• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, December 22, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Pse dy? Po sa?

by Ardian Vehbiu
06/03/2025 22:33
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter
Nga Ardian Vehbiu
Dy satelitët natyrorë të planetit Mars, Phobos-i dhe Deimos-i, u zbuluan nga astronomi amerikan Asaph Hall në gusht të vitit 1877 – dhe u pagëzuan sipas dy djemve binjakë të perëndisë Ares (Marsit, për latinët) të mitologjisë greke, duke marrë emrat Phobos-i (frikë dhe panik) dhe Deimos-i (tmerr dhe llahtari). Të dy janë trupa qiellorë të vegjël dhe me formë të parregullt: njëri me një diametër prej 22 km, tjetri me një diametër prej 12 km.

Lexuesit e Udhëtimeve të Guliverit të Jonathan Swift-it, një vepër e vitit 1726, mbase e kanë vënë re që, në kapitullin e 3-të të pjesës së 3-të librit, ku përshkruhet “Udhëtimi në Laputa”, rrëfehet si astronomët e atij vendi kishin zbuluar dy satelitë të Marsit, me të dhëna orbitale të ngjashme me ato që zbuloi Asaph Hall-i gati një shekull e gjysmë më vonë. I nisur nga kjo, një inxhinier sovjetik projektues i sondave sovjetike që vizituan Marsin dhe Venusin, pati spekuluar që Swift-i ishte bazuar në dokumente dhe të dhëna që patën lënë, në Tokë, vizitorët nga Marsi (në veprën The Difficult Road to Mars)[1].

[the Laputans] “have discovered two lesser stars, or satellites, which revolve around Mars; whereof the innermost is distant from the center of the primary planet exactly three of his diameters, and the outermost five; the former revolves in the space of 10 hours (actually about 7 and a half hours), and the latter in 21 and a half (about 30 hours).”

Edhe Voltaire-i, në një tregim filozofik me titullin Micromégas[2] të botuar në 1752, ku rrëfen një udhëtim të dy miqve – një vizitori gjigand nga Sirius-i dhe shoqëruesit të tij banor të Saturn-it – nëpër sistemin diellor, përmend si këta dy levendë, “tek u larguan nga Jupiteri dhe… kaluan anash planetit Mars… panë dy satelitët e tij, që astronomët tanë nuk i kanë zbuluar ende,” për të vazhduar: “do të ishte e vështirë që Marsi, kaq i larguar nga Dielli, të kishte më pak se dy hëna.”

Disa komentatorë kanë sugjeruar se Volteri e kish marrë këtë informacion drejtpërdrejt nga Swift-i, të cilit ia kish lexuar “Udhëtimet e Guliverit”; por Adam Roberts, një shkrimtar anglez i fantashkencës, beson se Volteri u pat ndikuar nga dijetari frëng Bernard Le Bovier de Fontenelle, veçanërisht nga vepra e këtij Entretiens sur la pluralité des mondes, e botuar në 1686.

“Meqë natyra i ka dhënë kaq shumë Hëna Saturnit dhe Jupiterit, kjo është një lloj prove se Marsi nuk mund të jetë pa satelitë”, pat shkruar atje Fontenelle-i.

Sipas Adams-it, vetë personazhi i banorit të Saturnit, “sekretari i shoqërisë shkencore saturniane”, nuk ishte veçse një karikaturë e Fontenelle-it, që i kundërvihet gjigandit Micromégas, shembëlltyrë e Newton-it, të cilin Volteri e admironte.

Edhe Jonathan Swift-i i përshkruan relativisht saktë satelitët e Marsit, edhe pse – sipas disa komentatorëve – u pat konsultuar për këtë me ndonjë astronom a matematikan të kohës (me gjasë, John Arbuthnot) dhe, gjithsesi, me hollësitë që jep në libër ka dashur të tregojë sa mirë i njihte ligjet e Keplerit (veçanërisht “ligjin e harmonive”[3], që njihej mirë në 1726); ndërsa ndonjë komentator tjetër shton se ai pat ekstrapoluar nga çfarë dihej, në kohën e tij, për satelitët Io dhe Europa, të Jupiterit.

