkroi Bora Ćosić në “Roli i familjes sime në Revolucionin Botëror”. Po steka e cigareve fatkeqe e “Marlboro-s” më kujtohet më shumë sesa ato të “Heineken” ose “Coca-Cola” – ato objekte nderi, simbole prestigji në vendet më të dukshme të shtëpisë. Dikur edhe stekat e “Marlboro-s” dolën të lagura në bregdetin e Durrësit, mu si Robinson Cruso-ja. E ndërsa sendet e tjera, si “Coca-Cola”, ruheshin në raftet e larta, kutia e cigareve ishte në qarkullim të vazhdueshëm: e mbushnim çdo ditë me cigaret që prodhoheshin në vend, të tilla si ‘Durrës Special’, ia ofronim njëri-tjetrit, teksa fshihnim cigaret e rëndomta në paketimin e “Marlboro-s”. Madje, deri edhe gjyshja ime kërkoni të kishte një kuti bosh për cigaret e saj dredhura me dorë: “Më gjej edhe mia një kuti – me karton e dua, jo atë të butën!” Përmes këtyre sendeve njoha botën. Etiketa ‘Made in Italy’ më dha një hartë, biçikletën gjermane “MIFA” apo kasetofonin “Philips” nga Roterdami e konsideroja mjet lëvizës dhe dritare drejt Evropës, të afërt, por të paarritshme. Prej atyre sendeve ndërtova stereotipet e mia të para: Gjermanët janë të fortë dhe seriozë, italianët janë me klas, francezët elegantë, anglezët aventureskë, jugosllavët liberalë. Gjykime të thjeshta, por për një fëmijë këto objekte ishin vërtet yje të rënë, por që ndriçonin imagjinatën. Sendet nuk më mësuan vetëm si të ekzistoj, por edhe si të jetoj. Pranë tyre, portreti i Enver Hoxhës dukej i zbehtë në rëndësi. Në këtë lloj burgu prej betoni, porti ishte e vetmja dritare e vërtetë drejt botës. “Marlboro” do të thoshte amerikanizëm i egër, “Heineken” një bisedë sekrete me Evropën. Kurse fjalori im i xhepit nuk quhej ‘Larousse’ – quhej Det”.

Si ndodhi ndarja e Shqipërisë me Ish-Jugosllavinë?

Express: JU SHKRUANI GJITHASHTU PËR NDARJEN TRAUMATIKE MIDIS ENVER HOXHËS DHE TITOS NË VITIN 1948…

“Në fund të viteve dyzet, për Shqipërinë, e cila sapo kishte hyrë në rrugën e socializmit, Jugosllavia e Titos ishte një vitrinë e modernitetit: teknologjia ishte e dukshme atje, poezia e bashkëjetesës dhe vëllazërisë si dhe premtimi se nuk do të ishim të vetmuar në Ballkan, të lodhur nga mbretërit, luftërat dhe mosbesimi. Serbishtja hyri në shkolla – jo si gjuhë e pushtuesve, por si një mjet i ri komunikimi. Ekspertët e kulturës mbërritën në Tiranë, midis tyre kompozitori slloven Bojan Adamič, i cili profesionalizoi muzikën shqipe. Dhe pastaj në vitin 1948 ra një perde e rëndë. Stalini dhe Tito u grindën si ata aktorët që nuk donin ta ndanin skenën me njëri tjetrin, por Enver Hoxha, i bindur se aleanca ishte çështje besnikërie absolute e jo negociatë, zgjodhi Moskën. Që atëherë Jugosllavia nuk ishte më fqinji, por armiku ideologjik. Kufiri me Kosovën u mbush me ushtarë dhe, për një vend të vogël nëpër të cilin për shekuj gjaku, tregtia, bisedat dhe kënga kanë rrjedhur lirshëm, kjo ndërprerje ishte e dhimbshme. Por kultura mbijetoi. Në Split dhe Dubrovnik, në raftet e bibliotekave e arkivave, ruheshin ende libra e dorëshkrime të vlefshme për historinë e shqiptarëve, dokumente nga epoka kur tregtarët shkëmbenin mallra dhe libra, të cilat u studiuan nga Milan Šufflay. Ishte hapësira e librave që Gjergj Fishta – mik i Silvio Strahimir Kranjčević dhe Ernest Koliqi, botuan në Zadar. Poeti i madh Ndre Mjeda shërbeu si klerik në Kraljevicë, ashtu si edhe Anton Xanoni para tij. Astronomë si Gjon Gazulli (Ivan Gazulić) dhe skulptorë si Andrea Aleksi (Andrija Aleši) punuan në ato brigje në shekullin XV. Në Kroaci, komuniteti shqiptar i Arbanas luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm përgjatë historisë, kurse artistë të tillë të njohur bashkëkohorë, si Valter Dešpalj, Petrit Çeku dhe Luka Mjeda u dalluan veçmas. Ato lidhje nuk u thyen kurrë plotësisht, thjesht u tërhoqën nën tokë, si për mbrojtje, si rrënjët në pritje të shiut. Dhe, siç ndodh shpesh në Ballkan, koha dhe njerëzit i zbusin armiqësitë që politika krijon”.

