Prof. Asc. Dr. Pëllumb Karameta
Mësuesi vlen sa më s’bëhet për suksesin e nxënësve. Ndaj mësuesia është ligjëruar si profesion i rregulluar; studenti zhvillon praktikën profesionale në shkolla pas diplomimit dhe licencohet mësues përmes provimit të shtetit. Atëherë, përse e quaj domosdoshmëri reformimin e Fakulteteve të Mësuesisë? Është ky trillim dashakeq, apo nevojë e kohës? Le ta shohim.
KONSTATIME
- 1. Fakultetet e Mësuesisë duket as vetë nuk kanë të qartë se çfarë mësuesi duhet të përgatitin. Pra, nuk njohin se çfarë cilësi, njohuri dhe kompetencat i nevojiten studentit pas diplomimit. Njohja e këtij aspekti kyç – ndryshe, profili i studentit që diplomohet – vlen për të hartuar programet e studimit, për kurrikulat, vlerësimet dhe përvojat autentike që i ndihmojnë studentët të fitojnë njohuri dhe kompetenca të cilat do t’i demonstrojnë kur të jenë mësues. Njohja e profilit është udhëzues për fakultetin. Në të kundërtën, gjithë sa ofrohet nga fakulteti është “e shtënë kuturu”; ndryshe, investim, pa ditur arsyen.
- 2. Çdo fakultet i ofron studentit një listë objektivash të përgjithshme që, duke dashur t’i thonë të gjitha, thonë pak ose aspak. Objektivat janë kaq abstrakte dhe të qethura nga detajet, saqë është e pamundur të kundërshtohen; por po kaq e vështirë të kuptohet se çfarë duan të thonë praktikisht, apo me çfarë mënyre pedagogu do t’i plotësojë ato. Ato deklarohen si opinione të përsosmërisë në këtë epokë të mbizotëruar nga klishetë, por shumë syresh janë të pasakta. P.sh., çfarë duan të thonë hartuesit e programit “Master profesional mësuesi në gjuhë letërsi” me objektivin “nxitja e të mësuarit aktiv dhe logjik te studentët për të rritur cilësinë e përvetësimit të njohurive”? Apo Departamenti i Fizikës në FSHN që ka si mision “përgatitjen dhe pajisjen e studentëve me njohuri të thella dhe të qëndrueshme (!?) në fusha të ndryshme të fizikës, duke i aftësuar ata të konkurrojnë në tregun e punës si mësues”. Me deklarata si këto, Fakultetet shpalosin konceptin e tyre për mësuesin, njësoj si Platoni dikur apo shkollat evropiane të gramatikës 150 vite më parë që fetishizonin njohurinë. Duket, nuk është kuptuar që kulti tradicionalist i njohurisë është një nga rrënjët e fuqishme të mekanizmit gjigant që po zhvlerëson diplomat dhe ndan, aspiruesit për mësues dhe fakultetin vetë, nga jeta reale në shkolla.
Objektivat programore, sido qofshin, janë 1% të asaj që duhet bërë. Çka nuk funksionon, për të mos thënë që nuk funksionon si duhet, është lidhja mes asaj që studentët mësojnë (oferta kurrikulare e Fakulteteve) dhe kërkesave që ka profesioni i mësuesisë (kompetencat profesionale). Mbivlerësimin e dijeve / njohurive shkencore dhe raportin e zhdrejtë mes tyre dhe kompetencave që kërkon profesioni i mësuesisë po e ilustroj me programin për formimin e mësuesve të matematikës në FSHN.
Në programin e studimit “Bachelor”, studentëve u ofrohen vetëm dije matematike (180 kredite).
Ndërsa, në programin Master “Mësues Matematike për AML” (2 vite), plani mësimor për 2021- – 2023, me të cilin synohen aspektet profesionale, paraqitet në tabelë.
Në të dy programet, studentit i ofrohen 240 kredite matematikë “safi”, ndërsa për formimin profesional vetëm 66 kredite – ndryshe, rreth 25% e ngarkesës mësimore të 5 viteve. Sikur të mos mjaftonin dijet matematike të ofruara për 4 vite, vitin e fundit, studentët detyrohen t’u rikthehen sërish atyre. Madje dhe lëndët me zgjedhje përmbajnë thjesht matematikë. Thua se ata përgatiten të jenë matematikanë dhe jo mësues. Lidhje e shpërpjesëtuar reflektohet edhe në programin “Master Profesional për Mësues Gjuhë – Letërsie”. Për t’u informuar më gjerësisht, të interesuarit mund të konsultojnë Web-faqen e Fakultetit. Pyes: A nuk e cenojnë këto oferta kurrikulare formimin e mësuesit? A nuk zhbëjnë ato dallimin ndërmjet matematikanit dhe mësuesit të matematikës apo gjuhëtarit dhe mësuesit të gjuhës shqipe? Nuk mohoj aspak rëndësia e disiplinave shkencore. Por theksoj reformimin e kurrikulave për t’i riorganizuar dijet shkencore dhe psikike-pedagogjike në funksion të njohurive dhe të kompetencave profesionale të mësuesit. Për t’i lidhur ato qartësisht si kërkohen në praktikën shkollore.
