Nga Ben Andoni
Dy shtetet respektive kanë ndërruar pafund qeveri pas Luftës së Dytë Botërore, por Thembra e Akilit është një dhe vetëm një: Ligji i Luftës, i cili rri pezull prej afro 75 vitesh. Paradoksalisht, të dy vendet kanë firmosur një traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi, pra dokumentin më të rëndësishëm të nivelit më të lartë, që mund të ekzistojë dhe që është firmosur me shumë ngazëllim mes dy shteteve, të cilat janë në këtë gjendje të habitshme mes fqinjësh.
Kjo temë, që mund të jetë subjekt artistik, në fakt është realiteti i sotëm politik i marrëdhënieve Shqiptaro – Greke i mbartur deri në dekadën e dytë të shekullit të XXI. Nga vjen e gjithë kjo dhe pse mes dy vendeve tona vijojnë kaq shumë probleme dhe kjo retorikë e fryrë nacionaliste? Duket se fanatizmi fetar grek; titujt çamë të pronësisë, që kapin disa qindra syresh dhe që në momentin e shpronësimit arrinin deri në 350 milion dollarë amerikanë, por që tani mund të kenë arritur në vlerën mbi 2 miliard; problemi i kufirit detar dhe mbi të gjitha pretendimi i mbartur i Vorio – Epirit; varrezat e ushtarëve grekë në jug të vendit; apo ndihma që Shqipëria dha në vitet e pas luftës në Luftën Civile në Greqi dhe incidentet mes të dy vendeve, vazhdojnë të qëndrojnë ende si hije në raportet mes dy vendeve. Sërish është mirë të përdoret termi paradoks, pasi edhe pse të dy vendet janë anëtare të NATO-s, ndërsa Shqipëria po ngrihet gjithnjë e më shumë dhe po i afrohet integrimit të plotë evropian, marrëdhënia normale mes vendeve tona nuk ndryshon.
Për të ardhur keq është se të dy vendet tona përballen me sfida të njëjta dhe në vitet e fundit kanë qenë shumë pranë njëra-tjetrës sa i përket problemit të refugjatëve dhe terrorizmit, por edhe kanë bashkëpunuar ngushtë ekonomikisht. Mbase vizita e ministrit të jashtëm Kotzias, mund të ndryshojë diçka ose mund të tregojë një vullnet më të mirë nga pala greke, që po pritet me shumë kujdes të artikulohet. Sesa, do të funksionojë kjo mbetet realisht të shihet?!
*-*
Ligji i Luftës dhe marrëdhëniet Shqiptaro – Greke
Pse nuk është hequr ende Ligji i Luftës me Shqipërinë dhe pse Greqia këmbëngul për ta mbajtur atë në fuqi. Si lidhet kjo me pronat e çamëve dhe të nënshtetasve të tjerë shqiptarë dhe pse Athina nuk pranon të nënshkruajë dy marrëveshje dy palëshe që njohin kufirin e vitit 1913. Së fundi, implikimet greke në jug të Shqipërisë dhe problemet që mbajnë peng marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.
Që prej mbarimit të Luftës së ftohtë dhe sidomos me instalimin në Greqi të një numëri të konsiderueshëm, por të pakalkulueshëm refugjatësh, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë njohën një intensitet më të madh dhe një shkëmbim, volumi i të cilit ishte disa herë më i madh se sa ai që dy vendet kishin njohur gjatë gjithë historisë së tyre. Në Janar të vitit 1991, Konstandin Micotaqis u bë Kryeministri i parë perëndimor që vizitoi Tiranën dhe zyrtari i parë i lartë që u ul të bisedonte me opozitën që po vinte në pushtet. Që nga ky kontakt dhe nga kjo kohë, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë kaluar nëpër një kalvar dashurie por edhe tensionesh reciproke, nëpër deklarata solidariteti, por edhe akuza e kundëakuza që kanë ndikuar jo pak në klimën e tensionit që ka shpërthyer jo rrallë. Në këtë klimë dhe në këto marrëdhënie kryeneçe, problemi i ”çështjes çame”, por edhe i ”pronave të çamëve” ka zënë një vend të konsiderueshëm. Po si kanë avoluar këto marrëdhënie dhe cilat kanë qenë lodrat e kancelerive të të dy vendeve? Për të hedhur më shumë dritë mbi këtë marrëdhënie komplekse, sa historike aq edhe aktuale, sa juridike aq edhe morale, le të përqëndrohemi në materialin e mëposhtëm, që hedh dritë mbi marrëdhëniet historike dhe përmbledh disa nga zërat e analistëve më të rëndësishëm shqiptarë dhe fqinjë për këtë problem.