 Express: NDËRKOHË, KENI QENË DISA HERË NË KROACI. KENI SHKRUAR EDHE TEKSTE TË SHUMTA QË LIDHEN ME KROATËT DHE LETËRSINË KROATE. SI ËSHTË SOT MARRËDHËNIA JUAJ ME KROACINË?

“Marrëdhënia ime letrare me Kroacinë është tanimë një pikë e ngjeshur në hapësirën e kujtimeve, takimeve dhe reflektimeve që kam përjetuar gjatë vizitave të mia në Zagreb dhe qytete të tjera kroate, të cilat filluan disa dekada më parë. Nuk është vetëm një lidhje – është një përpjekje e vazhdueshme për të kuptuar se si jerëzit dhe letërsia mund të bëhen ura të padukshme, që përkthejnë një botë komplekse me anë të fjalëve. Shpesh isha një udhëtar pa udhërrëfyes nëpër botën kroate të ishujve dhe brendatokës- nga lundrimi me anijen ‘Peter Hektorović’ deri te pjesëmarrja në festivalin e soneteve në ishullin Hvar, kushtuar poetit Hanibal Lucić. Më vonë, kalova një muaj në Zagreb me përshtypje dhe bashkëpunime të jashtëzakonshme, të cilat i shpreha edhe në tekstet “Aleph në Zagreb” dhe “Dua ta zbuloj botën pa udhërrëfyes”. Kurioziteti ishte busulla ime. Përveç ‘Anës së Fshehur’ (‘Fraktura’), një tjetër libër i imi do të botohet në kroatisht këtë vit, romani ‘Në kërkim të këmishës të humbur’ (‘Neolit’)”.

Letërsia e sotme në Kroaci, falë kontakteve të autorit?!

Express: GJATË VITEVE, KENI PASUR TAKIME TË SHUMTA ME SHKRIMTARË BASHKËKOHORË KROATË…

“Takimet e mia me shkrimtarë klasikë-modernë dhe bashkëkohorë kroatë datojnë shumë kohë më parë – ato filluan me leximin e autorëve Miroslav Krleža dhe Predrag Matvejević, ndërsa më vonë vijuan me shkrimatrë si Daša Drndić, Dubravka Ugrešić, Slavenka Drakulić, Miljenko Jergović etj. Lexova disa libra në anglisht, të tjera në shqip, kur u përkthyen ose kur i pritëm në rezidencën e shkrimtarëve në Tiranë apo në Festivalin POETEKA. Ajo që më bëri përshtypje veçanërisht ishte ndjeshmëria e veçantë dhe vënia e identitetit në pikëpyetje të vazhdueshme, historia e trazuar dhe përballja me traumat kolektive dhe personale, po ashtu. Është letërsi në të cilën heshtja dhe rrëfimi janë të ndërthurura poetikisht dhe filozofikisht, të pasura me imagjinatë, të formësuara si një udhëtim shpirtëror dhe intelektual. Lexuesit shqiptarë, të cilët vetë kaluan nëpër transformime dramatike dhe sfida shoqërore, e pritën me ngrohtësi këtë letërsi – pavarësisht vështirësive jo të pakta në përkthim. Në rezidencën në Tiranë, kemi mirëpritur autorë të tillë si Daša Drndić, Marko Pogačar dhe Robert Perišić, si dhe shkrimtarë si Alen Brlek dhe Petra Rosandić. Të tjerë, si Alida Bremer dhe poetja Sibila Petlevski, si dhe autorë të shumtë kroatë, u përfaqësuan gjithashtu edhe në Kosovë. Së bashku me këta emra, u botuan edhe zërat nga bregdeti verior i Adriatikut – Renato Baretić, Edo Popović, Milan Rakovac dhe Boris Biletić, të cilët më parë morën pjesë në lexime poezie qytetare në Durrës dhe Tiranë madje dhe, u prezantuan në gjuhën shqipe përmes revistës POETEKA. Nuk është vetëm një kuriozitet, por pjesë e një dialogu kulturor që ka vazhduar prej vitesh”.

Express: JU PËRMENDËT POETEKËN, PLATFORMËN LETRARE QË THEMELUAT NË VITIN 2004. ÇFARË BOSHLLËQESH SHPRESUAT TË PLOTËSONI NË HAPËSIRËN KULTURORE SHQIPTARE ME TE DHE A IA ARRITËT KËTIJ QËLLIMI?

