Zbardhet dëshmia e Odhise Andreas para hetuesve, ish-punonjës i Kuvendit të Shqipërisë dhe bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea i cili është dorëzuar ditën e djeshme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
“Ato që janë thënë për mua janë të pavërteta. Të vërtetën do ta them më vonë, kërkoj gjykim të drejtë. Nuk kam lidhje me akuzat e bëra ndaj mej. Gjatë këtyre muajve kam qenë më tepër në Itali, nuk isha arratisur. Erdha në Shqipëri dhe do t’i dal vetes për zot”, mësohet të ketë thënë ai.
Çifti Andrea u vu në një skandal korrupsioni me disa prona në Ksamil. Ata kishin marrë ryshfet rreth 50 mijë euro për të dhënë vendim pro një pale. Odhise Andrea ishte edhe sekseri në këtë skemë.
DETAJET E DOREZIMIT: ODHISE ANDREA ISHTE ARRATISUR NE ITALI
Pak minuta pas vetëdorëzimit në policinë e Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzuan e korrupsionit pasiv, zbulohet se si ka arritur të kthehet sërish në Tiranë, Odhise Andrea, ish-Këshilltari i Komisionit të Sigurisë në Parlament, njëherësh bashkëshort i gjyqtares së gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, shkruan “Balkanweb”.
Pasi avokati Ardian Visha konfirmoi vetëdorëzimin e Andreas, burime të News 24 dhe BalkanWeb bëjnë me dije se ai mund të ketë hyrë në Shqipëri ilegalisht nga Kosova, ndërsa u arratis rreth 7 muaj më parë drejt Italisë me anije, në momentin që do ndalohej nga policia.
Të njëjtat burime saktësojnë se Andrea është parë në një kafe në rrugën “Myslym Shyri” , aty ku ndodhet edhe Drejtoria e Policise se Tiranes, pak para dorëzimit në polici.
Ai akuzohet se ka luajtur rolin e sekserit në një çështje të bashkëshortes së tij, ku akuzohen se kanë përfituar 50 mijë euro për të dhënë vendim në favor të një shtetaseje, për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit.
Prokuroria e Përgjithshme më 16 korrik 2016 zbardhi skemën e dhënies së parave si dhe personat e përfshirë në këtë skemë korruptive. Ndërsa vendimi që shkoi në favor të palës që paguar shumën në fjalë dhe është marrë më 12 korrik 2016, një ditë pasi u morën paratë. Për dosjen janë arrestuar edhe shtetasit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.
PERGJIMET QE ZBULUAN RYSHFETIN
Ryshfeti dyshohet të jetë marrë nga bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, dorëzuar sot ne Policine e Tiranes.
Në përgjimet e siguruara nga “Panorama”, pjesë e dosjes së Prokurorisë së Përgjithshme, zbardhen bisedat e konsumuara mes Ilia Çabirit, një prej përfituesve të pronës, dhe Petraq Dashit, i dyshuar si ndërmjetës i tyre te bashkëshorti i gjyqtares, Odhise Andrea, e më pas edhe mes këtyre të fundit.
Në bisedat e konsumuara në harkun kohor 4 qershor-11 korrik 2016, ata diskutojnë për shumën që duhet të paguhet, përpjekjet për sigurimin e saj, si dhe faktin se bashkëshorti i gjyqtares pranonte vetëm para të thata dhe jo tokë. Gjatë kontakteve telefonike, të dyshuarit përpiqen të mos përmendin emra, apo të përdorin fraza të koduara për ryshfetin.
PËRGJIMET
Në datën 04 qershor 2016, në orën 11:39, është zhvilluar një bisedë telefonike midis shtetasve Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi:
Petraqi: Unë e di për çfarë më more, po vëllai kam filluar që më del gjumi natën për atë muhabet. Po matem t’i vete te shtëpia, ta marr në telefon, po meqë e lamë kështu me atë, nuk dua t’i dal nga llafi.
Ilia: Po.
Petraqi: E kupton, që të më thotë ore ne e lamë se unë do të marr vetë, më kupton pse. Po mua më kanë hyrë ethet, nuk e di.
