Vendet e Bashkimit Europian po i zhvendosin vendet e punës në Azi, Ballkan e Turqi, në kërkim të kostove më të ulëta. Maqedonia dhe Serbia kanë përfituar, po Shqipëria a do ta kapë këtë tendencë?
Janë tre sektorë që po i zhvendosin vendet e punës nga Bashkimi Europian drejt rajoneve më tërheqëse: prodhimi i makinerive, pajisjet elektronike (televizorë, kompjuterë, telefona celularë) dhe produkte elektrike (si pajisjet elektroshtëpiake). Krahas Azisë dhe Amerikës, në radarin e kompanive europiane janë edhe Turqia e Ballkani, si vende që kanë kosto të ulët të fuqisë punëtore, ku rasti më tipik është Serbia.
Një raport i fundit i Komisionit Europian, “Evidenca mbi delokalizimin dhe rilokalizimin në Europë”, i publikuar në prill 2017, jep një panoramë mbi ecurinë e tregut të punës në vendet e Bashkimit Europian, duke u fokusuar te zhvendosja e vendeve të punës në tregje më tërheqëse, nga njëra anë, por edhe te përpjekjet për të rikthyer vendet e punës të humbura.
Zhvendosja e vendeve të punës
Delokalizimi është bërë një aspekt i rëndësishëm i ristrukturimit në 13 shtetet anëtare që u bashkuan me BE, në ose pas vitit 2004 (BE13). Ndërsa pesha e vendeve të punës të humbura në industri si rrjedhojë e delokalizimit është përgjysmuar në shtetet anëtare të para-2004 (BE15), nga 14% në 7% midis 2003-2007 dhe 2015-2016, ajo është rritur në BE13 (nga 4% në 15%). Nga BE13, destinacionet kryesore të delokalizimit janë afër në Europë, Afrikën e Veriut, si dhe vendet aziatike, duke përfshirë, Kinën. Motivimi kryesor duket se kanë qenë kostot më të ulëta të punës.
Tre nënsektorë të industrisë prodhuese përgjigjen për 60% të delokalizimit të vendeve të punës: prodhimi i mjeteve motorike, elektronike (si televizorë, kompjuterë dhe telefona celularë) dhe pajisjeve elektroshtëpiakeve. Ndërsa në vendet e mëdha anëtare, Francë, Gjermani dhe Mbretëri e Bashkuar, si dhe Suedi, mbizotëron në terma absolutë humbja e vendeve të punës si pasojë e delokalizimit, zhvendosja e vendeve të punës është relativisht më e lartë në vendet më të vogla anëtare si Austria, Danimarka, Irlanda dhe Portugalia, të cilat përgjigjen për mbi 20% të ristrukturimit të vendeve të mbyllura të punës (krahasuar me më pak se 10% në vendet e mëdha anëtare).
Midis janarit 2003 dhe fundit të qershorit 2016, raporti evidentoi rreth 912 raste të delokalizimit të vendeve të punës, përfshirë dhe 105 raste të zhvendosjes së pjesshme të tyre.
Industria prodhuese është sektori në të cilin ka ndodhur më së shumti fenomeni i delokalizimit, mbi 82% e rasteve të regjistruara.
Nga janari 2003 deri në fund të qershorit 2016, delokalizimi i vendeve të punës përgjigjej për 10% të totalit të vendeve të mbyllura të punës si pasojë e ristrukturimit të kompanive në industrinë prodhuese. Numri i vendeve të mbyllura të punës ishte më i lartë në EU15 (11%) se sa në EU13 (7%).
Siç u tregua dhe më parë, rëndësia relative ka renë gjatë periudhës, ose më specifikisht, midis 2003-2007, delokalizimi ishte përgjegjës për mbi 12% të totalit të vendeve të mbyllura të punës, dhe në 2015-2016, përllogariteshin rreth 8% të tyre. Kjo rënie fsheh tendenca të ndryshme në EU15 dhe EU13. Pjesa e vendeve të mbyllura të punës në industrinë prodhuese prej delokalizimit është përgjysmuar në EU15 (nga 14% në 7%), ndërsa është katërfishuar në EU13 (nga 4% në 15%).
Kjo është pjesërisht reflektim i natyrës dinamike të strategjive të delokalizimit. Në shumë raste, firmat fillimisht u zhvendosën prej vendeve me kosto të lartë të Europës Perëndimore në Europën Lindore, më pas ato kaluan në vende me kosto edhe më të ulët jashtë BE-së. Një rast ilustrues për këtë është edhe kompania shumëkombëshe finlandeze e Nokia-s. Pasi pati ngritur një fabrikë të prodhimit të telefonave në Bochum, Gjermani, në fund të viteve ’90, kompania zhvendosi prodhimin në Cluj-Napoca, Rumani, në 2008-n përpara se të mbyllte sërish fabrikën në 2001 pasi prodhimi u zhvendos sërish, këtë herë në një rajon edhe më të lirë, jashtë Europës, në Kinë.
