Nga Mero Baze
Edhe pse Partia Demokratike e Shqipërisë dhe LDK ka qenë aleate formale në vite, nuk kanë qenë kurrë dy parti që kanë mundur të bashkëpunojnë. Për shkak të krizës së fortë mes Berishës dhe Rugovës pas vitit 1996, raportet mes PD dhe LDK mbetën më shumë një mit se sa një realitet. E vetmja gjë që funksionte ishin disa raporte personale mes disa politikanëve të PD dhe disa politikanëve të LDK.
Tani në LDK dhe në PD nuk ka më personalitete dhe as që ka njerëz që kanë raporte me njëri-tjetrin. Ndërkohë kryetari i PD, Berisha, dhe Abdixhiku kam frikë se as nuk njihen personalisht me njëri-tjetrin.
Idhulli politik i PD në Kosovë, së paku nga viti 2018, është Albin Kurti. Duke e parë si model opozite në Kosovë që më pas mori pushtetin, PD filloi të ketë adhurim publik për Kurtin, sidomos per vijen e tij të qartë dhe pa komplekse për SHBA, por për ta maskuar atë e devijonte mbështetjen tek Vjosa Osmani për shkak të historisë së saj të mëparshme me LDK.
Të gjitha qëndrimet publike të PD shtatë vitet e fundit që Kurti është në pushtet janë qëndrime që mbështesin Albin Kurtin kundër LDK.
Tani që Vjosa Osmani u prish me Albin Kurtin, për shkak se ai nuk ia zgjati mandatin për presidente, PD nuk di më si ta fshehë aleancën e saj me Albin Kurtin dhe ka përfunduar si ata deputetët e fraksionit “Vlen” që kanë mbetur brenda Vetëvendosjes nga LDK, të emigruar aty prej Vjosa Osmanit.
Dhe për të justifikuar braktisjen e tyre edhe për Vjosa Osmanin, kanë filluar ta akuzojnë se atë e mbështet Edi Rama për presidente. Pra këta e duan Vjosa Osmanin jo vetëm presidente kundër Shqipërisë dhe Edi Ramës, por e duan që atë ta zgjedhë domosdo Albin Kurti. Pra këta nuk i falin Vjosa Osmanit as të drejtën për t’u zemëruar me Albin Kurtin, edhe pse gjestet e saj të fundit më shumë ndihmojnë Albin Kurtin se sa atë.
Por e gjithë kjo logore e njerëzve të PD në Tiranë, që në krizën më të madhe institucionale në Kosovë bëjnë sikur do të mbështesnin Vjosa Osmanin, por nuk mund ta bëjnë atë se ajo ka tradhtuar duke bashkëpunuar me Edi Ramën, është gjëja më banale që ka prodhuar dashuria dhe adhurimi i Sali Berishës për Albin Kurtin për shkak të trimërisë së tij për të poshtëruar SHBA në Kosovë. Atë që Sali Berisha nuk e bëri dot vetë kundër SHBA, edhe pse i rezistoi ndëshkimit të saj me “non grata”, e shikon me adhurim tek Albin Kurti, i cili për hir të së vërtetës mbetet luftëtari politik më pa komplekse kundër SHBA në Ballkan. Madje rasti i Vjosa Osmanit, e cila tentoi t’i impononte me raportet e saj të mira me Donald Trumpin, tregon se ai është i qartë për t’u treguar amerikanëve derën nëse hyjnë pa leje në shtëpinë e tij.
Ky është adhurimi real që Sali Berisha ka për Albin Kurtin dhe arsyeja pse ka harruar që PD dhe LDK kanë qenë dy partitë e para aleate në hapësirën shqiptare në fillim të viteve ’90. Por për të gjithë ata që s’e dinë apo bëjnë sikur e harrojnë, krisjen e parë mes PD dhe LDK e dha SHBA në vitin 1996, kur mori nën mbrojtje Ibrahim Rugovën nga përpjekja e Berishës për të eksportuar problemet e tij me SHBA në Kosovë, duke tentuar të shkarkojë Rugovën dhe ta zëvendësojë atë me Demacin.
Prej atëherë Sali Berisha nuk u ngjit më kurrë me LDK dhe përfundoi nga Adem Demaçi tek nxënësi i tij, Albin Kurti, pasi ai plotëson gjithë ëndrrat e parealizuara të Berishës si antiamerikan. Kjo është arsyeja pse sot Berisha është me Albin Kurtin dhe jo me LDK. Madje as me fraksionin e Vlenit që i ka mbetur në dorë Gërvallës.
Por kjo nuk do të thotë që Albin Kurti është aleat i Berishës. Ai është thjesht dikush që e adhuron Berisha.











