Përtej konspiracioneve gjeopolitike, arsyeja reale se pse investimet e mëdha kineze që kanë “pushtuar” rajonin mungojnë në Shqipëri është se qeveria jonë nuk i ka orientimet e qarta dhe projektet fizibël.
Në vend të përshtatemi me planin e madh kinez, ku përqasen projektet e “Korridorit Blu” dhe ato në energjetikë, qeveria shqiptare ka kushtëzuar investitorët aziatikë me “Rrugën e re të Arbërit” dhe “Portin e Shëngjinit”, projekte pa vizion dhe pa pikën e fizibilitetit.
Geri Selenica, Drejtor Ekzekutiv në Qendrën Shqiptare për Studime Strategjike, në një intervistë për “Monitor” shpjegon se kompani të mëdha kineze dëshirojnë të përfshihen në projektet e mëdha të infrastrukturës, por interesi i tyre lidhet me kryesisht me “Silk Road Economic Belt” (Brezi ekonomik i Rrugës së Mëndafshit) të qeverisë kineze. Kjo strategji ka si qëllim krijimin e infrastrukturës ndërlidhëse midis Azisë, Europës dhe Afrikës për të integruar më mirë tregun më të madh ekonomik prej 4,5 miliardë banorësh.
Në harmoni me këtë strategji, Kina në Ballkan i ka dhënë prioritet “Korridorit 10”, që fillon nga Pireu, në Selanik, Shkup, Beograd dhe Budapest, thotë Selenica. Dhe për këtë po financon dhe ndërton një hekurudhë të shpejtësisë së lartë Beograd-Budapest, e cila u firmos vjet në Takimin e Beogradit.
Në interesin e lartë të investimeve kineze shihen projektet në energjetikë. Konkretisht ka pasur interes për hidrocentralin e Skavicës, hidrocentralet e Vjosës, rinovimin total të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe Albpetrol-in. Kompanitë kineze që kanë paraqitur interes për këtë sektor janë më të mëdhatë në botë, si PowerChina, GeZhouBa, Norinco, China State Grid, etj. Por qeveria shqiptare, thotë Selenica, ende nuk e ka të qartë se ç’duhet të bëjë me secilin nga projektet dhe me sektorin në përgjithësi.
Flet Geri Selenica, Drejtor Ekzekutiv, Qendra Shqiptare për Studime Strategjike
Shqipëria të lobojë që të bëhet pjesë e Korridoreve të Mëndafshit
Qeveria shqiptare është përpara SFIDËS SË SHEKULLIT, që të arrijë të përfitojë nga Korridoret e Mëndafshit. Dhe rruga më e mirë për ta bërë këtë është lobimi pranë Komisionit Europian për Korridorin Adriatik (zgjatim i Med Corridor hekurudhë e autostradë), që të zëvendësojë ose konkurrojë paralelisht me Korridorin 10.
Si e shpjegoni interesin e viteve të fundit të Kinës për Ballkanin dhe Europën Juglindore?
Interesi i Kinës nuk është specifik për Ballkanin dhe Europën Juglindore. Ballkani është një pjesëz shumë e vogël në strategjinë kineze “Silk Road Economic Belt” (Brezi ekonomik i Rrugës së Mëndafshit) të qeverisë kineze. Kjo strategji ka si qëllim krijimin e infrastrukturës ndërlidhëse midis Azisë, Europës dhe Afrikës për të integruar më mirë tregun më të madh ekonomik prej 4,5 miliardë banorësh. Kjo i përshtatet politikës së jashtme kineze të ushtrimit të fuqisë së saj në formë të butë (“soft power”) dhe planit për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Kinës, duke u integruar e duke u faktorizuar më mirë në ekonominë botërore. Ky është një plan afatmesëm dhe afatgjatë i përshkruar në librin e Presidentit Xi Jinping “Qeverisja e Kinës” (The Governance of China).
Konkretisht, për infrastrukturën ndërlidhëse me Europën, strategjia kineze parashikon 4 korridore “të rrugës së mëndafshit” për të lidhur Kinën me Europën:
Tre korridore tokësore dhe një korridor detar.
