• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, March 3, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Pse nuk depolitizohen komisionet zgjedhore? Niazi Jaho: Problemi nuk është teknik, por politik

by A R
19/11/2025 11:14
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Debati për depolitizimin e komisioneve zgjedhore të niveleve të ulëta është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, sidomos pas ngritjes së Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Në këtë intervistë, juristi dhe eksperti i njohur i legjislacionit zgjedhor, Niazi Jaho, një prej studiuesve më të hershëm të këtij problemi, sqaron se përse OSBE/ODIHR-i prej më shumë se dy dekadash rekomandon depolitizimin e administratës zgjedhore në nivelet lokale – dhe pse ky rekomandim ende nuk është zbatuar. Duke u mbështetur në dokumentet e OSBE/ODIHR-it, të Komisionit të Venecias dhe në eksperiencën e tij shumëvjeçare, Jaho shpjegon se problemi nuk është teknik, por politik: mungesa e vullnetit të aktorëve kryesorë ka bërë që komisionet e nivelit të ulët të mbeten të kapura nga dy partitë e mëdha. Ai argumenton gjithashtu arsyen pse depolitizimi nuk kërkohet për KQZ-në pas reformës së vitit 2020 dhe vë në dukje vështirësitë praktike me të cilat është përballur administrata zgjedhore në zgjedhjet e fundit. Në këtë bisedë, Jaho ofron edhe variante të mundshme për zgjidhjen e ngërçit, duke theksuar domosdoshmërinë e një reforme gjithëpërfshirëse dhe transparente.

OSBE/ODIHR-i për depolitizimin e komisioneve zgjedhore të niveleve të ulëta

Nga Niazi Jaho

–          Z. Jaho, ju jeni njohës i mirë i legjislacionit zgjedhor dhe të zbatimit të tij në praktikë. Në media për këtë problem keni trajtuar çështje nga më të ndryshmet. Në vitet 2003, 2004 dhe 2006 keni botuar 3 libra. Librin e vitit 2006 e keni titulluar: “Reforma zgjedhore përsëri me vonesë”. Në të keni argumentuar se komisionet zgjedhore të nivelit të ulët janë burim i shkeljes së ligjit. Meqë ky problem përmendet në disa raporte të OSBE/ODIHR-it, menduam tu drejtohemi juve për sqarimin më të qartë dhe më të plotë të kësaj çështjeje edhe për faktin se para disa ditësh është ngritur komisioni parlamentar për reformën zgjedhore.

–          Kam patur pasion profesional për tu njohur me parimet në të cilat mbështeten zgjedhjet në vendet demokratike. Për këtë një kolegu im më rekomandoi të njihesha me Kodin e Praktikës së mirë në çështjet zgjedhore miratuar nga Komisioni i Venecias në Tetor 2002.

Në Kodin e Praktikës së mirë që përmenda më lart, flitet për Komisionet e zgjedhjeve. Më ka tërhequr vemendjen fraza ku thuhet se në vendet me eksperiencë të vogël në organizimin e zgjedhjeve pluraliste ekziston rreziku i madh që qeveria të detyrojë autoritetet administrative të bëjnë çfarë dëshiron qeveria…Kjo është arsyeja përse duhen ngritur komisione elektorale të pavarura dhe të paanshme nga niveli kombëtar dhe deri në nivelin e qendrës së votimit. (faqe 2)

Më kujtohet se në Raportin e OSBE/ODIHR-it i vitit 2001 përmenden shkelje të ligjit, njëanshmëri dhe politizim i komisioneve zgjedhore.

Në 19 Qershor 2003 u miratua Kodi Zgjedhor bazuar në amendamentet e Kodit të mëparshëm, me konsensusin e anëtarëve të Komisionit Parlamentar bipartizan për reformën zgjedhore.

Më 23 Prill 2004, Komisioni i Venecias dhe ODIHR bënë komente të hollësishme për mjaft dispozita të Kodit Zgjedhor të mësipërm. Në këtë dokument midis të tjerave thuhet: Një shqetësim madhor përbëjnë dispozitat që rregullojnë formimin e komisioneve zgjedhore…Këto dispozita u kanë dhënë një rol të jashtëzakonshëm mbizotërues dy partive kryesore politike në çdo nivel të administratës zgjedhore. (faqe 3)

I përmenda këto dy dokumente sepse çështja e përbërjes dhe praktikës së komisioneve zgjedhore ka qenë problem shqetësues ku më shumë dhe ku më pak në të gjitha zgjedhjet. Por megjithkëtë, kjo praktikë nuk ka ndryshuar sepse mbi të gjitha dhe mbi gjithçka është vënë interesi i dy partive politike më të mëdha.

