Nga Adrian Civici
Ashtu si Sigmund Freud kërkonte të shëronte sëmundjet nervore duke tentuar të zbriste thellë në origjinën e tyre, ashtu dhe ekonomistët mund ti kuptojnë më mirë teoritë dhe doktrinat ekonomike nëse zbresin thellë në historinë e lindjes dhe zhvillimit të tyre.
Historia e mendimit ekonomik e përdor retrospektivën në sensin që zhvillimet bashkëkohore teorike mund të ndihmojnë në analizën më të mirë të doktrinave të kaluara, të inkoherencave dhe vështirësive të tyre për të shpjeguar dhe argumentuar problemet e kohës.
Sa herë flitet për ekonomistët, idetë e tyre dhe mbi të gjitha, për historinë e mendimit ekonomik si një element thelbësor në formimin e ekonomistëve të sotëm, shpesh reflektohet dhe një lloj reagimi negativ.
- Vërtet është kaq e domosdoshme zhytja në historinë e komplikuar të mbi 20 shekujve në mendimin ekonomik?
- Ndoshta ajo e ka tashmë vendin në muze si pjesë e historisë, ndërkohë që problematika moderne kërkon vetëm ide e arsyetime po kaq moderne.
- A duhet ta konsiderojmë studimin dhe njohjen e saj thjesht si një lluks në intelektualitetin apo akademizmin tonë, apo historia e ekonomistëve dhe evolucioni i doktrinave të tyre në shekuj ëshë një domosdoshmëri për të pretenduar që të jesh sot një ekonomist i kompletuar?
- A mund ti kuptojmë, analizojmë apo shpjegojmë sot idetë, debatet dhe sugjerimet e ekonomistëve pa njohur të kaluarën e tyre…dhe mbi të gjitha pa njohur specifikat e diversitetin e tyre aktual?
- A mund të jemi dakord me mendimin që ekziston në mjaft mjedise universitare, sidomos në SHBA dhe Angli se “historianët e mendimit ekonomik janë një sekt pak i cuditshëm, i përbërë në pjesën më të madhe të tyre nga ekonomistë që nuk arrijnë të njohin dhe përdorin mirë teknikat matematike e informatike moderne dhe për pasojë nuk arrijnë të zhvillojnë ekonominë e vërtetë?” .
Në librin “Historia e analizës ekonomike” , J.Schumpeter reflekton gjerësisht mbi arsyet e njohjes dhe studimit të historisë së mendimit ekonomik, mbi domosdoshmërinë e studimit të evolucionit teorik e metodologjik në botën ekonomike dhe sfidat që kanë përballuar në shumë momente thelbësore të historisë ekonomistët. Duke kundërshtuar ata që nuk shikonin asnjë interes në studimin e autorëve antikë apo thjesht të kohërave të kaluara, Schumpeter-i ju vë përballë tre argumente thelbësore :
Së pari,“avantazhet pedagogjike” të studimit të ekonomisë, sidomos për të kompensuar “mungesën e madhe” që manualet dhe tekstet e sotme të ekonomisë kanë në trajtimin e problematikës dhe metodave të përdorura gjerësisht nga ekonomistët në gjithë historinë e tyre, që në fakt korrespondon ngushtë me momentet më të rëndësishme të historisë së zhvillimit të njerëzimit.
Së dyti, njohja e historisë së ekonomistëve dhe doktrinave të tyre na ndihmon që të nxjerrim ide të reja për problemet e dilemat e sotme duke u nisur nga “eksperienca e të kaluarës”.
Një nga ekonomistët e sotëm më të njohur, Todd G. Buchholz, mbrojtës i zjarrtë i kësaj ideje, një nga librat e tij e titullon “Ide të gjalla nga ekonomistë të vdekur”, duke nënvizuar se “shumë nga debatet e sotme mbi politikat ekonomike mund të kuptohen vetëm nga ata që kanë një familjarizim të mjaftueshëm me idetë e ekonomistëve të shkuar” . Kur drejtuesit e FED në SHBA apo BQE në Eurozonë vendosin rreth politikës monetare dhe normës bazë të interesit të dollarit apo euros, bazohen në idetë dhe evidencat që datojnë që nga ekonomistët e shek.XIX-të si John Stuart Mill.