– Korridori Tokësor Verior niset nga Pekini nëpër Mongoli, Siberi arrin Moskën, Helsinkin, Berlinin dhe përfundon në Roterdam;
– Korridori Tokësor Qendror niset nga Shangai, përshkon mes përmes Kinën dhe ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore, Iranin, Turqinë dhe nga Stambolli futet në Ballkan për të përfunduar në Duisburg, Paris dhe Londër;
– Korridori Tokësor Jugor niset nga Guanxhou (Jugu i Kinës) dhe përfundon në portin e Kwadarit në kufirin jugor Pakistan-Iran. Ky korridor është në ndërtim e sipër duke përfshirë hekurudhë, autostradë, gazsjellës dhe naftësjellës. Vetëm në Pakistan, Kina po investon për këtë korridor 31 miliardë euro.
– Korridori Detar parashikon lidhjen detare të Kinës me Indinë, Afrikën dhe me hyrje në Europë nga porti i Pireut në Greqi.
Si pozicionohen specifikisht vendet e Ballkanit në këtë strategji?
Siç e shihni në harta, dy nga korridoret më të rëndësishme të Rrugës së Mëndafshit kanë pikat e tyre të hyrjes në Europë nga Ballkani: Korridori Detar, që është më i rëndësishmi për nga volumi i mallrave, futet në Portin e Pireut dhe Korridori Tokësor Qendror futet nga Stambolli.
Faktikisht, Kina në Ballkan i ka dhënë prioritet Korridorit 10, që fillon nga Pireu, në Selanik, Shkup, Beograd dhe Budapest. Dhe për këtë po financon dhe ndërton një hekurudhë të shpejtësisë së lartë “Beograd-Budapest”, e cila u firmos vjet në Takimin e Beogradit.
Përveç kësaj, Kina ka financuar shumë autostrada në Serbi, Maqedoni dhe Malin e Zi.
Nga përvoja juaj dhe kontaktet me kompanitë kineze, sa interes përbën tregu shqiptar për ta dhe në cilët sektorë? Sa pengesë përbën fakti që Shqipëria është një treg i vogël?
Natyrisht që Shqipëria është një treg shumë i vogël dhe larg epiqendrave ekonomike dhe në vetvete nuk paraqet interes të madh për Kinën. Interesi konkret i firmave kineze në Shqipëri është për projekte hidroenergjetike dhe infrastrukture.
A – Projektet në energjetikë janë me leverdi, pasi energjia është një mall që shitet kollaj. Konkretisht ka pasur interes për hidrocentralin e Skavicës, hidrocentralet e Vjosës, rinovimin total të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe Albpetrol-in. Kompanitë kineze që kanë paraqitur interes për këtë sektor janë më të mëdhatë në botë, si PowerChina (www.powerchina.cn), GeZhouBa (www.cggc.cc), Norinco (www.norincogroup.com.cn), China State Grid (www.sgcc.com.cn), etj. Fatkeqësisht qeveria shqiptare është takuar disa herë me këto firma, kemi mikpritur kryeministrin Rama dhe ministrat në Kinë dhe këtu, janë firmosur Letra Mirëkuptimi, firmat kineze kanë dërguar shumë grupe në Shqipëri, madje kanë hapur dhe zyrat e tyre dhe si përfundim nuk ka asnjë rezultat pozitiv. Arsyet janë këto:
1 – Qeveria shqiptare ende nuk e ka të qartë se ç’duhet të bëjë me secilin nga projektet dhe me sektorin në përgjithësi. P.sh., rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike ka nevojë për një rinovim total se është mbi 50 vjet i amortizuar, dhe qeveria në vend ta bëjë këtë nga A tek ZH, merret vetëm me ndërhyrje kozmetike, duke vendosur disa Smart Meters gjermane!!! Ose për hidrocentralet e Skavicës dhe Vjosës, qeveria dëshiron që t’i japë me koncesion te disa firma të vogla turke, ndërkohë që injoron propozimet nga firma gjigante kineze. Propozimet kineze janë që, sidomos HEC Skavica, duhet të mbetet në pronë të KESH, që të jetë rezervuari më i madh ujor i Shqipërisë (tre herë më i madh se Fierza) dhe të bëjë gjithë optimizimin e Kaskadës së Drinit, duke rritur 20% efektivitetin energjetik të saj. Madje një nga firmat kineze i ofroi qeverisë shqiptare një kredi të butë 30-vjeçare, me 2% interes në vit dhe me 7 vjet grace period (faljeje), aq sa zyrtarët më të lartë të qeverisë nuk arrinin dot t’ju besonin veshëve. Dhënia me koncesion është krejtësisht në dëm të Shqipërisë. Lexuesi duhet të dijë që HEC Skavicën kanë dështuar ta marrin me koncesion firmat më të mëdha në Europë, si ENEL, EVN, RWE, etj., pikërisht për këtë arsye. Dhe nuk mendoj kurrë që një firmë hotelesh nga Turqia do të arrijë ta ndërtojë. Pa llogaritur që qeveria nuk ka bërë asnjë konsultim me popullsinë e Dibrës për këtë projekt. Ose qeveria nuk i kthen fare përgjigje PowerChina (ka 53% të tregut botëror të hidroenergjisë) për propozimin e saj për ndërtimin e gjithë kaskadës së Vjosës, që përfshin një zgjidhje të integruar dhe me Greqinë. Ndërkohë jep me koncesion HEC Pocem te një firmë turke që merret me tregtim makinerish ndërtimi!!!
