Nga Ylli Pata
Nga viti 2013 ka pasur disa tentativa të shkëputura për të formësuar një opozitë politike ndaj socialistëve të Edi Ramës, jashtë Sali Berishës.
Në vitiin 2013, zhvillimi më i rëndësishëm politik natyrisht pas fitores së Edi Ramës dhe dorëheqjes së Sali Berishës, ishte riaktivizimi i një gare politike në Partinë Demokratike, që pati si përballës të ndjerin Sokol Olldashi e Lulzim Bashën.
Ajo garë u bllokua nga Sali Berisha, i cili u soll si pronar në PD prishi procesin, duke nxjerrë Bashën kryetar me anë të një makinacioni.
Pikërisht ky makinacion i Berishës, zgjoi një valë të re politike në PD, ku u krijua grupi i njerëzve që kishin përkrahur Olldashin, të cilët u mënjanuan hapur dhe drastikisht nga Basha. Pati sinjale të rëndësishme për të krijuar një zë e frymë politike ndryshe në vend, që mori formë me fjalimin e bujshëm të Sokol Olldashit në Kuvend kundër blerjes së votës. Një fjalim, që sot në youtube është ndër më të ndjekurit e të shumë-komentuarit.
Por humbja e parakohshme e jetës së Sokol Olldashit, e mbylli sythin politik të një lëvizjeje politike në radhët e së djathtës politike.
Më pas, lëvizja që u shqua dukshëm në këtë hark politik ishte ajo e Gjergj Bojaxhiut në zgjedhjet për kreun e bashkisë së Tiranës, i cili arriti të marrë 16 mijë vota, me një fushatë krejt modeste, për një periudhë të shkurtër, e pa një bombardim mediatik.
Bojaxhi, një teknokrat që erdhi nga SHBA për të punuar në administratën e PD-së pasi kjo e fundit fitoi zgjedhjet e vitit 2005, tentoi të marrë përgjegjësi politike në partinë më të madhe të së djathtës në vend, por e pritën me këmbët e para. Tentativa e tij për të marrë drejtimin e PD-së së Tiranës në vitin 2009 u “vra” që në lindje.
Gjergj Bojaxhi e vijoi “aventurën” e tij edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, por mori një rezultat të dobët, e pastaj lëvizja u shua.
Një tentativë jo direkte por të vakët, ishte edhe ajo e një grupi intelektualësh që vinin nga SHBA. Ish-themelues të Partisë Demokratike që në vitin 1990, që nga viti 2015 e pak më pas, synuan të ngjiznin e të ankoronin idetë e tyre në hapësirën e madhe të opozitës shqiptare, por realisht nuk se insistuan shumë.
Bëhet fjalë për një grup intelektualësh që vepruan së bashku, por referimi i tyre ishte profesor Shinasi Rama, pedagog i New York University, e një studiues i njohur i shkencave politike në SHBA. i cili pati edhe një përvojë të rëndësishme si përfaqësues i UÇK-së në SHBA gjatë luftës së Kosovës.
Këta intelektualë, madje përgatitën edhe një manifest me titullin e madh “Bleta Shqiptare” që i referohej botimit të rilindasit Thimi Mitko. Ky manifest bënte thirrje për krijimin e një shteti kombëtar, ku bashkoheshin njerëzit e ndershëm e të zgjuar, e jo ata që e quajnë “Paria e Tiranës”. Një tjetër eksponent i këtij grupimi ishte edhe Grid Rroji, një studiues që gjithashtu është diplomuar e punon në SHBA, i cili madje kishte edhe një përvojë punë me qeverisjen e PD-së.
Gjatë viteve të para pas fitores së 2005, Rroji punoi si Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Kryeministri, por që më pas u largua.
Narracioni politik i tyre ishte një politikë krejt e distancuar nga berishizmi, një kthim tek identiteti i lëvizjes së dhjetorit dhe përqafimin e ideve konservatore për një “shtet kommbëtarist”. Me kalimin e kohës, kur panë që këto teza nuk po qaseshin nga publiku opozitar, ky grupim, sidomos profesor Rama, u tregua edhe më radikal, e fliste për konceptin e një Shqipërie të kapur nga “klani bektashi-Ortodoks i jugut” që ishte kundër “klanit syni musliman e katolik të veriut”.
Një logjikë sipas gjasave për të marrë një feedback më shumë nga elektorati radikal i opozitës, por që sërish nuk ngjiti. Në debatin pas 19 majit të vitit të shkuar, kur Sali Berisha u shpall Non Grata, natyrisht që ky grup nuk përkrahu doktorin dhe vala e tyre ra. Megjithësë herë pas here në rrjete ata profetizojnë falimentimin financiar të Shqipërisë si pasojë e veprimeve sipas tyre të “Sindikatës Ndërkombëtare të Krimit”. Një term që ngjajnë me cilësimin e Ilir Metës: “Mafia Ndërkombëtare”. Mos përcaktimi se më kë e kanë natyrisht që ka shkaktuar konfuzion.