Kur politikanët apo ekspertët e financave debatojnë për rregullat më të përshtatshme të taksimit të biznesit dhe të individëve, ata përdorin argumentet analitike që e kanë fillesën e tyre më shumë se një shekull më parë, tek ekonomistët David Ricardo e Alfred Marshall. “Ngjashmërisht, analiza e politikës tregtare, e rregullimit të energjisë dhe të mjedisit dhe legjislacioni antitrust bazohen në ide që janë zhvilluar përgjatë shekujsh. Familjarizimi me këto ide është i rëndësishëm për gjithkënd që dëshiron të dijë se si politikat e reja do të ndikojnë në ekonomi dhe përse zgjidhet një politikë në raport me një tjetër” .
Së fundi, Schumpeter-i insiston se “historia e cdo shkence na njeh dhe na zbulon përpjekjet e njerëzimit” drejt progresit. Ajo na ofron një spetakël të lidhjeve reciproke ndërmjet “llogjikës dhe konkretes, ndërmjet vizionit dhe projekteve konkrete të zhvillimit” .
Në të njëjtën linjë arsyetimi dhe argumentesh qëndron dhe ekonomisti “evolucionist” amerikan Kenneth Boulding kur shprehet se “shkolla anti-historike, shumë prezente në SHBA, në të cilën historia e ekonomistëve dhe e mendimeve të tyre konsiderohet si një zbavitje e çuditshme e atyre që i japin vetes lluksin të mësojnë latinishten ….ndërkohë që në këtë vend mund të bëhesh doktor në ekonomi pa lexuar asnjë rresht mbi eonominë të botuar 10 vite më parë…duke prodhuar kështu teknicienë të aftë që dinë të përdorin kompjuterat, të bëjnë simulime të ndryshme apo regresione të komplikuara, por që nuk dinë së në cilën faqe të fetës së bukës duhet shtruar gjalpi, që janë totalisht injorantë ndaj institucioneve ekonomike, dhe që kanë ide shumë të paqarta për realitetet përtej shifrave të tyre” .
Por, megjithë këto argumente në favor të rëndësisë dhe domosdoshmërisë së njohjes sa më të gjerë të ekonomistëve dhe historisë së tyre, duket se interesi për të kaloi një periudhë “të zbarazët” gati 40 vjecare. Bëhet fjalë për vitet 1950-1990, vite në të cilat interesi për historinë dhe evolucionin e mendimit ekonomik u reduktua në modelimet ekonometrike duke i transferuar dhe ekonomistët në gjysëm matematicienë e statisticienë.
Por kjo situatë duket se po ndryshon në këtë dekadë të parë të shekullit të XXI-të, dekadë që po evidenton një rikthim të konsiderueshëm të vëmendjes ndaj evolucionit historik të “specieve” me emrin ekonomistë dhe doktrinave të tyre. Shumë universitete e vecanërisht fakultete prestigjioze ekonomike po përfshijnë gjerësisht në curriculumet e tyre këtë grup njohurish.
Mark Blaug-Ekonomisti i metodologjisë dhe filozofisë ekonomike
Ekonomist kozmopolit e shumëdimensional që ka lënë gjurmë në shumë fusha si ekonomia e edukimit, ekonomia e artit, problemet e zhvillimit dhe varfërisë,etj., intelektual erudit me shpirt kritik, Mark Blaug identifikohet mbi të gjitha për kontributin e tij në historinë e ideve ekonomike dhe zhvillimin e metodologjisë ekonomike.
Në karrierën e tij akademike ka qenë profesor i ekonomisë në Queen’s College të Nju Jorkut, Columbia University, London School of Economics, Buckingam University, Universitetin e Roterdamit (Hollandë), anëtar i British Academy, etj., si dhe konsulent i shumë organizmave e institucioneve ndërkombëtare si UNESCO, OCDE, Banka Botërore, Fondacioni Ford, etj. Blaug është autor i shumë veprave në historinë e mendimit ekonomik.
