Stefani për “Shqip” merr në analizë të gjitha lëvizjet politike të pas vitit 1990, duke përmendur Berishën, Nanon dhe liderë të tjerë në të dy anët e kufirit për të shpjeguar arësyen e këtyre sulmeve të opozitës.
“Në një qëndrim krejtësisht antishqiptar PD i është kundërvënë deklarimit të kryeministrit Rama se Serbia duhet të njohë Kosovën dhe se miniera e Trepçes i përket Kosovës dhe nuk mund të transferohet në Beograd. Nuk të takon ty të flasësh për Kosovën! – i hakërrehen nga SHQUP-i kryeministrit. Por bën përshtypje fakti se deklarimet e Partisë Demokratike në Tiranë harmonizohen me ato të Partisë Demokratike në Beograd që ka kërkuar dëbimin e Ramës nga Serbia pas deklarimit të tij se Serbia do t’i bënte mirë edhe vetes nëse do pranonte pavarësinë e Kosovës.
Shihet pra se deklarimet e Ramës kanë hidhëruar jo vetëm qarqe shoviniste në Beograd por edhe ca “demokratë” berishistë në zyrat e SHQUP-it në Tiranë. Po përse bezdisen në SHQUP njësoj si në Beograd? Sepse shohin që lideri i tyre “historik” Sali Berisha të humbasë mitin e liderit të gjithë shqiptarëve në rajon, një mit që për më shumë se dy dekada, e ka keqpërdorur në luftën e tij për pushtet. Sepse sipas fanatikëve idhujtarë të PD, për Kosovën duhet të flasë vetëm “patrioti i madh” Berisha, pikërisht ai që kontrabandoi naftë me Milosheviçin në kohën kur tanket e tij, të ushqyera me naftën e kontrabanduar nga “Shqiponja” e PD, shtypnin me zinxhirët e tyre Kosovën.
Tërbimi i SHQUP-it kundër vizitës dhe deklarimeve të Ramës në Beograd i ka rrënjët në faktin se ata ja kanë ndjerë për shumë vite, në raport me ndërkombëtarët, shijen dhe leverdinë e mitit të liderit mbarëshqiptar të lakmuar dhe pretenduar nga Berisha. Sot është e qartë se mbështetja e verbër dhe për mbi dy dekada e ndërkombëtarëve për autokratin Berisha, i ka patur rrënjët jo edhe në interesat gjeostrategjike të Perëndimit në gadishullin e Ballkanit.
Kur në vitin 2009 Berisha bëri një vizitë në Kosovë, u dekorua nga Hashim Thaçi me “Urdhrin e Lirisë”. Ishte e dhimbshme që këtij autokrati t’i jepej urdhri i lirisë nga një ish-luftëtar i UÇK-së të cilin, policia e Berishës e kish arrestuar dikur, ndërsa vepronte në Tiranë në interes të UÇK-së. Por më ra në sy fakti që propaganda qeveritare në të dy shtetet bëri kujdes ta paraqiste Berishën si lideri i të gjithë shqiptarëve. Të krijohej përshtypja se, me atë vizitë, Berisha donte t’i tregonte SHBA- ve dhe BE-së se nuk ishte lider vetëm i Shqipërisë por, në një kuptim, edhe i Kosovës dhe se largimi i tij nga pushteti, mund të kishte pasoja negative deri edhe rajonale.
Dy vite më vonë, në korrik të vitit 2011 gazeta “Koha Ditore” do botonte një dokument të “Ëikileaks” ku shprehej brengosja e Hashim Thaçit, për ndikimin e Berishës në Kosovë duke e trajtuar atë jo si një shtet Sovran si dhe deklarimet e tij që ngjallnin në rajon frikën e panshqiptarizmit. Në fakt, ndërkombëtarët, kohë pas kohe, e kanë ndjerë nevojën që Tirana të ndërhyjë për të qetësuar ujërat mes Kosovës dhe Serbisë. Berisha ka bërë gjithçka për të dëshmuar se është lideri që e ka ekskluzivitet tutorializmin mbi liderët shqiptarë në rajon.
