Sekretarët e rinj të Partisë Socialiste do të mund të zgjidhen vetëm nga radhët e deputetëve, por jo ministra. Anëtarëve të kabinetit qeveritar ua ka ndaluar statuti i ri i PS-së të mbajnë postin e një prej sekretarëve ekzekutivë të PS-së, shkruan Gazeta Shqiptare. “Funksioni i sekretarit të partisë është i papajtueshëm me funksionin e anëtarit të kabinetit qeveritar si dhe me çdo lloj funksioni tjetër ekzekutiv me kohë të plotë”, thuhet në pikën 2, të nenit 46 të statutit. Aty nuk përcaktohet asnjë papajtueshmëri të këtij funksioni me atë të deputetit. Por, ndërkohë gjithçka do të varet nga vetë kryetari i partisë e njëherësh kryeministër i vendit, Edi Rama. Sipas dokumentit që u miratua në kongresin e 19 marsit, është “Kryetari i partisë, i cili i paraqet Asamblesë Kombëtare për miratim kandidaturat për sekretarë ekzekutivë të partisë”.
Por, nga ana e tyre, edhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare kanë të drejtë të propozojnë kandidatura të tjera alternative. Në këtë rast, çdo kandidaturë alternative e propozuar nga anëtarët e Asamblesë duhet të ketë mbështetjen e të paktën 5% të anëtarëve të saj. Nuk dihet një datë e saktë se kur do të mblidhet Asambleja e re, e sapozgjedhur, por burimet nga PS-ja bëjnë me dije se fillimisht do të mbyllet puna me referendumin, i cili është caktuar të shtunën e 9 prillit. Deri atëherë kryeministri do të ketë gati edhe listën me kandidatët për sekretarë, ose ndryshe emrat e bashkëpunëtorëve të tij në sekretariatin e ri të PS-së. Nuk dihet gjithashtu nëse ai do të ruajë të njëjtën strukturë dhe numër sekretarësh siç janë aktualisht.
Në sekretariatin e vjetër janë 9 sekretarë, veç nënsekretarëve. Tashmë 4 prej sekretarëve janë ministra, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Ilir Beqaj dhe Blendi Klosi, ndërsa dy prej tyre, Erion Veliaj dhe Armando Subashi, janë kryetarë bashkish. Burimet bëjnë me dije se në përzgjedhjen e emrave, kryeministri do të përqendrohet pikërisht në grupin parlamentar, por nuk përjashtohet edhe futja e emrave të rinj nga Asambleja Kombëtare. Në Asamblenë e PS-së, veçanërisht për qarkun e Tiranës vihet re një numër i madh prurjesh të reja, ndërkohë që shumë pak mbeten nga ata më të votuarit në disa asamble, siç janë: Artan Lame, Alketa Hila, Alfred Dalipi, Blerina Doracaj apo Elisa Spiropali, e cila mund të jetë një nga emrat që mund të përzgjidhet në ndonjë nga postet e sekretarëve.
“Kandidatët për sekretarë ekzekutivë duhet të jenë anëtarë të Asamblesë Kombëtare”, saktësohet në statutin e ri. Një pikë tjetër që do të vendosë Asambleja Kombëtare, në mbledhjen e saj të parë është edhe përzgjedhja e sekretarit të përgjithshëm dhe kryesisë së re të partisë. Edhe në kryesi, kryetarit Rama i duhet të ruajë barazinë gjinore, por nuk dihet nëse këtë herë në kryesinë e partisë do të mbajnë postet e tyre disa prej emrave të vjetër në radhët e deputetëve.
Në kryesi është aktualisht anëtar edhe deputeti kritik Ben Blushi, i cili nuk dihet nëse do të propozohet për të qenë pjesë e kryesisë së re, pas atyre që ndodhën edhe në kongresin e fundit. Sipas statutit të ri, edhe Rama ka në dorë propozimin e një numri të konsiderueshëm kandidatësh për kryesinë e re, së bashku me anëtarët e Asamblesë Kombëtare.
BW