“Më kujtohet në vitin 2004 – më shumë se njëzet vjet më parë – skena pranë murit bizantin në Durrës: karrige të ndryshme, dikush që ia behu me një fletore të zhubravitur, tjetri me një libër frëngjisht të përkthyer së fundmi dhe, një tjetër me një ide aq të madhe në kokë sa s’mund të  futej në një bisedë, por shumë të bukur për t’u lënë para portës. Kështu pra, filloi POETEKA. Nëse do të ishte muzikë, do të tingëllonte një al improviso ose një a piacere. Jo një projekt i vizatuar bukur me një plan dhjetëvjeçar, por një hapësirë ​​në të cilën shprehia letrare nuk ishte as zyrë, as podium, por një dhomë me një dritare të hapur. POETEKA nuk u bë kurrë një korporatë arti – dhe, sinqerisht edhe ne, nuk e deshëm kurrë atë formë. I konsideronim si procese që rriten nga brenda, si guaska që e di masën e vet dhe bëhet një lloj strehe për të tjerët – jo një kompani me ribrandim[1] vjetor. Është një strehë për banorët e përkohshëm – poetë, përkthyes letrarë, lexues – të cilët vijnë, flasin, lënë gjurmët e tyre dhe largohen. Dhe ndoshta kjo është pikërisht ajo që është më e vlefshmja: hapja, përvojat e reja si pasurim, madje edhe kur mbartin dështimet e tyre të bukura”.

Forca e dygjuhësisë dhe Letërsia e brendshme

Express: JU SHKRUANI NË SHQIP DHE ANGLISHT. SI NDIKOI DYGJUHËSIA NË ZËRIN TUAJ LETRAR, TE ZGJEDHJA E TEMAVE DHE MADJE EDHE NË LETËRSINË TUAJ ‘TË BRENDSHME’? A I SHIHNI KËTO GJUHË SI ENTITETE TË VEÇANTA APO JANË ATO TË BRENDSHME NË KRIJUESHMËRINË TUAJ?

“Dygjuhësia – le të themi se tingëllon haptazi disi më prestigjioze sesa është në realitet. Poliglotët e vërtetë janë maratonistë gjuhësorë, të cilët vrapojnë me fjalë drejt disa gjuhëve pa iu marrë fare fryma. Unë, për fat të keq, nuk jam prej tyre: jam më shumë si një punëtor sezonal me leje në dy shtete. Ndonjëherë fuqia tërheqëse e gjuhës amtare pengon përvetësimin e një tjetre – një lloj xhelozie ose mallkimi gjuhësor. E dimë tashmë se çfarë kanë shkruar Brodski, Nabokovi, Bakhtini apo Pasternaku për marrëdhënien midis gjuhëve amtare dhe atyre të huaja – e nuk është rastësi që të gjithë ata ishin rusë. Vetëm kur dikush emigron ose jeton në mërgim të brendshëm mund të mendojë për këtë me ndjeshmëri të vërtetë, si e tyre. Unë i përdor këto dy gjuhë si dy duart mbi piano. E majta, edhe pse jam mëngjarash, është gjithmonë paksa më ngathët, luan akorde të rënda kujtese dhe nuk i pëlqen të improvizojë. E djathta është më e çlirë, krijon nota të papritura, jo se partitura e kërkon, por dora mundet. Shqipja është dora ime e majtë, thellësisht e rrënjosur – kur shkruaj në të, ndihem sikur jam në tryezën prej druri të fëmijërisë sime ose në barin e lagjes, ku fjala shërben jo vetëm për të kuptuar, por edhe për të mbajtur gjallë historitë. Unë shkruaj poezi, ese, tregime të shkurtra dhe romane në shqip. Anglishtja përbën dorën time të djathtë. Ajo nuk hyri me bujë, por si të ishte një lloj vjehrre: e ftohtë në fillim, disi kritike, por që me kalimin e kohës të mëson të gatuash ndryshe. Është gjuha e eseve, ‘tregimeve fakt-trillim’ dhe artikujve akademikë, ku distanca emocionale është e duhura; është më e hapur dhe universale – një lente përmes së cilës e njëjta skenë duket ndryshe. Kjo gjë nuk është aq e pazakontë në kulturën shqiptare: arbëreshët në Itali, Arbanasit e Zadarit, shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare shkruan jo vetëm në shqip, por edhe në frëngjisht, anglisht, greqisht, italisht, arabisht, turqisht… të gjitha me më shumë se një këndvështrim mbi botën. Dhe unë mbeta një pianist modest që luan me të dyja duart – njëra që i njeh partiturat e vjetra dhe tjetra që sjell fshehurazi pak xhaz në koncert”.