Në EU15, zhvendosja e vendeve të punës ka qenë burim i rëndësishëm i mbylljes së vendeve të punës në vendet e vogla anëtare dhe më pak të populluara, si Austria, Danimarka, Irlanda dhe Portugalia.
Në secilin nga këto vende, delokalizimi i vendeve të punës përgjigjet përafërsisht për 20% të vendeve të mbyllura të punës nga 2003 në 2016-n. Në vendet më të mëdha anëtare, pjesa e punëve të zhvendosura si pasojë e ristrukturimit varion nga 7% në Gjermani në 10.5% në Itali, në secilin nga këto vende kjo përqindje ka rënë në 2003-2007 dhe në periudhat më të vona. Në vendet e EU13, ka pasur rritje të dukshme të vendeve të punës të mbyllura prej zhvendosjes në 2010, veçanërisht në Republikën Çeke, Hungari dhe Sllovaki.
Faktet tregojnë se delokalizimi është bërë më i rëndësishëm në EU13 në vitet e fundit.
Industritë më të përfshira në delokalizim
Delokalizimi i vendeve të punës nuk është i shpërndarë njëtrajtësisht në të gjithë industrinë prodhuese. Në fakt, është përqendruar në disa prej tyre dhe veçanërisht në industritë inxhinierike. Tre nënsektorë, ai i mjeteve motorike, elektronike dhe i pajisjeve elektroshtëpiake, përgjigjen për përafërsisht 60% të vendeve të punës së mbyllura si shkak i delokalizimit. Nga këto, prodhimi i mjeteve motorike përgjigjet për çerekun (mbi 22% të vendeve të mbyllura të punëve), nga 2003-shi deri në qershor të 2016-s dhe diçka më shumë në EU13 (25%).
Në EU15, pjesa relative e vendeve të mbyllura për shkak të delokalizimit në sektorin e mjeteve motorike ka qenë i qëndrueshëm ose rritës me kalimin e kohës, edhe pse ka rënë në sektorët e tjerë të industrisë prodhuese. Në EU13, delokalizimi është shkaku për rritjen e vendeve të punës që po mbyllen që nga 2008. Jo të gjitha rastet kanë qenë të motivuara vetëm prej kostove. Një prej zhvendosjeve më të mëdha në sektor ishte vendimi i FIAT Poloni për të kthyer prodhimin e modelit klasik Pana në Itali në dhjetor 2012. Rezultoi me shkurtimin e 1450 vendeve të punës nga 5000 të punësuarit në Tychy.
Industria e prodhimit të pajisjeve elektronike, e cila përfshin një variacion produktesh, nga pajisjet elektroshtëpiake te nënstacionet e prodhimit të energjisë deri tek llambat elektrike, ishte burimi i dytë më i madh nga vinin humbjet e vendeve të punës si shkak i zhvendosjes, që përgjigjej për 18% të totalit. Ndërsa kishte pak variacion në rëndësinë relative gjatë dhjetë viteve në EU15, kishte një fluks domethënës në EU13, ku ky nënsektor është shndërruar në humbësin më të madh të vendeve të punës, si pasojë e delokalizimit dhe nga i cili vendet e EU13 ua kalojnë atyre të EU15 që nga 2010.
Në disa raste, është e qartë se kjo është e lidhur me prodhimin e pajisjeve elektroshtëpiake që më parë kanë qenë zhvendosur në vendet e EU13, përpara se të shpërnguleshin diku tjetër. Për shembull, filiali sllovak i japonezit Sumitomo, SEWS Slovakia, lajmëroi shkarkimin e 398 punëtorëve në fabrikën e Topolcany në korrik të 2015-s, pasi prodhimi ishte zhvendosur në Rumani. Menaxhimi ia atribuoi vendimin e shpërnguljes konkurrimit të çmimeve dhe vështirësive për të mbajtur kostot e prodhimit nën kontroll. Po e njëjta skemë, në tetor të 2014-s, PKC, prodhues finlandez i instalimit të sistemeve elektrike, lajmëroi mbylljen e fabrikës së tij në Sosnowiec, Poloni dhe zhvendosjen e prodhimit në Serbi.
Industria e elektronikës, e cila përfshin prodhimin e televizorëve dhe telefonave celularë, si dhe të pajisjeve kompjuterike, është burimi i tretë më i rëndësishëm i humbjeve të vendeve të punës nga zhvendosja. Në këtë nënsektor, pjesa më e madhe e mbylljes së vendeve të punës ndodhi në periudhën pas 2009-s dhe kryesisht në vendet e EU15.
