• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, December 19, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Pse në Shqipëri nuk mund të ketë një garë dhe rivalitet si ai midis Boris Johnsont dhe David Cameron

by Mustafa Nano
15/04/2021 09:55
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Mustafa Nano

Në këtë monolog dëshiroj t’ju kallëzoj shkurtimisht historinë e marrëdhënies mes dy politikanëve të njohur, Boris Johnson-it e David Cameron-it. I pari kryeministër i Britanisë së Madhe në ditët e sotme, dhe i dyti ish-kryeministër në të njëjtin vend. Kanë qenë gjithë kohën miq. Por edhe rivalë. Kanë frekuentuar të njëjtën shkollë të mesme, Eton College, që është një nga shkollat më të mirat në botë. Më pas, ndoqën studimet në të njëjtin universitet, në Oksford. Gjatë studimeve në shkollën e mesme Boris Johnson ishte një nxënës më i mirë sesa tjetri. Ndërsa gjatë universitetit ndodhi e kundërta. Ishte David Cameron që ishte një student më i mirë sesa Boris Johnson.

Mbas studimeve universitare, që të dy u përfshinë në politikë, u bënë pjesë e Partisë Konservatore. Në vitin 2001, që të dy u zgjodhën njëherësh anëtarë të parlamentit britanik. Dhe ishte pikërisht në Dhomën e Komunave ku ata bënë me dije, shpalosën faqe botës, rivalitetin mes tyre, që ndërkohë ishte i moçëm. Në vitin 2005, David Cameron, pa mbushur ende 40 vjeç, zgjidhet kryetar i Partisë Konservatore. Ka shumë vëzhgues në politikën britanike që dëshmojnë se pikërisht në atë moment, Boris Johnson ka provuar një dhimbje të paprovuar më parë, për shkak të suksesit të tjetrit. Por ai diti ta fshehë atë.

Ai nuk e bëri veten, nuk e prishi miqësinë. Të dy nuk e prishën miqësinë. Ata vazhduan të frekuentonin njëri-tjetrin edhe në shtëpitë e tyre. Madje, në shtëpinë e David Cameron ndodhi që ky i fundit i tha, në prani të George Osborn-it, ministër i Financave në qeverinë e mëpasshme të Cameron-it: “I dashur Boris. Ti je inteligjent, dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Por ti ke dy limite sipas meje: je shumë gallataxhi dhe je pak dembel. Dhe janë dy limitë që nuk të favorizojnë në përpjekje për t’u bërë një lider nacional. Prandaj, unë të sugjeroj që ti të mendoje për t’u bërë kryetar i Bashkisë së Londrës.” Ishte viti 2007 dhe David Cameron ishte vetëm kryetar i Partisë Konservatore. Nuk ishte bërë ende kryeministër.

Nuk dihen motivacionet, por një vit më pas, Boris Johnson kandidoi për postin e kryebashkiakut të Londrës dhe fitoi. Madje, ai fitoi edhe një mandat të dytë në vitin 2012. Si kryebashkiak ai shkëlqeu.  Ai la shenjë. Dhe për këtë shkak ai fitoi prestigj dhe fuqi. David Cameron-it, i cili ndërkohë ishte bërë kryeministër, nuk i pëlqeu kjo gjë. Ai e kishte këshilluar mikun e vet që të bëhej kryetar Bashkie, me idenë që ai do të dobësohej politikisht. Sepse David Cameron ishte i sigurt se si kryetar Bashkie, Boris Johnson, për shkak të limiteve të tij, do të dështonte. Por ai nuk dështoi. Ai doli shumë i fuqishëm.