Ilia: Ti e di atë punë o presor, ç’të themi, ti e njeh mirë.
Petraqi: Jo, po muhabeti vajti mirë fare, me një fjalë nga muhabeti i fundit që u ulëm ne, u bë e qartë që ky muhabet do grason, në rregull, graso, graso, kupton?
Ilia: Po.
Petraqi: Eee dakord, edhe i thashë e rëndësishme është të mos jetë ndonjë gjë e rëndë. Jo, jo, më tha mua, janë gjëra brenda asaj që janë të logjikshme.
Ilia: Po mirë.
Petraqi: Po mos të jenë kopaçe brenda, kështu më tha. Tani pas këtij muhabeti më mori pastaj, ashtu siç ta kam thënë gjithmonë, e gjërat janë në proces, do të marr unë, ti mos merr më. Do të marr unë, do të lajmëroj unë.
“MUHABETET JANË SHKOQUR”
Në datën 24.06.2016, në orën 09:37, është zhvilluar një bisedë tjetër telefonike midis shtetasve Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi me përmbajtje:
Ilia: O Petro, ça bën?
Petraqi: Hiç, asgjë fare. As më ka marrë, as ashtu… nuk e di qysh e tek do vijë. Nuk po marr vesh fare, më tha më prit, më prit, po të marr vetë në telefon e kaq.
Ilia: Mos është e nevojshme të vete unë një herë lart vetë.
Petraqi: Po jo ore vlla se e bezdis. Unë merrem me njerëzit e mi atje, thashë një mendje me gocën e xhaxhait, t’i veja te shtëpia, po prapë më duket si…
Në datën 06.07.2016, në orën 08:49, bisedë telefonike mes Ilia Çabirit dhe Petraq Dashit:
Petraqi: Atij mikut i çova fjalë me të atin me një fjalë.
Ilia: Po.
Petraqi: Edhe tha është akoma në ashtu tha, po shikojmë tha mos ki merak, kjo ishte përgjigjja. Kaq çfarë do t’i thoshte më tepër në telefon.
Ilia: Po mirë mo, shumë mirë.
Petraqi: Ça mirë, jam mërzitur me…
Ilia: E mo Petro, i kanë ti s’ke pse mërzitesh se këto punë kështu e kanë. Pa shiko mua 4 vjet, 5 vjet sa vajta me këto poshtë.
Ilia: Këto punë kanë gjykatat, mo vlla. Nuk ashtu po ta kishim mbaruar e të kishim mbledh mendjen.
Petraqi: Nuk e di ca të them or ti, muhabetet janë bërë të shkoqura, të pjekura, të sakta, nuk e di tani.
Ilia: Se unë kam kaluar andej po.
Petraqi: Unë jam në pritje.
Në datën 07 korrik 2016, rreth orës 12:30, janë zhvilluar dy biseda mes Petraq Dashit dhe Odhise Andreas, ku kanë komunikuar për t’u takuar në qendër të qytetit të Rrogozhinës.
INTERESI PËR KOSTON
Në datën 07 korrik 2016, ora 12:58, është zhvilluar një bisedë mes Ilia Çabirit dhe Petraq Dashit:
Petraqi: Po.
Ilia: Sa është kostua, mo Petraq?
Petraqi: Tashti për atë do takohemi, janë gjëra që s’bëhen në telefon këto, me një fjalë o bëhet këtë javë që vjen, o s’bëhet me një fjalë. Kështu që kostua është… takohemi sot mbasdite në Gjirokastër dhe kaq mirë hajt.
Ilia: E mirë, nga ora 6-7.
Në datën 07 korrik 2016, në orën 13:19, Ilia Çabiri komunikon me shtetasen L., një nga trashëgimtarët e interesuar për njohjen e pronës.
L.: Si dukesh, si je, të mori Petraqi?
Ilia: Edhe mua, edhe ju ju mori?
