Pushimet verore, adoleshentët: Me familjen apo shoqërinë?
Planet për pushime vijnë menjëherë pas temperaturave të larta të stinës së nxehtë të verës.
Si çdo vit, adoleshentët pas përfundimit të vitit akademik, nisin të diskutojnë mes tyre dëshirat për pushime, të shoqërura përherë me dilemën “me shoqërinë apo familjen?”.
Për një pjesë të madhe të familjeve shqiptare është e pamundur madje edhe e rrezikshme që fëmijet e tyre adoleshentë t`i lejojnë të kalojnë pushime vetëm. Ndersa për vetë fëmijët është ‘torturuese’ t`i detyrosh të pushojnë në prani të prindërve.
Silva D, një 17 vjeçare, e cila sapo ka mbaruar vitin e dytë gjimnaz, shprehet se do të dëshironte shumë që për pushime të shkonte me shoqet dhe shokët e saj të shkollës në Pogradec. “Më duket e padrejtë fakti që prindërit e mi nuk janë dakort, pasi e gjithë shoqëria ime e ka lejen për të shkuar dhe vetëm unë duhet të ndahem prej tyre”, shprehet ajo.
Silva e kupton shqetësimin e prindërve të saj, por ajo shton se “familja e ime i njeh shumë mirë të gjithë grupin shoqëror dhe ashtu siç jemi të kujdesshëm gjatë të gjithë vitit edhe për pushime nuk do të ketë asnjë ndryshim”.
Këshilla e psikologëve për prindërit e adoleshentëve është që gjatë diskutimit për zgjedhjen e pushimeve, gjithnjë të merret në konsideratë një rrugë e mesme, pra të mos injorohen kërkesat dhe nevojat e fëmijëve.
“Një gabim të cilin prindërit e bëjnë vazhdimisht është që ‘i organizojnë pushimet sikur fëmijët janë ende të vegjël. Adoleshentët në radhë të parë kanë nevojë për t’u socializuar, por kanë dhe një moshë ku nuk është edhe aq e lehtë të krijosh miqësi. Një këshillë strategjike është të merrni me vete me pushime një mik ose mikeshë të djalit apo vajzës. Me dy veta do të ndiheni më mirë dhe do jeni më të sigurt në ato që ata bëjnë”, këshillojnë psikologët.
Psikologët ofrojnë një tjetër zgjidhje. Prindërit duhet t’i informojnë fëmijë e tyre para vajtjes me pushime me familjen që edhe ata të kenë mundësi të kombinohen me shokët apo shoqet e tyre që do të pushojnë në të njëjtat vende, kështu ata do të jenë njëkohësisht si nën kujdesin e prindërve, ashtu dhe në shoqërinë e miqve.
Por, më e rëndësishmja është që si për të rinjtë, ashtu dhe për prindërit, pushimet duhet të jenë dinamike, në mënyrë të tillë që të forcohen dhe më tepër lidhjet mes prindit dhe adoleshentit. /ATA/