Ndërkohë që David Cameron ishte kryeministër i Anglisë, ai filloi të rivalizonte mikun e tij brenda Partisë Konservatore. Sa herë që bëheshin konferenca partie (dhe në politikën britanike, konferencat e partive janë një traditë fantastike, sepse u japin mundësinë shumë njerëzve të dalin në skenë dhe të afirmohen, të promovohen – gjë e cila fatkeqësisht nuk ndodh në Shqipëri), salla e mbushur plotë mezi priste fjalimet e Boris Johnson-it dhe David Cameron-it. Ishte një interes i jashtëzakonshëm. Boris bënte përshtypje me natyrën e tij të shpërpjestimuar, të ekzagjeruar, me stilin spektakolar, ndërsa tjetri bënte përshtypje me urtësinë dhe inteligjencën e pabujshme. Ishte një konservator tipik.

Thuhet se kur David Cameron ishte kryeministër, dhe Boris Johnson ishte kryetar bashkie, ky i fundit i bën një vizitë në zyrë. Motivi ishte i qartë. Dëshironte t’i kërkonte disa fonde nga qeveria për Bashkinë e Londrës. Por përgjigjja që mori e befasoi. Ai i tha: “Jo!” Vëzhguesit politik thonë se kjo “jo” ishte e lidhur me faktin se David Cameron nuk donte që tjetri të arrinte sukses në krye të Bashkisë së Londrës. Sepse fondet që ai kërkonte do ta ndihmonin atë ta rriste suksesin që ndërkohë e kishte arritur. Dhe ky lloj suksesi do t’i jepte kredenciale politike të rëndësishme, gjë e cila do t’ia bënte më të lehtë Boris Johnson-it ta rivalizonte brenda Partisë Konservatore David Cameron-in.

Pasi mori këtë “jo”, Boris Johnson-it i ngelën sytë mbi një copë letër me një shënim, mbi skrivani, dhe zgjati dorën, nga kureshtja, për ta marrë. Por në fraksionin e sekondës u zgjat edhe dora e tjetrit për mos ta lanë. “Stop,” i tha ky i fundit. “Ti e ke zakon që i fut duart në punët e të tjerëve.” Por Boris nuk e lëshoi. Ndërkohë të dy po grindeshin për një copë letër. Madje për disa sekonda, e panë veten në dyshemenë e zyrës së kryeministrit britanik, në Downing Street No. 10. Kjo ishte një ngjarje fantastike.

Kjo ishte një anekdotë që mua më pëlqen shumë. Për faktin se që të dy, shumë vite më pas, ua tregonin këtë ngjarje miqve të tyre të përbashkët dhe secili e jepte fundin në versionin e vet. “Në fund,” ia bënte njëri “letra mbeti në duart e mia.” “Jo,” ia bënte tjetri. “Letra mbeti në duart e mia.” Kjo ishte shenjë e një rivaliteti shumë të shëndetshëm, shumë të bukur, sipas meje.

Kur David Cameron donte të kandidonte për herë të dytë si kryeministër, pasi kishte shpallur publikisht idenë e vet, i bie telefoni dhe nga ana tjetër e linjës ishte Boris Johnson. Ai i tha: “I dashur David, unë të uroj suksese. Por nëse humbet, mos e bëj shumë për të madhe. Unë do të jem këtu. I gatshëm për të zënë vendin tënd.”

Beteja e fundit e të dyve ka qenë referendumi mbi Brexit. Sapo David Cameron shpalli referendumin dhe qëndrimin e vet në favor të idesë se Britania e Madhe duhet të mbetej pjesë e Bashkimit Europian, në celular i vjen një mesazh, i cili lexonte: “Hej, David. Mos harro se unë jam në llogoren tjetër. Jam përballë teje.” Ishte Boris Johnson. Në fund të referendumit u shpallën rezultatet dhe kauza e David Cameron-it humbi. David Cameron humbi. Ai dha menjëherë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryeministrit dhe nga posti i kryetarit të Partisë Konservatore. Në harkun e pak muajve, në të dyja këto poste u zgjodh një person tjetër, i cili quhej Boris Johnson.

Dikujt mund t’i duket si një sherr politikanësh shqiptarë, por kurrsesi nuk është i tillë. Nuk është absolutisht i tillë. Ky është një rivalitet i bukur në çdo pikëpamje. Dhe në Shqipëri nuk mund të ketë kurrë një lloj gare dhe rivaliteti të tillë midis njerëzve. Për të pasur një rivalitet të tillë, ne do të duhej të kishim shumë gjëra. Do të duhej të kishim një lloj rekuizite të plotë me qindra e mijëra elementë të nevojshëm për një rivalitet të bukur, përsëris.