Blaug ishte bashkëpunëtor dhe dishepull i dy ekonomistëve të shquar, George Stigler (cmimi Nobel në ekonomi në vitin 1982) dhe Terence Hutchison, dy autorë që kanë dhënë kontribute të vyera në historinë e mendimit ekonomik. Hutchison është gjithashtu edhe autori i një prej librave më të rëndësishëm në botë kushtuar metodologjisë ekonomike (The Signifiance and Basic Postulates of Economic Theory, 1938), një punim në të cilin u importuan për herë të parë në ekonomi tezat e filozofit të shkencave Karl Poper. Blaug u përpoq gjithë jetën që të ecte në gjurmët dhe trasenë e Hutchison-it.
Në vitin 1962, Blaug boton një histori të mendimit ekonomik (Economic Theory in Retrospect), vepër që shumë shpejt u shndërua në një manual ndërkombëtar të përdorur gjerësisht në shumë universitete e vende të botës. Në këtë vepër Blaug dëshmon për një erudicion të jashtëzakonshëm dhe një njohje të thellë të ekonomisë, ideve, doktrinave dhe historisë së saj.
Kjo vepër, sëbashku me “Historia e analizës ekonomike” të Joseph Shumpeterit, konsiderohen si dy kollonat që mbajnë gjithë ngrehinën e mendimit dhe doktrinave ekonomike. Të dy autorët ndajnë të njëjtin qëndrim dhe vizion të përbashkët, atë të një progresi kumulativ të analizës ekonomike, duke njohur njëkohësisht rëndësinë e kontekstit ideologjik në të cilin zhvillohen idetë ekonomike si dhe konfliktet ndërmjet shkollave të mendimit ekonomik e rrymave rivale.
Blaug e përdor aspektin historik dhe kronollogjik të mendimit ekonomik si një instrument për të studiuar teorinë ekonomike, koherencën llogjike dhe racionalitetin e tyre. Në mjaft raste ai shpjegon se dimensioni kronologjik e historik justifikohet thjesht me dëshirën për të arritur tek identifikimi shkencor i doktrinës duke nënvizuar se “teoritë ekonomike bashkëkohore ruajnë gjurmët e problemeve që ato kanë zgjidhur në të kaluarën, mbartin gabimet e të kaluarës tashmë të korrigjuara, dhe nuk mund të kuptohen pa i studiuar si një trashëgimi e së kaluarës. Pikërisht për këtë arsye unë kam adoptuar një prezantim historik, por gjithsesi punimi fokusohet në analizën teorike duke neglizhuar vullnetarisht digresionet historike dhe aspektet biografike” .
Historia ekonomike përbën një formë të gjenealogjisë ekonomike që na lejon të ndricojmë disa aspekte e elemente të teorive ekonomike bashkëkohore, të cilat shpesh duken si të pakuptueshme.
Blaug e përdor në një mënyrë origjinale “arsyetimin retrospektiv” kur shkruan se “ne vlerësojmë shumë përpara studentëve rëndësinë që ka studimi i historisë ekonomike, por ju flasim shumë pak atyre për rëndësinë që paraqet për studiuesin e historisë së ekonomisë, studimi i teorive ekonomike bashkëkohore.
Në fakt, nuk duhet më ta studiojmë teorinë moderne të cmimeve pa njohur Adam Smithin, por askush nuk duhet ta lexojë Adam Smithin pa studiuar më parë teorinë moderne të cmimeve” . Mark Blaug nënvizon nevojën për të mos rënë në kurthin e “iluzioneve retrospektive” dhe shkëputjen e teorive dhe koncepteve nga konteksti i tyre historik. P.sh., nëse duam ta kuptojmë dhe interpretojmë si duhet “revolucionin marxhinalist” këtë mund ta bëjmë vetëm duke e analizuar në kontekstin e debateve dhe situatave të shek.XIX-të.
Rezultatet e një metode analize – e adoptuar në një mjedis ekonomik të vecantë – nuk mund të ripërdoren për të gjykuar rezultatet e një metode që i përket një konteksti tjetër : nuk mund të përdoret një model për të gjykuar një model tjetër. Historia e mendimit ekonomik e përdor retrospektivën në sensin që zhvillimet bashkëkohore teorike mund të ndihmojnë në analizën më të mirë të doktrinave të kaluara, të inkoherencave dhe vështirësive të tyre për të shpjeguar dhe argumentuar problemet e kohës.