igji i Luftës
Në fund të vitit 1998, qeveria greke nxorri një ligj të ri mbi regjistrimin e pronave. Njëra nga dispozitat e ligjit në fjalë, parashikonte që pronat të cilat në momentin e regjistrimit rezultojnë “pa pronar”, i nënshtrohen shtetëzimit, në rast se për to nuk paraqitet pretendim brenda tre vjetësh nga dalja ligjit në fjalë.
Ngacmuar nga fakti se një ligj i tillë mund të prekte edhe pronat e “armiqve në gjendje sekuestrimi konservativ” (siç i përcakton pronat e shqipëtarëve Ligji grek i Luftës i vitit 1940) një pjesë nënshtetasish shqiptarë me origjinë nga çamëria, të shpërngulur me dhunë pas luftës prej atje dhe disa nënshtetas të tjerë që zotëronin prona që në fund të luftës Ballkanike të vitit 1913 mbetën në Greqi, paraqitën shqetësimin e tyre në Ministrinë e Jashtme Shqiptare. Në atë kohë, Ministria e Jashtme shqiptare nuk ka asnjë përgjigje zyrtare, por siç u tha, nisur nga shqetësimet që paraqiten në Ministrinë e Punëve të Jashtme qytetare shqiptare pronarë titujsh në Greqi si dhe përfaqësues të shoqatës “Cameria”, në qershor të vitit 1999, me porosi mbase edhe të titullarëve të lartë të Shtetit Shqiptar u porosit Ambasada Shqiptare në Athinë të merrte një prononcim zyrtar mbi atë që në gjuhën e përditshme të shtypit quhej “Ligj i Luftës”. Dihej se me anën e këtij ligji qeveria greke ka kushtëzuar për aq vite statusin e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi. Kërkesa shqiptare duket se nuk u neglizua madje përgjigjia qe e shpejtë. Deiku në Qershor të vitit 1999, Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë njoftonte se “Ligjet greke Nr. 2637/1940 dhe 4506/1966 janë ende në fuqi”. Ky njoftim ju përcolll menjëherë Presidentit dhe Kryeministrit të Shqipërisë ndërsa tre ditë më pas, ai u bë publik edhe në të përditshmet më të mëdha të Tiranës. Fakti në fjalë padyshim që solli pështjellim në një vend që e konsideronte loigjin në fjalë të shfuqizuar që në vitin 1987 dhe që më 1996 kishte firmosur me vendin fqinjë një traktat të Miqësisë dhe Bashkëpunimit reciprok. Traktat që qe nënshkruar në Tiranë nga Presidenti Berisha dhe ai Grek Stefanopullos.
Pohimi i Ministrisë së Jashtme Greke risolli në aktualitetin politik çështjen e debatuar të “Ligjit të Luftës”, që ishte menduar të qe mbyllur me vendimin e qeverisë Papandreu, më 1987. Në fakt, siç u mësua më vonë, ky vendim i qeverisë helenike nuk u ratifikua kurrë nga Parlamenti. Siç po del tani, nuk e ka anulluar efektin e ligjit në fjalë as nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë e Bashkëpunimit mes Shqipërisë e Greqisë, ratifikuar që më 22/07/1996 nga Kuvendi i Shqipërisë dhe shpallur direkt te Presidentit më 02/08/1996. Por edhe ky i paratifikuar ende nga Parlamenti Grek. Në këto rrethana, kur Ligji i Luftës vazhdon të jetë një faktor në marrëdhëniet me Greqinë, do të ishte interesante të hidhej dritë edhe mbi historikun e “Ligjit të Luftës” dhe mbi ndikimet e tij aktuale në mardhëniet shqiptaro-greke.
Si u shpall lufta?