Prandaj është e drejtë ajo që thuhet në dokumentin e 23 Prillit 2004 se: “Asnjë zgjidhje teknike apo formale për formimin e komisioneve zgjedhore nuk mund të kurojë mungesën e vullnetit politik të aktorëve kryesorë në zgjedhje”. (faqe 4)

Për mendimin tim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e komisioneve zgjedhore të nivelit të ulët do të jetë vështirë të realizohen në atmosferën politike të tejskajshme që përjashton vullnetin politik për debatin e shëndoshë që kërkohet.

–          Po në raportet e tjera të OSBE/ODIHR-it a rekomandohet depolitizimi i komisioneve zgjedhore?

–          Rekomandime të tilla i gjen në disa raporte të OSBE/ODIHR-it. Kështu p.sh. në Rekomandimet prioritare të Raportit të vitit 2015 thuhet: “Vëmendje duhet ti jepet rritjes së pavarësisë, paanësisë dhe kapacitetit profesional të komisioneve zgjedhore. Ligji mund të ndryshohet në mnëyrë që të lejojë caktimin e komisioneve jo partiake në të gjitha nivelet dhe në këtë mënyrë të depolitizohet administrimi zgjedhor” (shih faqen 27 të Raportit)

–          Mbas Raportit të OSBE/ODIHR-it të vitit 2015 në raportet e tjera, përfshi edhe raportin e fundit të zgjedhjeve të 11 Majit 2025 a ka rekomandim për depolitizimin e komisioneve të gjithë niveleve, pra edhe të KQZ-së?

–          Jo, rekomandohet vetëm depolitizimi i komisioneve zgjedhore të nivelit të ulët kështu p.sh. në Raportin e fundit ku flitet për “Administrimin zgjedhor dhe depolitizimin thuhet: “Të forcohet profesionalizmi dhe pavarësia e administratës zgjedhore veçanërisht në nivelet lokale për të shmangur politizimin e komisioneve”.

–          Cila është arsyeja që për KQZ-në nuk bëhet fjalë d.m.th nuk rekomandohet edhe depolitizimi i tij?

–          Sepse në vitin 2020, KQZ-së ju bënë ndryshime thelbësore: u ndryshua përbërja dhe funksionet e tij, organet drejtuese të KQZ-së (Komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Komisioni Rregullator, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, si dhe kriteret e zgjedhjes së këtyre organeve, etj) (shih nenet 12-26 të Kodit Zgjedhor në fuqi)

–          A ka patur vërejtje për punën e KQZ-së mbas vitit 2020 dhe sidomos në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it?

–          Po, ka patur, por jo thelbësore, jo për njëanshmëri, jo për shkelje të ligjit me pasoja të dëmshme. Madje duhet thënë se veprimtaria e tij është vlerësuar pozitivisht. Kështu p.sh. në raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it thuhet se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve punoi në mënyrë transparente dhe gjithë përfshirëse, por u përball me politizimin e niveleve më të ulta.

Për mendimin tim KQZ-ja u ndesh me vështirësi sidomos lidhur me organizimin dhe administrimin e votimit të shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit që zhvillohej për herë të parë. Megjithëkëtë, këtë proces KQZ-ja e përballoi në përgjithësi me sukses edhe për faktin se në momente kyçe u konsultua me partitë politike dhe shoqërinë civile.

–          Ju vetë a keni ndonjë observacion apo kritikë për KQZ-në?

–          Nga media jam informuar mbi punën e KQZ-së, për vendimet e saj para dhe pas zgjedhjeve. Ajo që më ka tërheuqr vemendje (por që nuk disponoj të dhëna të plota dhe të sakta sepse nuk jam njohur me ankesat e subjekteve zgjedhore dhe vendimet) është periudha paszgjedhore. Është e drejtë e subjekteve përkatëse zgjedhore të ankohen ashtu siç është e drejtë dhe kompetencë e KQZ-së dhe Kolegjit zgjedhor të vendosë. Megjithkëtë, krijova përshtypjen se vendimet për rinumërimin e votave në një shkallë aq të gjerë, nuk kanë qenë të motivuara gjë që u vërtetua edhe gjatë verifikimit në praktikë. Kështu p.sh. me sa më kujtohet në qarkun e Tiranës, u vendos rinumërimi i plotë i votave në të gjitha KZAZ-të. Cili ishte rezultati? Trafikim apo mospërputhje e një numri relativisht të paktë votash midis kandidatëve që nuk pati ndikim në ndarjen e mandateve dhe që u cilësua “gabim njerëzor”.

