Mero Baze
Primaret, që nënkuptojnë një garë paraprake brenda partisë për të përcaktuar se kush do të jetë në listën e deputetëve, kanë qenë premtimi i parë i Berishës kur nisi betejën kundër Lulzim Bashës tre vite më parë.
Me afrimin e kohës së zgjedhjeve, ky premtim u harrua.
Arsyeja kryesore është se, duke qenë se iu desh të bënte kompromis me grupin kundërshtar që mbështeste Bashën, duke i joshur ata me vende të sigurta në listë, Berishës iu desh ta harronte këtë premtim zyrtarisht. Nëse ata do të garonin në primare, natyrisht Berisha do t’i përjashtonte nga lista, duke i “vrarë” me dorën e popullit “demokrat”.
Herë pas here, Berisha e përsërit idenë e primareve, sa herë që sheh se ata nuk janë mjaftueshëm të rreshtuar pas tij. Në raste të caktuara, ai urdhëron portalet apo mediat e familjes të sulmojnë grupin kundërshtar, që më pas t’i mbrojë vetë për të treguar se nuk e ka të lehtë t’i fusë në listë pa sakrificë.
Sistemi i ri elektoral me lista pjesërisht të mbyllura, ku 30 për qind e fillimit të listës është e mbyllur, pra e sigurt, e favorizon Berishën. Ai në këtë pjesë të listës do të vendosë njerëzit e tij më besnikë, ndërsa të dyshimtët do t’i vendosë në pjesën e hapur, ku ata do të “hanë kokat” me njëri-tjetrin për të siguruar një vend. Kështu, Berisha garanton një listë besnikësh për mandatin tjetër, që të mos e tradhtojnë atë në rast se arrestohet ai apo pjesëtarë të familjes së tij, dhe është në rregull me të dyshimtët e Bashës që ka marrë në parti.
Skema është tërësisht e kundërt tek PS. Socialistët e kanë bërë publike strategjinë e tyre: në 30 për qind të listës fituese, e cila është e mbyllur dhe e sigurt, PS do të fusë emra të rinj për të garantuar transformimin e listës. Ndërsa në pjesën e hapur të listës, PS do të fusë emrat e vjetër politikë që janë ende në Kuvend.
Përmes kësaj skeme, socialistët realisht transformojnë shumicën e listës së re në Kuvend dhe sigurojnë një test për ekipin e vjetër, të cilët duhet të përballen me njëri-tjetrin për të hyrë në Kuvend.
Pra, pas 11 Majit, ne do të kemi një Parti Socialiste me një grup thuajse të ripërtërirë deputetësh dhe një PD me besnikë të kalcifikuar të Berishës, gjë që do ta bëjë edhe më dramatike humbjen e saj.
Nëse tek PS të vjetrit, që janë në listën e hapur, do të përdorin popullaritetin e tyre për të shtuar votat dhe për të garantuar hyrjen në Kuvend, në PD ata që janë jashtë zonës së listës së mbyllur e kanë të sigurt që nuk do ta arrijnë atë përqindje dhe nuk do të luftojnë. Edhe ata që e kanë vendin e sigurt në listën e mbyllur nuk do të luftojnë. Kështu që rezultati i tyre ka prirje të jetë më i keqi.
Problemi është se Berishës nuk i intereson më as fitorja në zgjedhje apo as ndonjë rezultat i mirë. Atij i intereson vetëm një grup besnikësh. Këtë grup ia siguron “nderi” që i bëri Edi Rama me listën e mbyllur deri në 30 për qind dhe shmangia e primareve. Këtë po bën.