Të tria këto industri ishin përgjegjëse për pothuajse 60% të totalit të vendeve të mbyllura të punës si shkak i delokalizimit në BE, nga 2003 deri në 2016-ën. Një tjetër nënsektor inxhinierik, makineri dhe pajisjeve, është bërë një burim i rëndësishëm i humbjeve të vendeve të punës si rrjedhojë e delokalizimit në periudhën e pas krizës. Të tjerë sektorë të industrisë prodhuese kanë dhënë një kontribut për të tejkaluar mbylljen e vendeve të punës, përfshijnë sektorin e tekstileve dhe të rrobave, si dhe sektorët farmaceutikë dhe produkteve kimike. Në të dy, zhvendosja e aktivitetit ndodhi gjatë dhe pas krizës financiare.
Më pas, zhvendosja u limitua
Është interesante se zhvendosja e aktiviteteve duket se ka qenë më intensive në sektorë të industrisë ku niveli i punësimit ka qenë më elastik, si sektori i mjeteve motorike (4% që nga 2008) dhe ka rënë më shumë në sektorin e tekstileve dhe rrobave, pavarësisht nivelit të punësimit që po shënojnë rënie pikiatë (-31% që nga 2008-a në EU28).
Dy janë argumentet që dalin. I pari është se nuk ka lidhje të drejtë midis intensitetit të delokalizimit dhe niveleve të punësimit në nivel industrie. Nëse, delokalizimi dhe diversifikimi gjeografik i prodhimit duket se kanë qenë një mbështetje e fortë për të arritur punësimin në BE në sektorë si prodhimi i mjeteve motorike, ku, siç është vënë re, ka pasur një lëvizje të konsiderueshme brenda BE-së për sa i përket prodhimit dhe punësimit.
I dyti, rëniet dramatike në punësim në sektorin e tekstileve dhe rrobave që nga 2008 duken se nuk lidhen me zhvendosjen. Ka të bëjë kryesisht me fenomenin e konkurrueshmërisë nga tregtia ndërkombëtare, ku prodhuesit me kosto të ulët në vendet joanëtare të BE-së rrëmbejnë tregjet të cilët janë furnizuar, kryesisht nga kompanitë e BE-së.
Më në përgjithësi, delokalizimi përgjigjet vetëm për një pjesë të ndryshimit që vijnë nga humbjet e vendeve të punës në ekonomitë e zhvilluara. Me fjalë të tjera, ndryshimi në industri të caktuara si tekstilet ose ndërtimin e anijeve jashtë Europës ndodhin si pasojë e zhvillimeve të pavarura të zgjerimit dhe ngushtimit të kompanive në vende të ndryshme me kalimin e kohës, si rezultat i ndryshimeve në avantazhet konkurruese dhe pjesërisht si rezultat i delokalizimit.
Vendet e punës që po reduktohen në Europë
Sektori i ndërtimit është dukshëm në listën e sektorëve me humbjet më të mëdha të vendeve të punës në të gjithë vendet anëtare. Janë shkurtuar thuajse katër milionë vende pune që nga tremujori i parë i 2008-s dhe vetëm së fundmi ka filluar të rritet sërish.
Sektorë të tjerë që janë në krye për sa i përket mbylljes së vendeve të punës janë shitjet me pakicë, bujqësia, disa nënsektorë të industrisë prodhuese, si dhe administrata publike.
Ka pasur një racionalizim në sektorin me fitime të pakta dhe konkurrencë të lartë të shitjeve me pakicë, si rrjedhojë e nivelit të ristrukturimin e aktivitetit. Kjo ka rezultuar me konsolidimin e aktivitetit të shitjeve me pakicë te njësitë më të mëdha, por dhe me zhdukjen e tyre nga rrugët.
Ku po shkojnë vendet europiane të punës, një pjesë e merr dhe Ballkani
Shumica e rasteve të zhvendosjes së prodhimit, regjistruar në vendet e BE-së, përfshin një zhvendosje të prodhimit në vendet me paga të ulëta, edhe pse jo vetëm. Duke marrë parasysh vendet fillestare të BE-15, gjatë periudhës në mes të vitit 2003 dhe në fund të qershorit të vitit 2016, pak më shumë se 10% e vendeve të punës të humbur nga zhvendosja e prodhimit ishin për shkak të rialokimit në Kinë, 3% në Indi dhe rreth 9% në vende të tjera aziatike. Azia si një e tërë, si rrjedhojë ishte destinacioni kryesor për rastet e zhvendosjes, duke marrë rreth një të katërtën e totalit të vendeve të punës të humbura në Europë nga kjo formë e ristrukturimit. Pjesa e humbjeve të vendeve të punës nga delokalizimi në Azi kanë mbetur mjaft të qëndrueshme gjatë periudhës së mbuluar nga raporti. Zhvendosja e prodhimit në vende të tjera jashtë BE-së me kosto të ulët të punës ishin në një shkallë shumë më të vogël.
