Nga Ylli Pata
Pas vrasjes së liderit suprem të Iranit dhe kupolës së lartë politike, ushtarake e të sigurisë, liderët regjentë, të kapur nga paniku po lëshojnë raketat e dronët e tyre në objekte civile, aeroporte, infrastrukturë e rafineri naftë, që të ngjallin frikë e kaos, e t’I kërkojnë Donald Trumpit që të ndalë sulmet, të shpallë armëpushim e të ulet në tryezë.
Por Donald Trump doli sot, e tha që e patën kohën për të folur, tani është vonë, ose të dorëzojnë armët, ndryshe nuk kanë parë gjë akoma.
E gjithë kjo është skema klasike e një stand off-i, që i ngjan tavolinës së pokerit, ku secili lojtar luan me psikologjinë e tjetrit, duke rritur betin.
Gazmend Bardhi, sot i ka bërë një kërcënim epik mazhorancës. Në konferencën e shtypit, pasi shpalli raportin e opozitës në lidhje me kërkesën e SPAK për lejen e arrestit për Belinda Ballukut, deklaroi se nëse mazhoranca nuk do të votojë pro, atëherë do të ndodhë hataja, pasi përkrahësit e PD do shëmbin Parlamentin.
“Dua sot të njoftoj që ditën kur Kuvendi do të shqyrtojë mandatin e Ballukut, PD do të thërrasë në protestë qytetarët përpara parlamentit. Nëse shkon skenari i refuzimit, dhe shndërrimin e Kuvendit në bunker qytetarët do ta trajtojnë kuvendin si bunker ku janë strehuar të korruptuarit dhe do duhet të shembet”, tha Bardhi.
Një deklaratë e tillë, përfaqëson në fakt, një qëndrim të fortë të numrit 1 të opozitës në Kuvend. Një qëndrim, i cili përveç aspektit shantazh, ka edhe anën e saj politike.
Pasi ky rast, pra kërkesa e SPAK për të kërkuar lejen për arrest ndaj Belinda Ballukut përfaqëson një ganxhë të rëndësishme, e cila mund të merret si një kauzë politike, aq e dëshiruar për këdo opozitë në botë, sidomos në rastin tonë kur kauzat janë përgjithësisht ambulante dhe shëtitëse.
Gazmend Bardhi ka luajtur me pod të madh në lojë, duke vendosur menjëherë ultimatumin ndaj mazhorancës, për arsye se tashmë dihet qëndrimi i socialistëve.
Të cilët paraprakisht e kanë thënë se mjaftonte pezullimi, ndërsa sot edhe ajo pjesë ka rënë, ngaqë Belinda Balluku nuk është më ministre apo edhe zv.kryeministre.
Sipas të gjitha gjasave, seanca e diskutimit të kërkesës të SPAK, do të kthehet në një nga skenaret e njohura të luftës në Kuvend, ku deputetët e PD-së do të rrethojnë foltoren, do ta pushtojnë, ka mundësi të hedhim edhe mjete të forta apo llojeve të tjera, vetëm e vetëm që ta shkatërrojnë procesin normal të asaj séance.
Po përse ndodh kjo? Sepse në seancën e diskutimit të kërkesës në SPAK, priten dy fjalë të rëndësishme. E para e Belinda Ballukut, e më pas aj e Edi Ramës, i cili ka thënë se do të shprehet për çështjen sapo të lexohet raporti i grupit të PS në Komisionin e Mandateve.
Fjala e Belinda Ballukut, sipas të gjitha gjasave ka ër të marrë të gjithë audiencën e vëmendjen, pasi ajo nuk ka folur asnjëherë për akuzat ndaj saj, që kur është hapur dosja nga prokuroria e posaçme.
Qoftë kurioziteti, qoftë interesi për të ditur pikëpamjet e njeriut që akuzohet dh argumentet e saj të mbrojtjes, ka për t’i dhënë asaj séance emrin e Belina Ballukut. E cila, pas një bombardimi disamujor të qarqeve mediatike e politike opozitare që kanë tjerrë e stërtjerrë akuzën, ka shansin e mundësinë për të bërë “Bingo”.
Gjyqi është mjaft interesant si zhanër, e ka pasur gjithmonë interesimin më të madh nga publiku. Madje në kohën e komunizmit, sallat e gjyqeve përgjithësisht ishin të mbushur plot, ngase shikoheshin si spektakël. Në opinion, diskutimet mbi kronikën e ngjarjeve, ishin krejt të ndryshme nga atë panoramë që jepte media dhe propaganda shtetërore.
Si i tillë, publiku kërkon që të ndjekë të dy palët, madje më shumë atë që është e akuzuar, e cila siç kemi vënë re në shumë raste merr audiencën më të madhe, sidomos kur ka kaluar një kohë kur është përdorur arsenali sulmues dhe akuzues.
Ndaj dhe Gazmend Bardhi, sipas të gjitha gjasave i kordinuar me shefin e tij, ka përgatitur një strategji ku ta ndalojë e bllokojë sa të jetë e mundur seancën normale të kësaj çëshje.
Edhe pse prishja e përdorimi i rrëmujës nuk është normale, tashmë është bërë pjesë e “protokollit” të Parlamentit shqiptar prej vitesh, sidomos raste të tilla të bujshme.
Kur u prish seanca e miratimit të qeverisë së mandatit të katër të Edi Ramës, gjasat janë që e njëjta gjë do të ndodhë sa herë ka raste të tilla.
Atëherë Edi Rama, ka deklaruar se nëse nuk lejohen seancat normale, atëherë votimi do të zgjasë vetëm 2 minuta.
Ndërkaq, një seancë e tillë, ku më shumë sesa votimi është fjala, diskutimi, argumentet e provat, nuk mund të mbyllt kaq lehtë.
Është pikërisht përgjegjësi e kësaj mazhorance që ka 83 numra, t’i kthejë Kuvendit rolin e tij normal. Në mos gjithmonë, së paku atëherë kur duhet dhe ka interesimin më të madh nga publiku. Ndryshe, nuk është më mazhorancë politike, por veçse një qeverisje regjence.
TemA