2 – Për mua refuzimi i ofertave të tilla ka vetëm një shpjegim: qeveria shqiptare, mbase për arsye “gjeostrategjike”, nuk dëshiron futjen e investimeve kineze në energjetikë. Unë besoj që kjo është një dritëshkurtësi e kushtueshme, pasi PowerChina që ofroi të ndërtonte HEC-et e Skavicës e Vjosës, firmosi muajin e shkuar në prezencë të presidentit kinez Xi Jinping dhe të kryeministrit David Cameron ndërtimin e një centrali atomik në Angli prej 13 miliardë paund.
Shkurt në hidroenergji Kina ka interesim shumë të madh me propozime që arrijnë në total mbi 3 miliardë euro, Shqipëria ia ka mbyllur portën dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë, pasi jam në brendësi të çdo projekti. Dhe nuk ka zyrtar të shtetit shqiptar që të mund të më dalë para dhe të më argumentojë të kundërtën.
B – Projektet në infrastrukturë duken në një situatë më optimiste. Kjo për faktin e thjeshtë, që asnjë investitor i huaj nuk ka interes për këto projekte përveç Kinës. Interesi i firmave kineze është për faktin që qeveria kineze i përkrah e financon investimet në infrastrukturë, si pjesë e strategjisë së saj të Rrugës së Mëndafshit.
Pasi dështuam në energjetikë, Qendra Shqiptare e Studimeve Strategjike (QSHSS) ka arritur të fusë në axhendën e Komisionit Europian Hekurudhën e Adriatikut (Kroaci-Greqi) dhe ka formuar një grup interesi për realizimin e saj.
Konkretisht, në Shqipëri janë dy projekte rrugore në proces negocimi me dy firma kineze. Është Rruga e Arbërit, në negocim me “China State Construction” (http://www.cscec.com/), projekt i cili që në fillim kemi sugjeruar, që të bëhet me financim nga buxheti i shtetit, pasi nuk është fizibël me modelin e koncesionit. Jemi të sigurt që kështu do të përfundojë. Pas kaq vite negocimesh, bankat kineze janë tërhequr nga financimi i këtij projekti, pasi qartazi nuk mund të ketë 15,000 makina në ditë trafik, kështu që dhe “garancia e trafikut” nuk është garanci. I vetmi opsion është që firma kineze ta bëjë me paratë e veta, por dhe kjo më duket e pamundur. Qeveria ka gabuar që në fillim të herës, që në vend t’i ofronte firmës kineze dhe bankave kineze një projekt relativisht rentabël dhe me rëndësi rajonale, që përfshihet në strategjinë kineze të Rrugës së Mëndafshit, si p.sh. Autostradën Blu ose Elbasan-Qafë Thanë-Kapshticë, ofron 26 km rrugë malore pa trafik!!!
Megjithatë besoj që firma e parë kineze, që do të ketë sukses në Shqipëri në ndërtimin e rrugëve është “China Road & Bridge Corporation – CRBC” (http://www.crbc.com/), që ka dhënë ofertën më të mirë (rreth 90 milionë euro) për ndërtimin përfundimtar dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Nëse kjo firmë fiton, pavarësisht investimit modest, besoj do të jetë një zhvillim shumë pozitiv për marrëdhëniet me Kinën dhe hapja e një periudhe më të qartë bashkëpunimi, jo me projekte utopike, por me projekte konkrete. CRBC e bën krejtësisht vetë 100% financim i rrugës dhe ky është Investimi i Huaj Direkt (FDI) i parë nga Kina. Ndërsa firmat e tjera kineze të infrastrukturës janë kontraktorë EPC dhe financimet bëhen nga bankat kineze (kryesisht China Exim Bank (www.eximbank.gov.cn/)).