L: E tani sapo më mori dhe thoshaj prit se isha unë nja një javë tutje dhe thashtë të marr Yllin për ndonjë të re dhe harrova, kur më mori tani Petraqi më tha të vi nesër në 11:30, do vij dhe Ylli tha, të bisedojmë.
Ilia: E, është ajo për Gjykatën e Lartë, nuk e di tani ça kanë bërë.
L.: E, i thashë unë ndonjë lajm të mirë, të mirë të mirë më tha mua, po kaq.
Ilia: Ka kosto, ka kosto.
L.: E kuptova unë që tha edhe unë për atë mendova për koston e për koston.
Ilia: Ajo është tani të shohim, po ajo tani s’është më me 2000 euro e 3000 euro.
L.: Po sa do të jetë shuma andeja?
Ilia: Nuk e di. Do bisedojmë, s’më tha gjë në telefon.
L.: Edhe mua s’më tha gjë se kam më tha. I thashë unë për ndonjë lajm të mirë. I mirë, i mirë më tha, po e kuptova që do të thotë për lekë.
Ilia: Unë deri tani përveç tuajat që thatë ti edhe Petraqi, kam harxhuar 8000 euro, 9000 euro të miat.
L.: Do t’ia themi sa kemi harxhuar. Ne kemi harxhuar kaq do t’i themi. Ilia: Tani nuk do zëmë të tilla llogarira tani. Po është halli se ta kthyen prapë në shkallë të parë e në shkallë të dytë u dogjëm. Na venë kot ato.
SIGURIMI I EUROVE
Në datën 08.07.2016 rezulton se shtetasi Ilia (Ylli) Çabiri ka komunikuar në telefon me Petraq Dashin dhe së bashku janë takuar në Gjirokastër. Pas takimit, Petraq Dashi ka bërë një bisedë telefonike me shtetasin me emrin M., i cili dyshohet të jetë njëri nga trashëgimtarët e pronës. Në këtë bisedë Petraqi i ka thënë se “Ee… ato muhabete që prisja. I thashë Yllit se L. thoshte s’kam, s’kam. S’prisha unë ndonjë gjë, tani unë për të mos thënë që dakord unë jam shumë, shumë në siklet i thashë unë se s’mund t’i gjej për 3-4 ditë aq lekë”.
Në të njëjtën ditë Ilia Çabiri ka komunikuar me Petraq Dashin në lidhje me faktin që duhet të kontribuojnë edhe persona të tjerë për kryerjen e pagesës, të cilët do të përfitojnë nga prona.
Në këto biseda Ilia i thotë Petraqit: “Kur vjen finalja, unë i bëj punët e mia, pa merak për ato gjëra. Ato janë muhabetet e fundit që do të bëhen. Këto këtu unë do të nxirrja ndonjë diçka, të paktën 20 mijë euro, 10 mijë euro, 15 sa mund të nxirrnim, nuk nxorëm gjë, mbaroi filmi. Atë e kam unë në dorë në fund fare. Unë s’u jap gjë fare”.
“I DO TË THATA”
Në datën 10.07.2016, shtetasi Ilia Çabiri ka komunikuar përsëri me telefon me shtetasin Petraq Dashi. Midis këtyre personave është zhvilluar biseda me këtë përmbajtje:
Petraqi: Tashi më dëgjo me kujdes.
Ilia: Hë.
Petraqi: Unë fola me një fjalë direkt me atë mikun, mos ta zëmë emrin.
Ilia: Mos zë emra jo, jo, hiç vazhdo.
Petraqi: Ashtu, tani që sa folëm bashkë ne në mngjes, unë kontaktova edhe me mesazh.
Ilia: Po.
Petraqi: Tani që nga mëngjesi deri tani që unë i thashë propozimet dhe më tha, Petraq ai nuk pranon as me toka, as me gjë, i do të thata, në rregull.
Ilia: Po.
Petraqi: E vetmja gjë që na bëri ai ne është që nga 60 e çoi 50 dakord. Këtë po ta them ty, do të marrë dhe L., do t’ia them dhe asaj, sepse për ne është gjë e madhe që e uli 10.
Ilia: Po shumë ashtu, ta kishte ul dhe një çikë.