Lëvizja më e fundit ishte natyrisht ajo e “opozitës parlamentare” që zëvendësoi në shkurtin e vitit 2019, deputetët e PD-së dhe LSI-së që dogjën mandatet. Natyrisht që askush nuk priste një zhvillim pozitiv nga figura si Kujtim Gjuzi e Selami Jenisheri, por natyrisht prej Rudina Hajdarit dhe Muslim Murrizit pritshmëritë ishin më të mëdha. Jo për të bërë ndonjë gjë kush e di se çfarë, por të paktën të ndikonin në formësimin e një grupimi politik të së djathtës, që të fabrikonte ide e aksione për të krijuar një gjë ndryshe në hapësirën politike, e që të zgjojë kushtet e një alternative politike ndaj PS-së së Edi Ramës.
Edhe pse ky grupim arriti të qëndrojë fort pas sulmeve super të egra e linçuese që vinin nga PD-ja zyrtare, e qarqet mediatike të Sali Berishës e Ilir Metës, sapo dështuan në zgjedhjet e 25 prillit 2021, siç e kemi pare, pjesa më e madhe e këtij grupimi është bashkuar me partinë e Sali Berishës. i cili i mban larg duke mos i zgjedhur në forume e tij.
Aventura e Jozefina Topallit, pastaj siç u pa, më shumë se një lëvizje për të ribërë të djathtën ishte një mllef e inat ndaj Lulzim Bashës. Sapo iku Basha, Topalli u kthye e emocionuar tek doktori që e konsideron si “babain e së djathtës shqiptare”.
I vetmi, që duket më koherenti në këto lëvizje dhe që e kupton politikën më realisht është Astrit Patozi. I cili, së bashku me disa politikanë e ish-aktivistë të PD-së kanë themeluar Bindjen Demokratike. Një formacion politik që refuzoi të bojkotojë zgjedhjet e 30 qershorit 2019, e që nuk kompleksohet nga denigrimet, sulmet, apo linçimet që i kanë ardhur nga qarqet e Bashës, Berishës e Metës.
Patozi duket më i qarti nga të gjithë, pasi e konsideron politikën-një maratonë dhe jo një një vrapim 100 metrash. Ndaj ka krijuar edhe një vizion të tijin mbi konfigurimin e një opozite të re kundër Edi Ramës. Patozi e sheh këtë opozitë si “një Federatë” e madhe partish, grupimesh dhe frymash politike e qytetare të ndryshme, që bien dakord të krijojnë një bord drejtues, i cili do të jetë edhe lidershipi i opozitës së gjerë që duan ndryshimin politik në Shqipëri.
E kjo eksperiencë nuk se është unike tek ne.
Të gjitha forcat politike të djathta në Europën Lindore që erdhën në pushtet pas përmbysjes së regjimeve komuniste ishin “Federata” partish e grupimesh politike.
“Solidarnosc” i Leh Valesës ishte një ansambël zërash sindikalë, politikë, aktivistësh civilë, intelektualësh katolikë, laikë e madje dhe ateistë, por që donin që Polonia të ishte një shtet jashtë orbitës së Moskës dhe vend krejtësisht pro perëndimor. Edhe sot e djathta polake është diverse dhe ka disa “shpirtra”, ku herë ka prevalencë njëra, e herë tjetra. Po ashtu në Hungarinë e Orbanit, Fideszi i tij është një “kapanon” i madh politik ku herë kanë prevalencë liberalët, e herë ekstremistët e djathtë, madje edhe ata antisemitë e anti emigrantë.
Kështu është Gerb-i në Bullgari i Boyko Borisovit që drejtoi si kryetar i Sofjes dhe kryeministër i vendit për 3 mandate, kështu është HDZ-ja kroate e kryeministrit Andrej Plenkoviç, që është themeluar nga Franjo Tugjman, e shumë parti të tjera në rajon, si DEMOS-i në Slloveni etj etj. Në çdo rast kemi pasur një koalicion të madh divers e jo një grupim monolit.
Tek ne, ata që kanë tentuar që të bëjnë diçka ndryshe, duket e kanë menduar gabim, pasi gjithmojnë tentojnë të marrin pëlqime nga “zemra” radikale e militantëve të opozitës në Shqipëri, çka është mission i pamundur. Kjo pjesë, pra pjesa “radikale” apo berishjane, tashmë është pjesë e një indoktrinimi që për tu çkyçur do kohën e vet. Ndërkaq, ata që në vitet 90 cilësoheshin si “radikalë të djathtë”, pra pjesa e partive trandicionale si Balli Kombëtar e Legaliteti, kanë treguar se nuk është Sali Berisha “ylli i tyre polar” përkundrazi. Në vitin 1996 kanë mundur PD-në në Shkodër e në vitin 1997 kanë arritur të fitojnë në Kavajë e pjesë të tjera në vend.
Ndërkaq, opozita apo arqipelagu opozitar shqiptar që tashmë prej vitesh ka dalë në rrjete sociale dhe e tregon çdo ditë tentativën për protagonizëm, kërkon të orientohet e të formësohet. Dëmi më i madh do të ishte sikur të gjitha këto resurse të jenë karburant për një “opozitë frankeshtajn” çka po parashikohet ajo Meta-Berisha…