Zhvendosja e prodhimit në shtetet e Amerikës llogaritet për më pak se 5% të totalit të vendeve të punës. Destinacioni kryesor i punës me kosto të ulët për prodhuesit në BE15 gjatë procesit të zhvendosjes së prodhimit ishte BE13, të cilat përbënin 45% të vendeve të punës të humbura nga delokalizimi. Kjo përqindje arriti kulmin rreth fillimit të krizës në vitin 2008 dhe 2009 dhe u bë më pak e rëndësishme si një destinacion pas vitit 2010, por ajo ende është përgjegjëse për më shumë se një të tretën e të gjitha humbjeve të vendeve të punës nga delokalizimi në Shtetet Anëtare të BE-15.
Teksa pesha e BE13 ka rënë, ajo e shteteve të tjera europiane, që nuk janë anëtare të BE-së, është rritur, veçanërisht në Rusi, shtetet e Ballkanit dhe Turqi.
Raporti përmend se në tetor 2014, PKC, një prodhues finlandez i sistemeve elektrike, njoftoi mbylljen e fabrikës në Sosnowiec, Poloni dhe zhvendosjen e prodhimit në Serbi.
Maqedonia dhe Serbia, si po e zhvillojnë industrinë e makinave
Prodhimi i makinave dhe pjesëve të makinave po fiton terren në Europën Juglindore (EJL), me rritjen që po nxitet nga rimëkëmbja e shpejtë në tregjet më të mëdha të eksporteve, sipas një raporti të renditjes rajonale të publikuar nga See News. Ato po shfrytëzojnë avantazhet konkurruese më të mira të rajonit – kosto e lirë e fuqisë punëtore, taksat e ulëta, pozicionin strategjik dhe infrastrukturën e përmirësuar, shpesh duke u mbështetur në ekspertizën e kaluar në industrinë lokale. Priten lajme më të mira për industrinë e automjeteve, duke konsideruar normën e ulët të zotërimit të makinave në rajon dhe të dhënat për shitjen e veturave të reja si në Bashkimin Europian, ashtu dhe në Europën Juglindore.
Maqedonia dhe Serbia po ecin mirë, sidomos në industrinë e makinave dhe pjesëve të tyre, duke i bërë një pjesë të rëndësishme të eksporteve të tyre. Industria përpunuese dominon përgjithësisht eksportet e rajonit, teksa fqinjët që nuk kanë “mallkimin” tonë të burimeve të pasura natyrore, janë përpjekur më shumë për të pasur një ekonomi më konkurruese dhe eficiente. Ndryshe nga ne, që i kemi varur shpresat te kërkesa e Italisë së dobët për veshje dhe këpucë, fqinjët janë më të sigurt me ekonominë më të fuqishme të Europës, Gjermaninë.
Në Maqedoni, produktet kryesore të eksportuara janë katalizatorët (rreth 1.2 miliardë dollarë, apo sa gati 60% e gjithë eksporteve shqiptare), centrifugat ($425M), xeherorët ($383M), fije dhe kabllo elektrike ($255M) veshje për femra ($194M), sipas burimeve zyrtare.
Katalizatorët në Maqedoni prodhohen nga Johnson Controls DOOEL, një ndër më të mëdhatë në botë për prodhimin e pjesëve të automjeteve, e cila ka pasur interes për të hyrë në tregun shqiptar, por është tërhequr për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar dhe kostove më të larta. Në Maqedoni, ajo ka hapur dy fabrika me mbi 3 mijë të punësuar dhe në vitin 2015 realizoi një xhiro vjetore prej 1.2 miliardë eurosh, sipas të dhënave rajonale të publikuara nga See News, duke pasur një xhiro katër herë më të lartë se kompania më e madhe shqiptare.
Në Serbi, destinacionet kryesore të eksporteve serbe janë Gjermania, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi, Rumania, Rusia dhe Maqedonia. 3 produktet më të eksportuar në Serbi për vitin 2015, sipas të dhënave të FMN-së, janë automjetet, 1.6 miliardë dollarë (11.8% e eksporteve totale), pajisjet elektronike, 1.3 miliardë dollarë (9.8%), makineritë, motorët, pompat 926.9 milionë dollarë (7%). Serbia ka të zhvilluar industrinë e automjeteve, metalet bazë, mobiliet, përpunimin e ushqimeve, makineritë, produktet kimike, gomat, veshjet, produktet farmaceutike. Industri serbe kontribuon në rreth 25% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Serbia prodhon aktualisht makina për markën e njohur italiane, Fiat. /monitor.al/ma.me