“NGA 60 NË 50”
Pasditen e datës 10.07.2016 është zhvilluar një bisedë telefonike midis shtetasit Ilia Çabiri dhe personit të identifikuar me emrin L. Në këtë bisedë, Petraq Dashi i komunikon asaj se personi tjetër i ka propozuar tokë, por ai i ka kërkuar vlerë monetare, i ka thënë se lajmi i mirë është që nga 60 e ka çuar 50 shumën. Petraq Dashi i ka thënë se ka një shpresë se do ta ndihmonte një mik, por që të tre ata duhet të nënshkruajnë një deklaratë noteriale, sikur i kanë atij borxh pjesën përkatëse të shumës, që ata duhet të paguajnë për efekt të procesit gjyqësor.
BORXHI
Nga hetimet ka rezultuar se më 11 korrik 2016, Ilia Çabiri dhe shtetasja me emrin L. kanë shkuar në qytetin e Fierit dhe janë takuar me shtetasin Petraq Dashi. Rreth orës 10:45, të tre personat kanë shkuar në një zyrë noterie, ku dyshohet se kanë nënshkruar deklaratat noteriale për njohjen e borxhit shtetasit Petraq Dashi.
Më pas, Petraq Dashi ka shkuar në një pikë të këmbimit valutor, ku ka takuar një person që mbante një çantë të zezë në dorë. Të dy këta të fundit kanë hyrë në pikën e këmbimit valutor dhe në momentin që shtetasi Petraq Dashi ka dalë nga ky ambient, ka mbajtur në dorë një qese të mbështjellë pjesërisht me një letër të bardhë, të cilën e ka marrë me vete.
“VAPË E MADHE, IKIN NJERËZIT”
Në datën 11.07.2016, pra 12:38, Petraq Dashi ka telefonuar shtetasin Odhise Andrea:
Odhise: E Petraq?
Petraqi: Odhise, ça po bën vëlla, mirë je?
Odhise: Mirë, ça bërë ti?
Petraqi: Hajt, dëgjo.
Odhise: Hë.
Petraqi: Si e ke më mirë, takohemi sonte në darkë në Tiranë, apo nesër? Si është më mirë?
Odhise: Po sa më shpejt, aq më mirë. Vapë e madhe, ikun njerëzit.
Petraqi: E në rregull atëherë, unë po ashtu, pastaj për mbasdite sot.
Odhise: Flasim mbasdite 6-7 mbasdite që të… mirë ë?
Petraqi: Po, ok, hajt.
DORËZIMI I RYSHFETIT
Më 11.07.2016, rreth orës 19:15, Petraq Dashi është takuar në Tiranë me shtetasin Odhise Andrea, ku së bashku janë ulur në ambientet e jashtme të lokalit “H…”. Takimi është vëzhguar nga Policia Gjyqësore me foto dhe video në distancë të afërt.
Në momentin që shtetasi Petraq Dashi ka shkuar në takim, ka pasur me vete, përveç çantës së tij të dorës, edhe një qese të mbështjellë me letër, të njëjtën që ka pasur në dorë në momentin që ka dalë nga zyra e “Exchange”- it në Fier. Në momentin që ata anë ngritur nga tavolina ku ishin ulur qesen e mësipërme, shtetasi Petraq Dashi ia ka dhënë shtetasit Odhise Andrea, i cili e ka mbajtur në dorë në mënyrë të dukshme dhe më pas është larguar për në banesën e tij.
“I PRURA ATË PLAÇKËN”
Në datën 11.07.2016, pra në orën 19:44, disa minuta pas takimit me shtetasin Odhise Andrea, shtetasi Petraq Dashi është telefonuar nga një familjare e tij, e cila e ka pyetur se ku ndodhej.
Në këtë bisedë Petraqi i është përgjigjur se: “Unë jam këtu te sheshi ‘Willson’, se erdha e i çova atë porosinë atij shokut. Këtij këtu në Tiranë. I prura atë plaçkën. Këtë javë mbyllet tha ai, e merr në dorë”.
ma.me