PAS KONSTATIMEVE
- Nëse duam mësues me kulturë të gjerë dhe të aftë, oferta kurrikula duhet rivlerësuar nga këndvështrimi i profesionit të mësuesisë. Duke e plotësuar ofertën me elementët që lidhen me historinë e lëndës, epistemologjinë e saj, me psikologjitë përkatëse dhe teoritë e reja të nxënies. Të përditësuar të gjitha këto me të dhënat e fundit. Dhe në funksion të risive të reformës kurrikulare në arsimin parauniversitar. Kështu, mësuesi i ardhshëm ndërton sisteme njohurish të baraspeshuara rreth fushave të mësipërme dhe fiton kompetencat profesionale përmes zbatimit të njohurive në kontekstet akademike dhe/ose shkollore. Për këtë, do duhet t’u rikthehemi bazave të arsimit dhe të rikonceptojmë shumë prej ideve për fakultetet e mësuesisë, për qëllimet e tyre dhe për mënyrat si duhen plotësuar më mirë ata. Kjo është mundësi e vyer për të rimenduar mjaft prej gjërave që bëhen në këto fakultete, por edhe përse bëhen ato.Kujtoj se, ndryshimi që duam, nuk mund të nisë të jetësohet pa reformimin e agjencisë që akrediton programet e studimit (ASCAL).
- 2. Përgatitja e profilit të studentit që orienton ofertën e baraspeshuar kurrikulare, më shumë se kompetencë e pedagogëve të disiplinave shkencore (matematikë, gjuhësi, histori etj.), mendoj se kërkon kontribute nga një rreth më i gjerë dhe i specializuar personash, përfshirë këtu mësues me përvojë. Sepse, për ndryshimin, tani është normë që ekspertët e fushave të bashkohen dhe të ndërtojnë njohuritë që u duhen në kontekstin e problemit të pangjashëm me gjithë sa njihnin më parë. Kjo kërkohet nga mënyra si funksionojnë fakultetet ku përgatiten kërkuesit e rinj dhe mësuesit e ardhshëm. Aktualisht, pjesën më të madhe të lëndëve të formimit profesional i zhvillojnë pedagogë të departamentit të psikologji-pedagogjisë të Fakultetit të Shkencave Sociale. Ata kontribuojnë në fakultet e mësuesisë, por varësinë akademike dhe administrative e kanë diku tjetër. Gjithashtu, mjaft prej tyre nuk i kanë të certifikuara njohuritë e nevojshme shkencore dhe disiplinore (fizikë & psikologji, të themi).
- 3. Nuk po analizoj këtu problemet që bartin vetë programet e studimit dhe mënyrat se si ofrohen ata. Apo nevojën urgjente të përgatitjes së mësuesve që mund të japin të paktën dy lëndë, çka do të përmirësojë punësimin e tyre dhe korrespondon me kërkesat e sistemit arsimor. Kjo risi për fakultetet tona, të paktën të fillojë të artikulohet, për t’i hapur shtegun zhvillimit të mëtejshëm. Nuk po komentoj më tej arsyen pse disiplinat e psikologjisë apo didaktikat e lëndëve duhen zhvilluar nga njohës të këtyre disiplinave, njëherazi dhe të shkencave përkatëse. Nuk dua të besoj, ndërkaq, se reformimi i Fakulteteve të mësuesisë pengohet nga interesat vetjake të një pjese të pedagogëve. Ky proces, nuk mund të jetë më as dëshirë subjektive dhe as i kushtëzuar nga autonomia universitare.
Nuk i thashë të gjitha, por, çka shpreha, i kam menduar mirë. Sepse është koha për të shkuar përpara. Unë besoj se ka shpresë që Fakultetet e reformuara të mësuesisë të jenë ndryshimi që shoqëria dhe arsimi dëshiron. Përgatitja e mësuesve të rinj duhet të rilindë dhe pedagogët mund të bëjnë shumë për këtë.
Prof,ju jeni nje skaner precize i problemeve te arsiimit por a mund te thoni se sa eshte kostoja qe kemi marre nga studentet qe kane gjeneruar univesitetet private dhe shtetrore qe jane aktive sot ,pjese shume e madhe e tyre nuk kalojne nje test me kerkesa minimale logjike matematikore, jane analfabet funksional,e them kete me fakte pasi me kane ardhur kolege ish nx e mi qe gjat gjithe shkolles se mesme nuk ka marr gjashte ne fizike dhe ka filluar mesues fizike,e thashe kete si mesues fizike me eksperience te gjate, por kam kolege te tjere te Cu ish nx mi qe nuk njesojne Sip e klases,vellimin e saj etjj,kush do mbaj pergjegjsi prof ?!Te uroj gjithe te mirat e botes prof,respekte!