Është ndihur edhe nga fakti se jo pak kosovarë, për shkak të një tendence lokaliste të fortë dhe përkundër një homogjeniteti kombëtar që nuk bën të tilla dallime, e perceptojnë vetëm Berishën si “të tyrin”. Simpati që nuk e kanë shfaqur kurrë as për Fatos Nanon dhe as për ndonjë politikan tjetër në Tiranë. Si për shembull, për Pandeli Majkon, që kur ishte kryeministër, ka bërë për kosovarët shumë më tepër se Berisha në momentet e eksodit të tyre biblik. Por Berisha është nga Tropoja, një krahinë malore në Veri të Shqipërisë, thuajse pjesë e Kosovës në pikëpamje gjeografike dhe që ndan shumë tradita lokale me të. Ndryshe s’ka si shpjegohet kjo simpati për një lider që kur ja ka dashur interesi i pushtetit, ka bërë dukshëm gjëra jo në përputhje me interesin e Kosovës. Këtu hyjnë jo vetëm kontrabanda e naftës me regjimin e Millosheviçit apo sugjerimi për mosnënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë, por deri edhe përndjekjet e figurave të UÇK.
Të lind dyshimi se rikthimi i Berishës në pushtet në 2005 nuk është i palidhur me “panshqiptarizmin” që përmendte me shqetësim edhe Hashim Thaçi. Për çfarë panshqiptarizmi bëhej fjalë? Eshtë fakt se një nga lajtmotivet e qeverisë Berisha pas vitit 2005 ka qenë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Për këtë qëllim, në vitin 2010, zëvendëskryeministri Ilir Meta, bëri edhe një vizitë në Beograd. Pas kësaj vizite, në pranverën e vitit 2011 nga politika serbe edhe me gojën e presidentit Tadiç, u lëshua teza se duhet të jenë Tirana dhe Beogradi ato që duhet të zgjidhin çështjen e Kosovës. Kjo do të thoshte të nxirrej jashtë loje jo vetëm Prishtina por edhe sovraniteti i Kosovës si shtet.
Pse kjo preferencë e Beogradit për Tiranën, në fakt, për Berishën? Përse preferohej Berisha si palë dhe jo Prishtina? Duket se Beogradi po e trajtonte Kosovën jo si shtet të pavarur por si krahinë të Shqipërisë. Pikërisht ashtu siç Thaçi ankohej se Berisha po sillej ndaj Kosovës. Në këtë pikë nuk mund të mos kujtojmë edhe akuzat që gazetarë perëndimorë kanë publikuar lidhur me Berishën si politikan i mbështetur nga qarqe britanike proserbe.
Nën këtë optikë, Berisha na shfaqet edhe si një “Kalë Troje” i Serbisë, i gatshëm që në momentin e duhur dhe për interesa të përjetësimit në pushtet, të bëjë ato lëshime në kurriz të Kosovës që nuk do t’i bënte dot asnjë politikan tjetër shqiptar. Dukuria nuk ka qenë një mëkat i panjohur për qeveritarët shqiptarë. Zogu kish shitur Shën Naumin dhe Vermoshin.
Enver Hoxha, në ballafaqim me Titon, nuk kish këmbëngulur për respektimin e të drejtës së Kosovës për vetëvendosje. Berisha, edhe sikundër shihet në kabllogramet e Ëikileaks, ishte koshient për padrejtësinë që i bëhej Shqipërisë kur ofroi deri dhënien e ujërave detare Greqisë. Ai ka bërë me të huajt, në funksion të qëndrimit në pushtet, mjaft koncesione rrënuese për shtetin shqiptar. Pse të mos bënte ca të tilla në kurriz të Kosovës? Tradicionalisht, pushtetarët shqiptarë kanë shitur shtetin dhe interesat e tij në emër të pushtetit. Kish ardhur koha që edhe Berisha të shiste kombin!
Nëse pranohet kjo hipotezë, mund të thuhet se edhe largimi i Fatos Nanos u mbështet ndoshta edhe për faktin se ai nuk e luante dot një rol të tillë. Ka mbetur ende mister se çfarë është biseduar mes Nanos dhe zëvendësdrejtorit të CIA-as që vizitoi Tiranën pak para zgjedhjeve të korrikut 2005. Pëshpëritet se Nanos i është thënë të largohet. Fakt është se Berisha u rikthye në pushtet në vitin 2005 duke patur ende më pak vota se e majta.
