Nga Lorenc Vangjeli
Duhet të jetë ose trashëgimi që vjen në mënyrë të pavetëtishme nga e shkuara, ose dëshirë për identifikim nëpërmjet garës së fituar. Ose mund të jetë dhe diçka tjetër që nuk ka të bëjë as me alternativën e parë dhe as me të dytën që rreket të shpjegojë dëshirën mbarëkombëtare shqiptare të gjetur në fillim kundërshtarë të huaj, pastaj për të hyrë në garë me ta dhe jo me veten. Një garë që nis me rajonin, Evropën apo dhe gjithë botën dhe jo me vetveten. Dikur, për shembull, identifikimi i vendit në kohën më të egër të izolimit komunist, me një fanar që ndriçonte gjithë botën, ishte një zgjidhje metaforike që dhemb edhe sot. Sepse ndoshta nuk ka gjë më të vetmuar se faret.
Deri pak kohë më parë, “targeti” i rritjes ekonomike të vendit ishte Gjermania. Vërtet me atdheun e Merkelit dhe të Mercedesit nuk kishte barabitje, por vendin e dytë mbas shpinës së saj, Shqipëria nuk ja linte askujt, sipas Doktor Berishës.
Sot, fillimisht në shqip, pastaj në anglisht dhe së fundmi sërish në shqip, kundrejt parave të paguara e nëpërmjet reklamës në The Economist, promovohet lajmi se Shqipëria është lider i reformave në rajonin e Ballkanit. Me gjasë edhe mund të jetë kështu, siç beson kryeministri dhe siç do ta donte dhe uronte krenaria kombëtare shqiptare. Por për të mbërritur në një përfundim të tillë ka shumë vend dhe hapësirë qoftë për relativizimin e “garës”, qoftë për pikënisjen e saj, qoftë dhe për llojin e reformave të bëra. Për shembull, sot në Tiranë dhe gjetkë është shumë e vështirë të ndërtohet pa leje, por një gjë e tillë, fjala vjen, në Beograd, në Podgoricë apo dhe në Shkup ka qenë e pamundur prej shumë e shumë vitesh. Sforcoja e madhe e kësaj maxhorance për rivendosjen e kontrollit mbi territorin mbas dekadash të tëra kaosi të pakthyeshëm urbanistik, mbas ndërtimeve makabre pa leje, por edhe me leje, është një akt që duhet duartokitur lokalisht, por jo për t’u mburrur ndërkombëtarisht. Eshtë thjesht një fakt normal, njëlloj si zgjimi në mëngjez; anormale ka qenë e kundërta.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për pagesën e energjisë elektrike. Shqipëria rinjohu vitin e shkuar rradhat për para’ prej gati dy dekadash; në 97-ën njerëzit rrinin në rradhë përpara sporteleve të piramidave financiare për të marrë paratë e tyre, pak kohë më parë rrinin në rradhë për të paguar detyrimet e prapambetura të energjisë. Edhe kjo gjë është një kthim shumë i mundimshëm në normalitet, një akt që duhet të duartokitet brenda vendit, por nuk është diçka që do të habiste kënd qoftë në Berlinin e largët, qoftë në Prishtinën e afërt, ku askush nuk ve në dyshim: malli që konsumohet duhet të paguhet.
Tentativa për të hyrë në gara të pakuptimta, në renditje dhe hierarki honorifike, kryesisht përballë një bote shumë më praktike se kaq, është shumë pak e dobishme. Ndoshta më e udhës është zgjedhja e punëve të vogla dhe praktike përballë garave të tilla. E zgjidhjeve që çojnë tek një pjatë më shumë supë në tryezë, tek lehtësimi qoftë dhe një gram më shumë i burokracisë, tek depolitizimi i një shoqërie që ushqehet marrëzisht me politikë nga mëngjezi në mëngjez, tek kultivimi i modestisë si tipar politik dhe i shërbesës si detyrim gjithashtu politik, tek hapja e një vendi pune më shumë dhe tek shanset për më shumë drejtësi e standart evropian të shtetit të së drejtës. Këto mund të jetë synime e qëllime qoftë të së majtës dhe qoftë të djathtës. Shqipëria është shumë më shumë se e majta dhe e djathta; Shqipëria është shumë më e madhe se katër vjet mandat politik sa zgjat koha e marrjes me qera të pushtetit për të shërbyer. Dhe natyrisht është shumë më e rëndësishme se çdo lavdi personale dhe nominale.
Ndonjëherë të vërtetat e mëdha fshihen në detaje të vegjël. Gati një vit e gjysëm mbas hyrjes në fuqi për të dytën herë të ligjit kundër duhanit, në Tiranë, por dhe gjetkë është më vështirë të pihet cigare në ambiente publike. Ky është një shembull që ligji dhe ligjshmëria në Shqipëri po fitojnë terren. Për ta bërë vendin një atdhe normal, larg trashëgimisë së rëndë që vjen nga e shkuara dhe larg kuturisjes për identifikim nëpëmjet garave që nuk ekzistojnë me kënd dhe ku fatkeqësisht, nuk kemi ndonjë shans të madh për të qenë fitues. Thjesht sepse garohet në sporte të ndryshëm. Në Shqipëri, më shumë se gara të tilla ka nevojë të dëshpëruar për të qenë një vend normal dhe për të siguruar një jetë normale për qytetarë normalë.
Click here to Reply, Reply to all, or Forward
|