Pra, për ta pasur një rivalitet të tillë do të duheshin, përveç të tjerash, norma dhe rregulla loje. Dhe përveç kësaj, do të duhej një lloj mirëkuptimi dhe zotimi për t’i respektuar këto rregulla loje. Do të duheshin edhe njerëz, të cilët në vend të goditjeve poshtë brezit, në vend të sjelljeve rrugaçërore dhe harbute, në vend të goditjeve pas shpine, do të duhej të demonstronin skofi, skrupuj, klasë, elegancë.

Këto janë gjëra që mungojnë në jetën politike dhe publike shqiptare. Në jetën politike dhe publike shqiptare mungojnë shumë gjëra, por mbi të gjitha mungojnë këto që sapo nënvizova, dhe po i përsëris: mungojnë skrupujt, skofitë, klasi dhe eleganca, që janë pak a shumë e njëjta gjë. Prandaj, në Shqipëri nuk mund të ketë kurrë një garë dhe rivalitet si ai midis Boris Johnson-it dhe David Cameron-it.

Next Post
“Këta s’pyesin për fëmijet e vet”/ Kreu i ‘Thurjes’, ironizon Metën dhe Kryemadhin: Pret që këta të mendojnë për fëmijët e tu?

"Këta s'pyesin për fëmijet e vet"/ Kreu i ‘Thurjes’, ironizon Metën dhe Kryemadhin: Pret që këta të mendojnë për fëmijët e tu?

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Listat e kandidatëve/ Minxhozi: Zgjedhjet janë edhe një lloj ‘vettingu’, s’janë thjesht akt i hedhjes së votës

Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush

December 18, 2025
Fëmijët tanë nuk lindin me thikë në dorë

Një letër “nga brenda shtëpisë” (dhe çfarë do bëjë SPAK nëse Kuvendi bëhet Gjykatë)

December 18, 2025
I ftohti Siberian në fundvit, ciklon para Krishtlindjes! Meteorologia: Ja ç’do ndodhë në Shqipëri

I ftohti Siberian në fundvit, ciklon para Krishtlindjes! Meteorologia: Ja ç’do ndodhë në Shqipëri

December 18, 2025
Operacion kundër korrupsionit, arrestohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

Operacion kundër korrupsionit, arrestohet një ish-ministër dhe disa zyrtarë të lartë në Kosovë

December 18, 2025
Ankimimi në GJK për pezullimin e Ballukut/ Rama: S’dua t’i hyj dokrrave për ‘’pse-në’’ e kësaj beteje ligjore! Duhet të jesh krejt i verbuar nga..

A ke menduar të ikësh? Rama përgjigjet troç: Ja kush është misioni im

December 18, 2025
“Sëmundja e djalit”, Edi Rama tregon momentin më të vështirë

“Sëmundja e djalit”, Edi Rama tregon momentin më të vështirë

December 18, 2025
“U bëra burrë i martuar 24 karat”, Rama rrëfehet për Lindën: Më dha atë që më mungonte!

“U bëra burrë i martuar 24 karat”, Rama rrëfehet për Lindën: Më dha atë që më mungonte!

December 18, 2025
Berisha fton Ramën në debat dhe u bën mediave skenarin: Vendosni dy karrige dhe pastaj…

“Mishëron rrezatimin negativ”, Rama për Berishën: Komunisti ultrafanatik u kthye në konservator

December 18, 2025
1640593911_basharama1

Marrëveshja e 17 Majit, Rama zbulon për herë të parë: Bashën e mora në Elbasan! Berisha e bekoi 100%

December 18, 2025
Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

Rama flet për refleksionet e tij në ‘90: Kur përmenda emrin e Enver Hoxhës, si seancë ekzorcizmi

December 18, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In