Nëse një shtet anëtar i Bashkimit Evropian bëhet objekt i një agresioni të armatosur në territorin e tij, vendet e tjera anëtare kanë detyrimin ligjor ta ndihmojnë.
Kjo nuk është thjesht një mundësi politike, por një detyrim i qartë i parashikuar në nenin 42, paragrafi 7 të Traktatit për Bashkimin Evropian. Ky nen përmban të ashtuquajturën “klauzolë të mbrojtjes së ndërsjellë”, e cila i detyron shtetet anëtare të ofrojnë ndihmë dhe asistencë me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion, në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Kjo klauzolë shpesh krahasohet me nenin 5 të NATO-s, që parashikon mbrojtje kolektive në rast sulmi ndaj një vendi anëtar. Megjithatë, ekziston një dallim i rëndësishëm: jo të gjitha vendet e BE-së janë pjesë e NATO-s. Për shembull, Qipro është anëtare e BE-së, por jo e NATO-s. Në rast se Qipro do të sulmohej nga një shtet tjetër, si për shembull Irani, Bashkimi Evropian do të përballej me detyrimin për të reaguar në bazë të traktatit.
Neni 42 thekson se politika e përbashkët e sigurisë dhe mbrojtjes është pjesë integrale e politikës së jashtme të BE-së. Deri më sot, kjo klauzolë nuk është aktivizuar zyrtarisht në një situatë lufte klasike mes shtetesh. Ka pasur diskutime informale në raste tensionesh ndërkombëtare, por asnjë vendim formal për ndërhyrje ushtarake kolektive në bazë të këtij neni.
Vendimi për të nisur një mision ushtarak në kuadër të BE-së duhet të miratohet nga Këshilli Evropian me unanimitet, mbi propozimin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë. Megjithatë, traktati parashikon edhe mundësinë e “bashkëpunimit të përforcuar”. Kjo do të thotë se një grup shtetesh anëtare mund të marrë përsipër një mision të caktuar për të mbrojtur interesat dhe vlerat e Bashkimit Europian, pa qenë e nevojshme që të gjitha vendet të marrin pjesë. Në këtë rast, vendimi mund të merret me shumicë të cilësuar dhe jo domosdoshmërisht me unanimitet të plotë.
Një aspekt thelbësor është koordinimi me NATO-n. Vetë traktati i BE-së thekson se angazhimet në fushën e mbrojtjes duhet të jenë në përputhje me detyrimet e vendeve anëtare në kuadër të NATO-s, e cila mbetet baza kryesore e mbrojtjes kolektive për shtetet, që janë pjesë e saj. Kjo do të thotë se çdo veprim i BE-së në rast agresioni duhet të harmonizohet me strukturat dhe strategjitë e Aleancës Euro-Atlantike.
Në një kontekst ndërkombëtar gjithnjë e më të tensionuar, klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë merr një rëndësi të veçantë. Ajo përforcon idenë se Bashkimi Evropian nuk është vetëm një union ekonomik dhe politik, por edhe një bashkësi sigurie. Nëse një shtet anëtar sulmohet, reagimi nuk duhet të jetë i izoluar, por i përbashkët. Kjo sepse siguria e njërit është siguria e të gjithëve./ La Repubblica