Disa ditë pas sulmit të Italisë të 28 tetorit 1940, saktësisht më 10 Nëntor 1940, qeveria greke e gjeneralit Metaksa shpalli Ligjin e detyrueshëm 2636 “Mbi veprimet juridike të armiqve dhe sekuestrimin konservativ të pasurive armike”. Në vijim të këtij ligji, u botua Dekreti mbretëror “Mbi përcaktimin e Italisë dhe Shqipërisë si shtete armike dhe veprimin mbi to të dispozitave të Ligjit 2636”. Mbi këtë bazë, rreth 800 (ndër të cilat janë evidentuar rreth 477) prona të shtetasve shqiptare, me vlerë rreth 350 milion dollarë (apartamente, dyqane, troje ndërtimi, pyje, kullota, prona bujqësore, vivare) u vunë nën administrim të Ministrisë së Financave të Greqisë. Kjo e fundit, nëpërmjet Drejtorive t Financave të 27 prefekturave, ua ka kaluar administrimin e pasurive në fjalë personave të ndryshëm, kundrejt një shpërblimimi që zë rreth 15 për qind të të ardhurave të vjelura prej tyre. 62 vjet më vonë vlera e tyre është rritur ndjeshëm dhe po t’i referohesh një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave të muajit Gusht 2000 vlera e tyre duhet të llogaritet në 2 miliard dollarë amerikanë.
Fatkeqësisht mungesa e dëshirës për marrëdhënie korrekte me Shqipërinë fqinjë diktoi edhe vendimet e mëvonshme greke. Nën shtytjen e organizatave “Vorio-Epiriote”, në vitin 1947 qeveria greke i bëri një “retush” Ligjit të Luftës, duke përjashtuar nga efektet e tij “personat fizikë me origjinë greke e shtetësi shqiptare, me banim në Shqipëri”. Kuptohet, që në listën e të përjashtuarve u futën edhe persona me kombësi shqiptare të fesë ortodokse, të cilët në konceptin nacional-shovinist grek i përkasin “helenizmit”. Një trajtimi të tillë iu nënshtruan 150 prona, titullarëve të të cilave në Shqipëri u dërgoheshin 50 dollarë në muaj nga të ardhurat që nxirreshin prej tyre. Natyrisht kjo bëhej pasi emrat e tyre kalonin në “filtrin” e Asfaltisë, Drejtorisë për të Huajt në Ministrinë e Rendit Publik, Prokurorisë, Zyrës së Kriminelëve të Luftës, Komitetit Qëndror të Përpjekjes Vorio-Epiriote, Seksioni i Këshillit Ligjor të Shtetit, etj. Pjesa tjetër e të ardhurave nga pronat e qytetarëve shqiptarë administrohej nga Sektori i Pasurive të Vendeve Armiq, në Ministrinë e Financave.
Megjithatë, me qëllim “shmangien e veprimeve shtrënguese të shfaqura nga ana e autoriteteve shqiptare ndaj qytetarëve shqiptarë me origjinë greke, për t´i detyruar këta të jetërsojnë pasuritë e tyre me anë aktesh jetërsimi të përpiluara në Shqipëri”, qeveria greke, me Dekret-ligjin Nr. 4506 të dt. 21 mars 1996, morri vendim që të mos bëhej asnjë veprim juridik mbi pasuritë në fjalë pa “lejen speciale” të një Komisioni Mikst të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Brendshme.
Ligji i Luftës
Shpallja e Ligjit të Luftës dhe përfshirja e Shqipërisë në listën e vendeve armiq, u bë në vitin 1940 me argumentimin se Shqipëria (atë kohë vend i pushtuar dhe i qeverisur nga një qeveri kuislinge) i shpalli luftë Greqisë, së bashku me Italinë (vendin që e kishte pushtuar atë vetë). Akti i shpalljes së Shqipërisë si vend armik në vetvete është i pajustifikuar si juridikisht, ashtu dhe politikisht e moralisht. Pothuajse të gjitha komentet politike të mëvonshme kanë argumentuar se nuk mund të konsiderohet armik një vend i pushtuar, i cili nën dirigjimin e pushtuesit i shpall formalisht luftë një vendi tjetër: mbi të gjitha, për një gjë të tillë atij i mungon animus belli (shpirti i luftës). Në historinë botërore të viteve ’40 të shekullit të kaluar ka shumë raste të tilla, që kanë marrë një trajtim krejtësisht të ndryshëm. Kjo qe p.sh. arsyeja që Sllovakia nuk u konsiderua një vend armik e i mundur megjithëse më 24 qershor 1941 ajo i kishte shpallur luftë formalisht Bashkimit Sovietik; as edhe Tailanda nuk u konsiderua vend armik nga SHBA, megjithëse më 27 dhjetor 1941 i kishte shpallur atyre luftë. Shpjegimi i një qëndrimi të tillë ishte se këto dy shtete nuk ishin shtete sovrane në momentin kur i shpallën luftë vendeve të tjera.