Qeveria shqiptare ka pasur propozime dhe interesim për investime në 2 segmentet më të rëndësishme autostradale:
– Autostradën Tiranë-Ulqin-Podgoricë nga konsorciumi CAMCE & Chongqing Construction Engineering (www.cceg.cn/);
– Autostradën Tiranë-Durres dhe Thumane-Rrogozhinë nga konsorciumi PowerChina/SinoHydro, bile ka firmosur një marrëveshje mirëkuptimi ekskluzive për to
– Autostradën Elbasan-Qafë Thanë nga konsorciumi PowerChina/SinoHydro & Pacific Construction (www.cpcg.com.cn/).
Pacific Construction Group është kompania e vetme private kineze, pronë e miliarderit Yan Jiehe, që është e interesuar të ndërtojë autostrada në rajon, pasi kompanitë e tjera janë shtetërore. Faktikisht zoti Yan Jiehe është pritur jashtë mase mirë nga zyrtarët më të lartë shqiptarë dhe ai ka ofruar të financojë personalisht brenda tre muajve, çdo projekt, që përfshihet në Korridoret Euriopiane ose të Rrugës së Mëndafshit. Konkretisht Yan Jiehe ka ofruar fincancimin dhe ndërtimin 100% të “Autostradës Adriatiko-Joniane” në të gjithë gjatësinë e saj nga Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria deri në Greqi, si dhe “Korridorin 8” nga Sofja në Durrës. Ai iu ka paraqitur shteteve respektive dosje voluminoze me propozimet konkrete inxhinieriko-financiare dhe jo vetëm ide. Dhe ka propozuar, që në takimin e kryeministrave të Europës Lindore e Qendrore dhe Kinës, që do të mbahet në fund të muajit në Pekin, të firmosen Memorandume Mirëkuptimi midis Qeverive të Kinës, Kroacisë, Malit të Zi e Shqipërisë (për “Autostradën Adriatiko-Joniane”) dhe Shqiperisë, Maqedonisë e Bullgarisë (për “Korridorin 8”) dhe Pacific Construction. Vetëm financimi dhe ndërtimi 100% në të gjithë gjatësinë mund t’i bëjë fisibile këto korridore, pasi maksimizohet potenciali i trafikut. (http://albanian.cri.cn/361/2014/10/07/302s135601.htm)
Gjithashtu, ne kemi sjellë në Shqipëri për hulumtimin e tregut hekurudhor “China Railways Construction Corporation” (www.crcc.cn). Po përpiqemi të ndërtojmë një propozim të ngjashëm të integruar si i Pacifikut dhe për:
– “Hekurudhën Adriatik-Egje” (Kalabaka, Kapshtice, Lin, Hani i Hotit, Podgoricë, Plocë, Split);
– “Hekurudhen (R10) Orient/East Med Railway Corridor” (Beograd-Kraljevo & Nish-Prishtinë-Durrës);
– “Hekurudhën Korridori 8” (Sofje-Shkup-Lin-Durres).
Ç’presin këto kompani të infrastrukturës për të realizuar projektet infrastrukturore në Shqipëri? Nga përvoja juaj, cilat janë vështirësitë me të cilat hasen kompanitë kineze që duan të hyjnë në tregun shqiptar?
Së pari, Shqipëria nuk ka asnjë projekt serioz të certifikuar për infrastrukturën rrugore ose hekurudhore, që të mund t’jua paraqesë investitorëve ose financueseve kinezë. Dhe ç’është më e keqja nuk investon që të përgatisë projekte të certifikuara.
Për Autostradën Adriatiko-Joniane do të financohet një parastudim nga Komisioni Europian dhe do të marrë kohë. Për Autostradën Elbasan-Qafë Thane po bën një studim paraprak fizibiliteti dhe paraprojekt një kompani kineze, por për llogarinë e saj. Për hekurudhat po bëhet një studim i financuar nga BERZH.
Së dyti, dhe sikur të ketë një projekt të certifikuar, kjo nuk do të thotë që projekti është me leverdi. Në përgjithësi këto projekte nuk janë rentabile, kështu që financuesit kërkojnë garanci sovrane ose garanci trafiku. Asnjë qeveri e Ballkanit Perëndimor nuk ka hapësira buxhetore për të ofruar garanci sovrane, ndërsa Greqia e Kroacia (vende të BE-së) për metodologjinë e tyre të buxhetit edhe garancia e trafikut, ju përllogaritet 100% si garanci sovrane. Kështu që duket sikur nuk është situatë optimiste për këto investime kineze në rajon.