Muzika si frymëzim por edhe manifestimi i saj në letërsi

Express: JU STUDIUAT MUZIKË DHE KJO ËSHTË FORT E PRANISHME NË POEZINË TUAJ. SI NDIKOJNË FORMAT MUZIKORE SI SONATA, FUGA APO KONÇERTO NË RITMIN, TEMPIN DHE ZGJEDHJEN E FJALËVE NË TEKSTET TUAJA? KU MANIFESTOHET MË E QARTË?

“Të themi të drejtën, muzika ishte shpirti im i lashtë dhe poezia erdhi vetëm pasi mësova të dëgjoja. Në shkollën e muzikës, mësuam shenjat – një gjuhë sekrete në të cilën çdo pauzë dhe crescendo përbënte një udhëzim të qartë. Kur shkruaj një sonet, shpesh jam si një kompozitor sonate – tre lëvizje të forta e udhëheqin lexuesin përmes një strukture të formuar qartë. Gjithashtu përdora formën madrigal, fugë ose variacione mbi një temë, duke u rikthyer vazhdimisht tek ajo. Poezia mund të jetë solo ose xhaz – një improvizim, të cilin e kupton vetëm kur ndodh. Kam shkruar ndërkohë poezi për fagotin, violonçelin, flautit, pianon dhe violinën dhe u kam kushtuar të tilla muzikantëve si Valter Despalit ose Debussy-së. Poezia ime mbetet kështu pjesë e një bisede të përhershme me muzikën. Ky bashkëpunim vazhdon për sa kohë që unë ende luaj flaut – megjithëse tani gjithnjë e më rrallë. Mëgojëzat e mia nuk më pengojnë të shkruaj atë që dua të shkruaj”.

Përktheu nga origjinali kroatisht: Ben Andoni

[1] Ri-branding është një proces strategjik i ndryshimit të identitetit dhe perceptimit të një marke me qëllim arritjen e qëllimeve të reja të biznesit, të tilla si rifreskimi i imazhit, tërheqja e një audience të re ose rritja e njohjes.

Next Post
Aksident tragjik në aksin Memaliaj-Mallakastër, humb jetën fëmija 10 vjeç

Aksident tragjik në aksin Memaliaj-Mallakastër, humb jetën fëmija 10 vjeç

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

A mund Salianji ta përsërisë historinë në PD siç bëri Rama në PS!

Forcë të re politike? Përgjigjet Salianji: S’kam marrë asgjë qyl në PD…

December 4, 2025
Karikimi i mjeteve elektrike, kryeministri Rama sqaron si do të jetë çmimi

Makinat elektrike, ERE rrëzon kërkesën e taksistëve, çmimi i karikimit mbetet 22 lekë/kWh

December 4, 2025
Erion Braçe: Po vjen tetori, komisionet duhet të nisin punën! Jemi shumë vonë me…

‘Revoltohet’ Braçe: Pensionet, një turp! Qeveria s’mund ta zëvendësojë reformën me shpërblime

December 4, 2025
“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

“Nuk bërtas për spektakël”, Braçe për Veliajn: Më ka dhembur ajo histori, kisha të drejtë kur thashë se…

December 4, 2025
Rama ndan punët për zgjedhjet në Tiranë, Braçe i pakënaqur: Më hoqën nga fushata në Njësinë 5 pa arsye, akt i padrejtë por..

Braçe kundër ministrit Malaj për “paqen fiskale”: Përfitojnë borxhlinjtë e mëdhenj…

December 4, 2025
“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

“Harrove që më luteshe të të gjeja punë”/ Sherr mes Nokës dhe Bidos : Sa të bën kostumi, un aq kam pasurinë

December 4, 2025
“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

“Kryetari i komanduar i PD bën biznes me Vangjush Dakon!”, Salianji: Berisha më ka thënë se…

December 4, 2025
“Synojmë vota nga elektorati gri”, Salianji: Kandidatët e pavarur janë të opozitës pa diskutim!

“Dua të mund Ramën, jo të qajmë prap!” Salianji zbulon ku e ka pakënaqësinë me Berishën

December 4, 2025
“Ju doni të rregulloni një parti që ka vdekur!”/ Alimehmeti: PD-në e ka doktori…

“Ju doni të rregulloni një parti që ka vdekur!”/ Alimehmeti: PD-në e ka doktori…

December 4, 2025
Salianji ironizon protestat e Berishës: Nuk rrëzohet Rama duke vënë muzikë para Kryeministrisë

Salianji ironizon protestat e Berishës: Nuk rrëzohet Rama duke vënë muzikë para Kryeministrisë

December 4, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In