Nga ana tjetër, me një llogjikë të ndryshme nga kjo që aplikon ndaj Shqipërisë, vetë Greqia nuk i ka njohur aktet e nënshkruara nga qeveria kuislinge greke e Tsolakogluese, e krijuar nga nazistët pas pushtimit të Greqisë nga Gjermania, më 1941. Një nga vendimet e para të qeverisë së Tsoklakogluese kishte qenë abrogimi i Ligjit të Luftës me Italinë e Shqipërinë i vitit 1940, por këtë abrogim nuk e njohu qeveria pasardhëse greke e cila në vitin 1944, pas çlirimit të Greqisë, me anë të ligjit 13 iu rikthye gjendjes së mëparshme, duke restauruar gjendjen e luftës me Shqipërinë.
Shënimet e mëpasme të diplomatëve shqiptarë që në vite i janë paraqitur edhe Greqisë ishin se ka së paku dy shkaqe për hir të të cilave ligji i luftës nuk është i vlefshëm. Dy ngjarje të veçnta e bëjnë Ligjin e Luftës me Shqipërinë krejtësisht absurd dhe paradoksal. Së pari, nënshkrimi nga ana e Greqisë, krahas shteteve të tjera të koalicionit antifashist i Traktatit të Paqes me Italinë, 10 shkurt 1947. Në këtë traktat, Italia angazhohej të respektonte pavarësinë e sovranitetin e shtetit shqiptar dhe të shpallte të pavlefshme në të gjitha aktet e marrëveshjet e rregulluara midis Italisë dhe autoriteteve të vendosura prej saj në Shqipëri gjatë viteve 1939-1943. Për më tepër, midis nënshkruesve të Traktatit të Paqes me Italinë, krahas anëtarëve të tjerë të koalicionit (përfshi Greqinë) figuron edhe Shqipëria, së cilës Italia merrte përsipër t´i paguante edhe një dëmshpërblim prej 5 milion dollarësh amerikane për dëmet e shkaktuara si vend viktimë e agresionit fashist.
Vlen të kujtohet gjithashtu në këtë kontekst, se Greqia nuk është sot në gjëndje lufte, përkundrazi ka mardhënie shumë të ngushta me Gjermaninë, megjithëse nuk ka ende një Traktat Paqeje me këtë shtet, i cili i shpalli luftë dhe e pushtoi më 1941.
Nga ana tjetër në korrik 1971 qeveria e Greqisë vendosi marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, gjë që përjashton automatikisht ekzistencën e një gjendje lufte midis dy vendeve. Dhe së fundi prej vitit 1996 Shqipëria dhe Greqia kanë nënshkruar një traktat të paqes e të bashkëpunimit i cili do të duhet të mbyllte çdo armiqësi të trashëguar nga e kaluara. Pra nga çdo anë që ta kapësh problemin mbajtja e ligjit të luftës me Shqipërinë dhe i efekteve të tij nuk i ka asnjë bazë ligjore, as bazë morale e as bazë reale, përderisa midis dy vendeve marrëdhëniet zhvillohen sikur të mos ekzistonte një ligj i tillë.
