Nga Rudina Koromani
Psikologe klinike, 26 mars 2026
Një vajzë sheh një postim transgjinor, e teksa i ka pëlqyer te vishet/ duket si çun (as ajo vetë se di), fillon të mendojë mos ndoshta jam dhe unë kështu? Ajo pyet miqtë e saj lidhur me këtë mendim për veten dhe ata i përgjigjen se janë suportivë (kështu pëlqen ta shprehi brezi i ri literalisht).
Në vitet e fundit, mënyra si të rinjtë reagojnë ndaj njëri-tjetrit ka ndryshuar ndjeshëm. Një fjali që dëgjohet shpesh është:“Jam suportiv/e për gjithçka që ti ndjen apo mendon për veten.”
Në pamje të parë, kjo është një shenjë e një brezi më të hapur, më tolerant dhe më pranues. Dhe në shumë raste, kjo mbështetje është e domosdoshme sepse ul frikën, turpin dhe ndjenjën e refuzimit.Por a mjafton vetëm mbështetja?
Kjo lloj mbështetje nuk shoqërohet me reflektim. Shpesh, përballë një pyetjeje të rëndësishme si:
“Mos ndoshta jam ndryshe?”përgjigjja e menjëhershme është:“Po, dhe unë të mbështes.”
Kjo përgjigje jep siguri emocionale, por njëkohësisht mund të ndalë një proces shumë të rëndësishëm: procesin e eksplorimit të vetes. Sepse identiteti nuk është një përgjigje që merret menjëherë, por është një proces që kërkon kohë, pyetje dhe reflektim. Një përgjigje e tillë nga miqtë mund të çojë një 12 vjecare në mohim të identitetit të saj gjinor e në përvetësim të një identitei tjetër…
….pranimi dhe kuptimi nuk janë e njëjta gjë…..
Është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes dy gjërave: Të pranosh dikë: “Unë jam këtu për ty” Të ndihmosh dikë të kuptojë veten: “Le ta eksplorojmë këtë bashkë” (atë që një mik / shoqe duhet të bëj)
Mbështetja pa pyetje mund të krijojë ndjenjë sigurie, por jo domosdoshmërisht qartësi.
Ndonjëherë, një mik i mirë nuk është ai që jep menjëherë përgjigje, por ai që bën pyetje si:
“Çfarë të bën të mendosh kështu?”
“Kur ke filluar të ndihesh kështu?”
“Si ndihesh në situata të ndryshme?”
Këto pyetje nuk kundërshtojnë, ato ndihmojnë në ndërtimin e një kuptimi më të thellë të vetes.
Një brez që mbështet …dhe mund të mësojë të reflektojë
Të rinjtë sot janë më pranues se kurrë më pare, dhe kjo është një vlerë e madhe.
Por hapi tjetër është po aq i rëndësishëm:… të mësojmë të jemi jo vetëm mbështetës, por edhe ndihmues në procesin e vetënjohjes.
Të thuash “jam me ty” është e rëndësishme. Por ndonjëherë, edhe të pyesësh “kush je ti në të vërtetë?” është po aq e rëndësishme.
Sepse identiteti nuk ndërtohet vetëm nga përgjigjet që marrim nga të tjerët, por nga pyetjet që i bëjmë vetes.