–          Ka mendime se nëse ekziston vullneti i partive politike, komisionet zgjedhore të niveleve më të ulëta mund të dipolitizohen, kriteret për zgjedhjen e tyre ti caktojë Kuvendi ndërsa KQZ-ja të jetë organ i përzgjedhjes së tyre. Ç’mendoni për këtë?

–          Mendoj se propozimi vlen të diskutohet, por ai duhet të jetë gjithëpërfshirës.

–          Për ta bërë më të pranueshëm këtë propozim, ka edhe një propozim që në përbërjen e këtyre komisioneve të depolitizuara, të këtë edhe një përfaqësues nga mazhoranca dhe opozita, por pa të drejtë vote. Cili është mendimi tuaj?

–          Nuk pajtohem me këtë propozim sepse kështu do të krijohej një “zjarr” i vogël brenda komisionit, që do të ishte burim i mundshëm konflikti. Pse ky person i dërguar i subjektit zgjedhor të mos ishte vëzhgues, siç është sot me të drejtën për të bërë vërejtje me shkrim?!

–          Për të gjithë është e qartë pse nuk është pranuar rekomandimi i OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e komisioneve zgjedhore. Opozita nuk ka besim tek komisionet me përbërje nga administrata publike. A mendoni se mund të gjendet ndonjë variant tjetër më i pranueshëm?

–          Variantet e mundshme dhe të pranueshme mendoj se mund të jenë objekt diskutimi fillimisht në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore që duhet të jetë gjithëpërfshirëse duke patur parasysh atë që thuhet në një nga rekomandimet e fundit prioritare të OSBE/ODIHR-it: “Të ndërmerret një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore përmes konsultimeve të hapura dhe transparente me të gjitha partitë politike, shoqërinë civile dhe ekspertë të pavarur”.

Në përfundim, më lejoni të shpreh keq ardhje që një numër i konsiderueshëm i Rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it deri sot as që janë bërë objekt shqyrtimi. Është shqetësues fakti që thuajse në të gjitha Raportet e OSBE/ODIHR-it theksohet: “Këto Rekomandime duhen lexuar së bashku me rekomandimet e mëparshme që mbeten për tu trajtuar”.

Intervistoi

Zylyftar Bregu

Next Post
Vijon “cirku” me dosjen “Partizani”, GJKKO shtyn sërish seancën për Berishën, por e gjobit me 10 mijë lekë

Dy orë në SPAK për 21 Janarin, Berisha ia 'ngec' Bashës dhe Prendit: Më thanë se do shkelësh mbi kufoma nëse...

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Lufta në Iran trondit tregjet evropiane, gazi rritet me 33% brenda pak ditësh

Lufta në Iran trondit tregjet evropiane, gazi rritet me 33% brenda pak ditësh

March 3, 2026
Përshkallëzohet lufta në Lindjen e Mesme, përfshihet edhe Evropa

Përshkallëzohet lufta në Lindjen e Mesme, përfshihet edhe Evropa

March 3, 2026
Akuzohet si ekzekutori i Nikulajt, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për portugezin

Akuzohet si ekzekutori i Nikulajt, Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për portugezin

March 3, 2026
Spanja nuk lejoi përdorimin e bazave të saj për sulm ndaj Iranit, Izraeli: Je në anën e gabuar të historisë

Spanja nuk lejoi përdorimin e bazave të saj për sulm ndaj Iranit, Izraeli: Je në anën e gabuar të historisë

March 3, 2026
Mbledhja e Kryesisë së PS përfundon pa datë për Asamblenë. Zbardhen porositë e Ramës

Mbledhja e Kryesisë së PS përfundon pa datë për Asamblenë. Zbardhen porositë e Ramës

March 3, 2026
Naftë dhe gaz, pse efekti i luftës me Iranin mund të jetë një mundësi e artë për Putinin

Naftë dhe gaz, pse efekti i luftës me Iranin mund të jetë një mundësi e artë për Putinin

March 3, 2026
Sot rikthehet qarkullimi në aksin Librazhd-Përrenjas, ARRSH del me njoftim

Sot rikthehet qarkullimi në aksin Librazhd-Përrenjas, ARRSH del me njoftim

March 3, 2026
Çfarë fshihet pas strategjisë për të eliminuar udhëheqësinë e Iranit?

Çfarë fshihet pas strategjisë për të eliminuar udhëheqësinë e Iranit?

March 3, 2026
PD nuk është më parti e demokratit kuksian

Pse Berisha po i dëshpëron demokratët duke u shfajësuar për sulmin mbi ish-shtëpinë e Enver Hoxhës

March 3, 2026
Irani godet me dron ambasadën amerikane në Riad, mbyllet ambasada e SHBA në Kuvajt

Irani godet me dron ambasadën amerikane në Riad, mbyllet ambasada e SHBA në Kuvajt

March 3, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In