Implikimet e Ligjit të Luftës
Mbajtja nën sekuestër i pasurive të shteteve shqiptare në Greqi nuk ishte i vetmi dhe i rëndësishmi implikim i ligjit të luftës. Në disa komente të diplomatëve shqiptarë, të materialeve të brendshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por edhe në komentet e botuara në shtypin e përditshëm shqiptar të këtyre viteve sqarohet se ligji i luftës ka të tjera pasoja në marrëdhëniet mes dy vendeve. Mbi të gjitha ai i lejon çdo qeverie greke të mbajë të ndezur, të ashtuquajturën çështje e Vorio-Epirit. Ndërsa e shfrytëzon “realitetin e paqes” për të intensifikuar dekretimin ekonomik e kulturor në Shqipërinë e Jugut, Greqia e mban të gjallë “fiksionin e luftës”. Kjo bëhet sipas analizave jo vetëm për të qetësuar ndjenjat nacionalshoviniste të opinionit grek, por eventualisht, edhe për të patur në dorë një preçedent formalo-juridik që i lejon asaj të kryejë një ndërhyrje të jashtëzakonshme në një situatë të jashtëzakonshme që mund të provokohet në Jugun e Shqipërisë. Për të ilustruar këtë ide është sjellë si shembull fakti se në tekstet e historisë dhe në përfytyrimin e grekut të thjeshtë lufta e vitit 1940 më shumë se një luftë kundër Italisë është fiksuar si një luftë për çlirimin e vorio-epirit kundër Shqipërisë.
Kjo llogjikë e teksteve historike, që janë konsideruar vazhdimisht nga politikanët e dy vendeve si tekste që i fryjnë ndasisë dhe urrejtjes reciproke, u shty edhe më tej nga politika greke. Shtypi i Tiranës nënvizoi dy vjet e gjysëm më parë se në këtë drejtim gjatë fjalimit të përshëndetjes me rastin e vizitës së presidentit Klinton në Athinë më 22 Nëntor 1999, Presidenti Grek Stefanopoulos nuk mungoi të flasë për fitoren e Greqisë në vitin 1940 në “luftën me Shqipërinë”. Pra ekziston një vullnet i qartë nga ana e autoriteteve greke për të ushqyer psikozën e një gjendjeje anormale me Shqipërinë, shprehje e së cilës është dhe mbajtja në fuqi e ligjit të luftës.
Duket qartë se në llogjikën greke heqja dore nga ligji i luftës do të thoshte heqje dore nga “Vorio-Epiri”. Asnjë qeveri greke as kjo evropiane e Kryeministrit Simitis nuk ka dashur e nuk dëshiron ta bëjë një hap të tillë. Nuk është çudi, madje është normale të thuhet se në këtë llogjikë dhe në këtë funksion mund të shpjegohen edhe disa qëndrime të qeverive të ndryshme greke në marrëdhënie me Shqipërinë.
Ende sot megjithë insistimit e qeverive shqiptare që nga viti 1971, vit kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike me Athinën, Greqia nuk ka pranuar të nënshkruajë dy marrëveshjet që konsiderohen esenciale për krijimin e kushteve të mirëbesimit dhe të paqes në mardhëniet bilaterale:
- Marrëveshjen për Ruajtjen e Mirëmbajtjen e shenjave kufitare
- 2. marrëveshjen për zgjidhjen e incidenteve kufitare
Të dyja këto marrëveshje, sipas deklarimeve të Ministrisë së Jashtme Shqiptare janë realizuar me kohë me fqinjët e tjerë, Maqedoninë e Jugosllavinë. Natyrisht, është fare e thjeshtë të kuptohet se nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla do të sillte automatikisht njohjen e kufijve të vitit 1913 midis Shqipërisëe Greqisë, nga kjo e fundit. Mosnjohja e tyre të bën të besosh se Greqia nuk e dëshiron një gjë të tillë, përkundrazi dëshiron që problemi i kufijve me Shqipërinë të notojë në ambiguitet.