E gjitha bie erë e një skenari apo marrëveshjeje të fshehtë që ndoshta do të zbardhet ndonjë ditë. Po në këtë logjikë mund të komentohet edhe thashethemnaja që qarkullonte ato kohë se “ndërkombëtarët nuk e duan Edi Ramën”. Nëse kishte diçka të vërtetë në ato thashetheme, me shumë gjasa, nuk kishin të bënin me veset e Ramës si politikan. Po të ish për vese, ndërkombëtarët duhet të kishin flakur me kohë autokratin dhe të korruptuarin Berisha. Ka më shumë të ngjarë që mungesa e mbështetjes nga ndërkombëtarët për ardhjen e Edi Ramës në pushtet, të kishte të bënte pikërisht me faktin se ai, ndonëse ka një origjinë nga qyteti verior i Shkodrës, mendohej se nuk qe në gjendje të ndikojë fuqishëm në politikën kosovare sikundër Berisha.
Ndoshta sepse e ndjenin këtë mangësi, njerëz pranë Ramës nisën të artikulojnë, andej nga fillimi i vitit 2011, nevojën e një vizite të tij në Kosovë. Që nga ajo kohë gjërat kanë ndryshuar shumë shpejt kundër mitit të Berishës si lider mbarëshqiptar. Tashmë ndërkombëtarët nuk e fshehin preferencën për Edi Ramën dhe diplomacinë e tij të moderuar me fqinjët. Kjo shpjegon edhe tërbimin e SHQUP-it kundër deklarimeve shumë korrekte të Ramës në Beograd.
Do vite më parë, pragmatizmi i ndërkombëtarëve për të konservuar stabilitetin në Ballkan duke çeduar përkohësisht edhe në implementimin e demokracisë liberale, ka inkurajuar jo pak autokratizmin berishist dhe tendencat tiranike në Tiranë. Sot gjendja ka ndryshuar dhe është fat që axhenda e ndërkombëtarëve për stabilitet në rajon përputhet me themelimin e institucioneve të demokracisë liberale sikundër është një pushtet i pavarur drejtësie. Edi Rama ka ditur të harmonizojë interesat e pushtetit me këtë modifikim të strategjisë në ndërkombëtarëve ndërkohë që, në të kundërt, korrupsioni i akumuluar në 8 vjet qeverisje i pengon berishistët t’i përshtaten asaj madje duke hyrë në konflikt edhe me përfaqësuesit e diplomacisë së SHBA dhe BE në Tiranë.
Por duhet pranuar se Berisha, në dekadën e parë të tranzicionit, ka qenë më i qartë se të gjithë rivalët e tij duke parashikuar se do të vinte momenti që interesat rajonale dhe gjeostrategjike të perëndimorëve, të prevalonin mbi ato të demokracisë në një vend të vogël si Shqipëria. Prandaj ai e ruajti me xhelozi statusin e tij si një lider me ndikim në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare. Ky duket ka qenë dhe shkaku se përse ai e sulmoi me tërbim Fatos Nanon kur ky i fundit kuturisi të takohet me Sllobodan Milosheviçin. Ky është edhe shkaku se përse SHQUP-i sulmon sot Ramën për deklarime që nuk kanë të sharë për nga këndvështrimi patriotik.
Pra, nuk ishte meraku për “Atdheun” që e bëri Berishën të denonconte Nanon dje si tradhtar të kombit dhe Ramën sot si të padenjë për të folur për Kosovën, por frika e humbjes së statusit ekskluziv të liderit mbarë shqiptar me ndikim rajonal. Nuk arrin të kuptojë se gjërat kanë ndryshuar radikalisht. Sot interesat strategjike të ndërkombëtarëve në rajonin e Ballkanit nuk kërkojnë më një sakrifikim të standardeve demokratike për hir të një stabiliteti qoftë edhe autokratik por përkundrazi, forcimin e stabilitetit duke luftuar korrupsionin dhe krimin me anë të pushteteve të pavarura gjyqësore. Dhe autokratë si Berisha, të rënë nga pushteti me një thes korrupsionesh dhe krimesh mbi shpinë, nuk mund të përshtaten dot kurrë me këtë strategji që i çon drejt bankës së akuzës”, shkruan Stefani.