Rezultati i Shqipërisë prej 60,4 pikësh është pak më poshtë mesatares së BE-së me 67,4 pikë. Ky rezultat e vendos Shqipërinë në vendin e 17-të, në krahasim me vendet e BE-së, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në fushën e pushtetit, rezultati i vendit prej 60,9 pikësh është më i lartë se mesatarja e BE-së prej 51,9. Megjithatë, pabarazia të gjinore është ende e pranishme në shkallë të konsiderueshme, veçanërisht sa i përket pabarazive në të ardhura, ndarjes gjinore në arsimin e lartë dhe ndarjes së punëve të shtëpisë.
Këto janë të dhënat e raportit të parë të publikuar në Shqipëri për Indeksin e Barazisë Gjinore 2020.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Social, Znj. Manastirliu theksoi gjatë prezantimit të raportit tha se “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave janë prioritete të qeverisë shqiptare. Matja e progresit dhe orientimi se ku duhet shkuar janë arritur sot përmes publikimit të Indeksit të Barazisë Gjinore, i cili është realizuar për herë të parë në Shqipëri, duke e përafruar vendin tonë më tepër me vendet e Bashkimit Evropian”, tha Manastirliu.
Sipas ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, raporti “Indeksit të barazisë Gjinore 2020 në Shqipëri” është një pikë kthese e rëndësishme për t’I bërë të matshme arritjet dhe mangësitë tona sa i takon hendekut gjinor.
“Raporti i parë “Indeksi i barazisë Gjinore 2020 në Shqipëri” është një gur kilometrik për hapat që do të ndërmarrim në këtë aspekt drejt aspiratës tonë për t’u bërë anëtarë të familjes së madhe Europiane. Ky raport në një kuptim na vendos si pjesë të saj, pasi Shqipëria renditet e 17 ndër 28 vendet e BE dhe 2 vende të Ballkanit Perendimor, në raportin e parë të indeksit të barazisë gjinore”, tha Manastirliu.
E pranishme në prezantimin e raportit të parë për Shqipërinë, Virginija Langbakk, Drejtoreshë e Institutit Evropian për Barazi Gjinore u shpreh:
“Dëshiroj të përgëzoj Shqipërinë për Indeksin e saj të parë për Barazinë Gjinore, i cili do t’i mundësojë vendit të monitorojë ecurinë e barazisë gjinore. Vlen sidomos të theksohet rezultati i lartë i Shqipërisë në fushën e pushtetit. Me një analizë të hollësishme të situatës së barazisë gjinore në fushën e parasë, punës, pushtetit, kohës, shëndetit dhe dijeve, politikëbërësit tashmë mund të gjejnë zgjidhjet e duhura për sfidat që na mbeten për arritjen e barazisë gjinore”, u shpreh Virginija Langbakk.
Mario Mariani, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, theksoi se “Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht e angazhuar në promovimin e barazisë gjinore dhe në fuqizimin e grave dhe vajzave. Shqipëria ka shënuar progres pozitiv në procesin e miratimit të kuadrit normativ për barazinë gjinore në vend. Ne duhet të punojmë së bashkë me qeverinë qendrore dhe lokale; me shoqërinë civile dhe me partnerë të tjerë për të fuqizuar politikat të mbështetura në evidencat e barazisë gjinore dhe në garantimin e zbatimit të tyre në praktikë”.
Rezultati i lartë i Shqipërisë në fushën e pushtetit e rendit atë në vendin e 6-të në krahasim me vendet e BE-së, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Rezultati i lartë i vendit vjen nga përfaqësimi i grave në organet politike dhe ato ekonomike. Megjithatë, sa i përket përfaqësimit të grave në organe kërkimore, mediatike dhe sportive, Shqipëria ka ende punë për të bërë.
Rezultati më i lartë i Shqipërisë i përket fushës së shëndetit dhe është 81,8. Ky rezultat është pak më poshtë se ai i BE-së, i cili është 88,1. Fusha e punës shënon 67,6 pikë, që është rezultat i ngjashëm me mesataren e BE-së. Vazhdon ndarja gjinore në tregun e punës, ku për shembull, gratë dominojnë në shërbimet sociale.
Shqipëria është vendi i tretë nga vendet kandidate dhe kandidatët potencialë për në BE që zhvillon Indeksin e Barazisë Gjinore. Serbia dhe Maqedonia e Veriut i kanë publikuar tashmë indekset e tyre përkatëse. Me më shumë indekse rajonale tashmë, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia do të mund të krahasojnë performancën e tyre në rajon dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.
Instituti Evropian për Barazi Gjinore (EIGE) ka mbështetur hartimin e indeksit për Shqipërinë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, INSTAT, Bankën Botërore, Expertise France dhe me Zyrën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.Indeksi i Barazisë gjinore në Shqipëri u hartua në kuadrin e Instrumentit të BE-së për Para-Aderimin (IPA) dhe u financua nga Bashkimi Europian. /e.s/