Greqia dhe Shqipëria e Jugut
Një problem tjetër madhor në marrëdhëniet mes dy vendeve, madje një problem që ka ndezur gjithnjë mëritë nacionaliste në Shqipëri ka qenë problemi i pretendimeve greke në Jug. Pretendime që lidhen edhe me mosfirmosjen e traktateve të mësipërme. Ndërkohë shtypi shqiptar ka shënuar disa herë se Greqia po punon jo edhe aq fshehur për ti dhënë Shqipërisë së jugut pamjen e një toke të helenizimit. Në këtë funksion konvergohen përpjekjet për ti orientuar drejt Greqisë trevat jugore shqiptare jo vetëm ekonomikisht por edhe kulturalisht e shpitërisht, duke nxitur ekspansionin e gjuhës greke, ndërrimin e detyrueshëm të emrave të refugjatëve shqiptare që punojnë dhe jetojnë në Greqi, ndrrimin e strukturës fetare e deri ndërrimin e peisazhit arqitekturor me ngritjen e kishave dhe institucioneve të tjera helenike. Në vitin 1998 një e përditshme shqiptare që i referohej burimeve të Ministrisë së Jashtme të Tiranës botoi një shkrim në të cilin theksohej se Grekët po insistonin zyrtarisht për lejimin e ngritjes së varrezave dhe komplekseve të tëra mortore për nder të ushtarëve grek të rënë gjatë luftës së 1940 në gjithë vijën Himarë – Kërcyrë – Korçë. Madje kjo kërkesë, siç doli, ishte një kërkesë e përsëritur. Nuk është fare i thjeshtë dhe i paqëllimtë kërkimi i ngritjes së këtyre monumenteve në linjën e mësipërme, pra aty ku fillojnë kufijtë e ‘Vorio – Epirit. Në këtë histori u përfshi çuditërisht hapur edhe Kryepeshkopi Janullatos, i cili siç del tani ka berë demarshe të hapura e të fshehta ndaj zyrëtarëve shqiptarë, veçanërisht atyre lokalë, për të bërë të mundur realizimin e një akti të tillë ”humanitar”.
Por rasti më flagrant i vënë në dukje prej kohësh, por i rimarrë me zhurmë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2000 në Himarë është vendimi i qeverisë greke, që në mënyrë ilegale u shpërndan rroga e pensione banorëve të zonave të jugut, jo vetëm atyre të minoritetit.
Të gjitha këto lëvizje, kanë krijuar në rradhët e politikës shqiptare idenë se Greqia përpiqet të krijojë parakushtete për të shtuar në mënyrë artificiale rradhët e minoritetit Grek në rast të një regjistrimi të ri të popullsisë në Shqipëri.
Në kushtet kur paragjykimet e veprimeve të tilla vazhdojnë ta karakterizojnë politikën zyrtare të Greqisë ndaj Shqipërisë çështja e ”nxjerrjes nga heshtja e ligjit të luftës” u konsiderua fillimisht si një domosdoshmëri nga politika e Jashtme shqiptare. Por fatkeqësisht, zhvillimet e muajve të fundit dhe problemet emergjente të politikës së brendshme shqiptare sollën një ndryshim të menjëhershëm të kursit të politikës së jashtme të Tiranës. Nga ana tjetër, diplomatë shqiptarë dhe ekspertë të Ministrisë së Jashtme kanë shënuar se ”Mbijetesa e ligjit të luftës relativizon e kompromenton çdo hap real pozitiv që është hedhur e do të hidhet në marrëdhëniet Greko – Shqiptare”. Ndërkohë për sa kohë Greqia nuk vendos ta abrogojë përfundimisht ligjin e luftës nuk do të ishte keq që Qeveria Shqiptare të ishte më agresive në goditjen e disa derivateve të këtij ligji. I pari është detyrimi i Greqisë për të nënshruar marrëveshjen për Kufirin dhe e dyta detyrimi i Athinës për të çbllokuar pasuritë e shtetasve shqiptarë në Greqi.
Nuk dihet se sa do të realizohen këto, por duket qartë se edhe pse në gjendje lufte me Shqipërinë, Greqia ka qenë mjaft aktive në politikën e saj me Tiranën. Aktivitet që është stimuluar edhe nga hapja më e madhe se sa duhet e një pjese të krerëve të diplomacisë shqiptare të viteve të fundit.
Sidoqoftë, rihapja e çështjes së ligjit të luftës dhe ajo e pronave të çamëve në tre vitet e fundit, është nja hap pozitiv i diplomacisë shqiptare drejt ndërtimit të marrëdhënive më të drejta mes dy vendeve. Aq më tepër që dhjetë vjetpas hapjes së saj, Shqipëria ka një tjetër situatë politike dhe ekonomike në vend. Një situatë që i jep mundësi të jetë shumë herë më e stabilizuar dhe më agresive në politikën e saj të jashtme.
(Dossieri është përgatitur nga një grup specialistësh historianë, gjeografë, politologë për Korrieri) (b.an)