Është vënë në dukje edhe se, atëbotë, ideja se Marsi duhej të kish dy satelitë bazohej në një analogji me planetët fqinjë, në sistemin diellor – Merkuri dhe Venusi pa satelitë, Toka me një të vetëm, Jupiteri katër (aq i njiheshin në atë kohë) dhe Saturni pesë (aq i njiheshin në atë kohë).

Vetë Kepleri, në një letër që ia dërgonte Galileut[4], shkruante: “Jam kaq i gatshëm të besoj në zbulimin e katër ‘planetëve’ që i vijnë rrotull Jupiterit, sa do të doja të kisha një teleskop, për ta vënë re para teje – po të mundesha – që të zbuloja dy të tillë rreth Marsit (siç duket se e kërkon përpjesëtimi), gjashtë ose tetë rreth Saturnit, dhe kushedi një rreth Merkurit dhe një rreth Venusit.”

Keplerit madje iu duk sikur gjeti një konfirmim për këtë te një njoftim i Galileo-s[5], ku ky thoshte se kish bërë një zbulim të ri të cilin ia lajmëronte botës në formën e një anagrami, i cili lexohej kështu:

SMAISMRMILMEPOETALEUMIBUNENUGTTAUIRAS

Anagramin Kepleri e zbërtheu si më poshtë:

Salue umbistineum geminatum Martia proles
“Përshëndetje, o shoqëri binjake, fëmijë të Marsit.”

Edhe pse kjo fjalë, umbistineum, me gjasë formë e latinizuar e gjermanishtes, umbeistehn, në fakt nuk ndeshet gjëkundi.

Doli pastaj se se anagrami i Galileo-s u dashkësh lexuar kështu:

Altissium planetam tergeminum observavi
“Kam vrojtuar që më i largëti i planetëve ka një formë të trifishtë”

Duke iu referuar sistemit të unazave të Saturnit.

Që letërkëmbimi me gjëza dhe anagrama, mes Galileo-s dhe Kepler-it, u bë shkas edhe për një zbulim të dytë sensacionalisht të parakohshëm, këtë duket sikur e provon edhe një mesazh tjetër, që i pat dërguar kolegu italian Keplerit në 1610, pasi zbuloi ekzistencën e fazave të Venusit:

Haec immatura a me iam frustra leguntur oy

Që duhej lexuar anagramisht kështu:

Cynthiae figuras aemulatur mater amorum
“Nëna e Dashurisë kopjon format e Cynthia-s”

Ku “nëna e Dashurisë” është një epitet për Venusin, ndërsa “format e Cynthia-s” një epitet për Hënën.

Edhe këtë herë Kepleri e lexoi gabim anagramin, si:

macula rufa in Jove est gyratur mathem
“ka një njollë të kuqe në Jupiter, që rrotullohet matematikisht”

Duke parashikuar, krejt pa dashur, zbulimin e Njollës së Kuqe të Jupiterit dy shekuj para se kjo të vrojtohej nga astronomët.[6] Me gjasë, kjo histori e dytë është apokrife, por njëlloj ndihmon për të kuptuar se distanca, të paktën në stil, e dijetarëve të atyre viteve nga Nostradamus-i dhe katrinat e tij nuk ish aq e madhe sa ç’kujtojmë sot; por edhe se filologjia atëbotë ende kujtohej si rrugë drejt njohjes së botës.

Parashikimi që Marsi kish dy satelitë dhe përafrimi – deduktiv – i orbitave të tyre nuk është thjesht një kuriozitet nga historia e astronomisë; por ndihmon për të kuptuar si ka evoluuar metoda shkencore në shekuj. Argumentet e Keplerit dhe të Newton-it sot do të na habisnin po aq sa edhe metodat që përdorte Galileo-ja, për të lajmëruar zbulimet e tij, por pikërisht te këta dijetarë mbështetet krejt ngrehina e shkencës moderne.

© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney. Botohet me leje te “TemA”.

[1] Mbështetësit e hipotezës se sistemin diellor e kanë vizituar, në lashtësi, mysafirë nga sisteme të tjera, përmendin ndonjëherë edhe një spekulim të astronomit sovjetik Shklovski në 1939, se satelitët e Marsit janë “artificialë”, meqë kalkulimet e tij kishin treguar që të paktën Phobos-i ishte i zgavërt nga brenda. Diçka e ngjashme është sugjeruar edhe për Hënën tonë, nga shkencëtarët sovjetikë Mikhail Vasin dhe Aleksandër Shçerbakov.