Janë pikërisht këto vështirësi teorike e metodologjike që e kanë zhvilluar teorinë dhe doktrinat ekonomike, prandaj njohja e tyre dhe analizat me konceptet moderne na ndihmojnë të kuptojmë më mirë arsyet e lindjes së shkollave të reja të mendimit ekonomik, ndarjet teorike e doktrinare të tyre, devijimet epistemologjike historike, etj.
Ashtu si Sigmund Freud kërkonte të shëronte sëmundjet nervore duke tentuar të zbriste thellë në origjinën e tyre, ashtu dhe ekonomistët mund ti kuptojnë më mirë teoritë dhe doktrinat ekonomike nëse zbresin thellë në historinë e lindjes dhe zhvillimit të tyre.
Në vitin 1980, Blaug boton punimin mbi metodologjinë ekonomike që vlerësohet si një nga librat më të mirë në sferën e aplikimit të filozofisë në shkencat ekonomike. Bloug aderon në tezat e Karl Popper sipas së cilave shkenca e bën progresin e saj nëpërmjet një procesi supozimesh/parashikimesh dhe mohimesh/kontestimesh.
Një pohim apo formulim konsiderohet si shkencore nëse është ndërtuar në mënyrë që të mund të kontestohet nga një test empirik. Kështu p.sh., sipas Blaug, një ligj ekonomik si “ulja tendenciale e përqindjes së fitimit” i evidentuar nga Karl Marksi, nuk është shkencor pasi ai nuk mund të kontestohet nga testet empirike.
Blaug është gjithashtu ekonomisti i parë që përdori idetë e formuluara nga filozofi dhe epistemologu hungarez Imre Lakatos dishepull por dhe kritik i Karl Popperit në vitet 1968-71, sipas së cilit njohuritë janë zhvilluar në kuadrin e programeve të kërkimit shkencor të karakterizuara nga një pikë e qëndrueshme e pakontestueshme, një guackë mbrojtëse hipotezash e përshkrimesh ndihmëse të asaj që nuk mund të bëhej apo vërtetohej në kuadrin e kërkimit shkencor.
Duke mos dashur të prishin apo cënojnë ndërtesat e tyre teorike, shkencëtarët ndërtojnë strategji imunitare dhe servirin hipotezat ndihmëse përballë procesit të supozim / mohimit dhe në këtë mënyrë e ruajnë hipotezën bazë.
Programet shkencore mund të jenë progresive (gjenerues të njohurive të reja, zbuluese të fakteve të panjohura, shpjeguese të anomalive, etj.) ose regresive (të paafta për të shjeguar faktet e panjohura, etj.). programe shkencore konkurruese mund të egzistojnë paralelisht, gjë që shpjegon dhe ashpërsinë e debateve shkencore” .
Blaug e aplikoi këtë lloj analize për të shpjeguar dhe vlerësuar diferencat dhe grindjet e mëdha ndërmjet shkollave të ndryshme të mendimit ekonomik. Ai konsideronte se Keynesi inaguroi një program të ri “”progresiv” kërkimesh shkencore, pika e qëndrueshme e të cilit ishin konceptet e parashikueshmërisë (anticipimit) dhe paqartësisë. Në të kundërt, Blaug mendonte se monetarizmi, deri në momentin e fillimit të revolucionit keynesianist ishte një program shkencor regresiv.
Mark Blaug është mjaft kritik ndaj tendencave formalizuese të ekonomisë, vecanërisht ndaj hipotezës së parashikueshmërisë racionale dhe makroekonomisë së re klasike. Të kërkosh të imitosh shkencat e natyrës si fizika apo kimia në ekonomi, do të thotë të privilegjosh matematikën dhe elegancën formale ndaj observimit të realitetit.
Sipas tij, shumica e ekonomistëve neoklasikë janë të paaftë apo refuzojnë ti përballin teoritë e tyre me realitetin. Ai ishte shumë pesimist kundrejt matematizimit ekstrem të ekonomisë duke u shprehur se “tashmë ne kemi krijuar një mostër që është shumë vështirë të ndalet”.