Së treti, rrugëzgjidhja e këtij ngërçi është te Komisioni Europian, pasi duke i klasifikuar disa nga projektet infrastrukturore të Ballkanit në TEN-T Core Network (Rrjet Thelbësor i Qarkullimit në BE), bën të mundshëm mbështetjen e tyre financiare nga BE. BE këtë vit, ashtu si Anglia e Gjermania, kanë bërë një hapje 100% ndaj iniciativës ekonomike kineze të Rrugës së Mëndafshit, pasi e kanë kuptuar që kjo infrastrukturë ka leverdi reciproke dhe po bëjnë brenda 2015 një Platformë të Përbashkët Ndërlidhjeje Kine- BE (EU-China Connectivity Platform). http://europa.eu/rapid/press-release_IP-15-5723_en.htm
Kina, Gjermania, Franca, Italia, Anglia janë aksionerët kryesorë të bankës së re, që do të fillojë në vitin 2016, Asian Infrastructure Investment Bank (www.aiib.org), e cila mund të jetë financuesja kryesore e projekteve ndërlidhëse të infrastrukturës midis Europës dhe Azisë.
Qeveria shqiptare është përpara SFIDËS SË SHEKULLIT, që të arrijë të përfitojë nga Korridoret e Mëndafshit. Dhe rruga më e mirë për ta bërë këtë është lobimi pranë Komisionit Europian për Korridorin Adriatik (zgjatim i Med Corridor hekurudhë e autostradë), që të zëvendësojë ose konkurrojë paralelisht me Korridorin 10. Nëse Komisioni Europian do t’i sugjerojë qeverisë kineze që Korridori i Mëndafshit do të jetë në Korridorin Adriatik (Med Corridor), për Shqipërinë do të qe arritja e shekullit, pasi e fut në korridoret ndërkontinentale të tregtisë. Ministeriali i Transportit, që do të zhvillojë Komisioni Europian në datën 3.12.2015 në Tiranë, është një ngjarje shumë e rëndësishme politike dhe ekonomike, pasi 7 vende (Italia, Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria dhe Greqia) do të firmosin bashkërisht për Korridorin Adriatik (Med Corridor).
Pra investimet kineze në infrastrukturë do të bëhen në Shqipëri vetëm në kuadër të projekteve rajonale dhe nuk ka asnjë shans, që të bëhen vetëm projekte lokale.
A ka kompani të tjera kineze që kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri?
Po është prezent në Tiranë fondi i investimit më i madh privat kinez dhe po hulumton disa mundësi investimi. Ata janë takuar disa herë me qeverinë shqiptare dhe duken në marrëdhënie shumë të mira, por ende nuk kanë identifikuar ndonjë fushë investimi. Gjithashtu, qeveria shqiptare ka marrë disa propozime të mëdha investimi, si pyllëzimi i 100 mijë hektarëve pyje me paulownia, në akuakulturë për kultivimin e bregdetit shqiptar me kastravecë deti, por që janë lënë zvarrë për arsye të ndryshme.
Në këndvështrimin e një tregu rajonal, çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të qenë më tërheqëse për kompanitë kineze?
Siç e thashë më sipër, Shqipëria duhet të ketë projekte dhe të jetë serioze dhe precize në komunikimin me kompanitë kineze. Plus duhen disa shtytës ligjorë. Edhe kompanitë kineze kanë vështirësitë dhe paqartësitë e tyre në vende të vogla si Shqipëria. Kështu që duhet përmirësuar komunikimi. Kryeministri Rama, në mes të nëntorit do të bëjë takimin e katërt me kryeministrin e Kinës, brenda dy viteve, dhe do të qe mirë që të shkonte në Kinë me një paketë serioze propozimesh ekonomike, të përgatitura nga ekspertë të fushës dhe jo nga ministra që i thonë qeverise kineze “fokusohuni tek Shqipëria, se eshte ura juaj drejt Europës!!!” apo që i japin kryeministrit për bisedime projekte qesharake të pacertifikuara jofizibile e pa asnjë mundësi trafiku si “Europorti i Shëngjinit” apo “Rruga e Arbrit”, duke e vënë në një pozitë joserioze me bashkëbiseduesit kinezë.
/Monitor.al