[2] Ky tregim i Volterit është një nga kujtimet e mia më të hershme të letërsisë fantashkencore – i botuar në revistën “Ylli”, m’u pat përjetuar si përrallë me gjigandë dhe shkurtabiqë, por tejet e çuditshme dhe vende-vende, për mua fëmijën, e pakuptueshme. Më kujtohet edhe ilustrimi që e shoqëronte – ndoshta nga Dhimitër Ligori.

[3] Kepleri besonte se lëvizjet e planetëve, në orbitë, mund të përfaqësoheshin nga intervale muzikore, duke krijuar kështu një “muzikë të sferave” (Pitagora), ku shpejtësitë e ndryshme të lëvizjes së planetëve në orbitë u përgjigjeshin notave muzikore, çfarë pasqyronte një marrëdhënie harmonike mes trupave qiellorë dhe shkallëve muzikore.

[4] Këto të dhëna, dhe të tjera në shkrim, i kam nxjerrë nga Owen Gingerich, “The Satellites of Mars: Prediction and Discovery”, Journal for the History of Astronomy, Vol. 1, 1970, p.109.

[5] https://backreaction.blogspot.com/2012/04/be-careful-what-you-wish-for.html

[6] https://www.mentalfloss.com/article/87433/hoë-misinterpreted-anagram-predicted-moons-mars

Next Post
SHBA dhe Ukraina bisedime javën e ardhshme, i dërguari i Trump zbulon vendin e takimit

SHBA dhe Ukraina bisedime javën e ardhshme, i dërguari i Trump zbulon vendin e takimit

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Drejtuesit politik të PS, Andoni: PD në Fier e ka të vështirë! Me kandidimin jashtë liste, Rama i dha një mësim opozitës

“Nëse votimi do ndryshonte diçka do ishte i paligjshëm!”

December 21, 2025
Zbulohen dosjet/ Motra e ‘viktimës’ së Epstein denoncoi abuzimet para 27 vitesh, por FBI heshti

Zbulohen dosjet/ Motra e ‘viktimës’ së Epstein denoncoi abuzimet para 27 vitesh, por FBI heshti

December 21, 2025
Kamioni i ngarkuar me agrume del nga rruga në aksin Levan-Tepelenë, lëndohet shoferi

Kamioni i ngarkuar me agrume del nga rruga në aksin Levan-Tepelenë, lëndohet shoferi

December 21, 2025
Garat me biçikleta elektrike, zhvillohet kupa e parë në vend me dy etapa dhe zgjati dy ditë

Garat me biçikleta elektrike, zhvillohet kupa e parë në vend me dy etapa dhe zgjati dy ditë

December 21, 2025
Nuk kanë nevojë për askënd, këto janë tre shenjat më të pavarura të horoskopit

Nuk kanë nevojë për askënd, këto janë tre shenjat më të pavarura të horoskopit

December 21, 2025
Që të parandalojmë pandeminë ekonomike

2.2 milionë shqiptarë jetojnë në botë/ Zaloshnja: Dekadën e fundit, shumë fëmijë të lindur jashtë vendit janë regjistruar në Shqipëri

December 21, 2025
Paralajmërimet për revolta te protesta kombëtare e Berishës, “blindohet” Kryeministria

Paralajmërimet për revolta te protesta kombëtare e Berishës, “blindohet” Kryeministria

December 21, 2025
Deri në 2030 Shqipëria do dalë 3 herë në tregjet ndërkombëtare! Eurobondi i parë në 2027 për të shlyer borxhet

Deri në 2030 Shqipëria do dalë 3 herë në tregjet ndërkombëtare! Eurobondi i parë në 2027 për të shlyer borxhet

December 21, 2025
45-vjeçari ka marrë plagë në gjoks dhe bark/ Zbardhen detaje nga plagosja me thikë në Durrës (EMRI)

45-vjeçari ka marrë plagë në gjoks dhe bark/ Zbardhen detaje nga plagosja me thikë në Durrës (EMRI)

December 21, 2025

Korrupsionin e shpëton vetëm një situatë politike bardhë e zi

December 21, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In